Intervistë|Lirak Çelaj: Ahmeti e ka shndërruar Komunën në shtab të VV-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Furnizimi me kifle, për nxënësit e shkollave në Prishtinë, duket të jetë e arritura e vetëm e kryetarit të kësaj Komune, Shpend Ahmetit, sipas zëvendësministrit të drejtësisë Lirak Çelajt, njëherësh asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Çelaj thotë se ndërtimet pa leje e korrupsioni në komunën e drejtuar nga Ahmeti, nuk janë ndalur, vetëm se janë ndërruar njerëzit të cilët bëjnë keqpërdorime të tilla.

“Përpjekja për të thënë që është ndal korupsioni dhe ndërtimi pa leje është i pavërtetë, thjesht është ndrru ekipa e cila korruptohet… Neve na raportojnë qytetarët vazhdimisht për korruptime ku i janë kërku mjete të caktuara qoftë për renovim të shpisë. Korrupsioni nuk është ndal por janë ndërru njerzit që përfitojnë”, ka thënë Çelaj për Gazetën Fjala.

Ai kërkon përgjegjësi nga i pari i kryeqytetit edhe për rastin e dy fëmijëve të mbytur në gropën e Kolovicës.

“ Dikush duhet të jap përgjegjësi penale, për këtë punë duhet të shkohet edhe te kryetari të jap përgjegjësi”, ka thënë asambleisti nga radhët e PDK-së.

Çelaj, thotë se në Komunën e Prishtinës ka mafi të ndërtimit. Përderisa, për kryetarin Ahmeti, thotë se Komunën e ka shndërruar në një shtab të Lëvizjës Vetëvendosje, duke vepruar njësoj si paraardhësi i tij, tani kryeministri Isa Mustafa, sa ishte në pozitën e njejtë.

Përveç kësaj, ai flet edhe për nënshkrimin për trajtimin mjekësor të Sabit Gecit, të cilin thotë se e ka bërë pas urdhërit nga ish ministri i drejtësisë Hajredin Kuqi.

Gazeta Fjala:  Z. Çelaj, edhe pak muaj bëhen tre vite që kur qeverisja në Prishtinë është në duart e Shpend Ahmetit. Sa ka ndryshuar menaxhimi i Prishtinës krahasuar me qeverisjen e Isa Mustafës?

Lirak Çelaj: Fatkeqësisht ka shumë aspekte ka regres kundër asaj që ne kemi shpresu kemi  qenë shumë të paknaqur me qeverisjën e Isa Mustafës veqmas mas luftës këtë qeverisje, kemi pas shpres që do të sjell ndryshim në menaxhim, në shumicën e segmenteve ka stagnime ka keqmenaxhim, mosaftësi me njerëz jokompetent për të menaxhuar me dikastere të caktuara dhe ka ngecje. Nuk gjej një fushë në të cilën ka progress.  Problemi ma i madh i Prishtinës, nuk janë kiflet këtë aspect ka kife se ska pas por për kualitetin e jetës së qytetarëve unë nuk vrej dicka të tillë. Përpjekja për të thënë që është ndal korupsioni dhe ndërtimi pa leje është i pavërtetë, thjesht është ndrru ekipa e cila korruptohet pak punohet me klientë. Neve na raportojnë qytetarët vazhdimisht për korruptime  ku I janë kërku mjete të caktuara qoftë për renovim të shpisë , korrupsioni nuk është ndal por janë ndërru njerzit që i përfitojnë.

Gazeta Fjala: Gropat e komunës se Prishtinës para disa muajve i morrën jetën dy fëmijëvë. A duhet të jetë kjo një përgjegjësi e kryetarit të Komunës apo duhet të mjaftohemi me dorëheqjen e Xhelal Sfeclës?

Lirak Çelaj: Dorëheqja është  vetëm një akt moral, që nuk të zhvesh qoftë nga përgjegjësia penale, ne nuk kemi dashur të bëjmë debat të madh me këtë rast, të politizojmë këtë fatkeqësi të njerzve, se nuk dojmë që mbi viktimat të bëjmë politikë ditore, ne që disa herë si parti demokratike politike kemi tërheq vëmendjën që ekzekutivi nuk po i vë rend sigurisë publike në vendpunishte, punët që kryhen nga Komuna ose ndërrmarrjet Komunale, qoftë në vendpunime private dhe kemi tërhjekur vërejtjën disa herë për këtë çështje dhe jemi injoru. Në këtë rast, ka pas kërkesë të qytetarëve është paraljamëru mosveprimi është krim edhe ma I madh. Dikush duhet të jap përgjegjësi penale, për këtë punë duhet të shkohet edhe te kryetari të jap përgjegjësi.

Gazeta Fjala: A ka ende gropa në kryeqytet?

Lirak Çelaj:Besoj që ka ende vende të rrezikshme në  Prishtinë, ne i shohim vazhdimisht nëpër vendpunime ose vende të caktuara, nuk duhet të jetë gropa gjithmonë shumë e madhe për të qenë e rrezikshme edhe në qendër kemi pa gropa që kanë mundur të jenë gjysmë metri, pra Inspektoriati nuk I kryen punët mirë.

Gazeta Fjala: Sipas jush, cilat janë të arriturat dhe dështimet më të mëdha të Shpend Ahmetit në Prishtinë?

Lirak Çelaj: Jom mundu edhe kur rri me njerz tjerë I pyes tregoni cka mendoni cila është e arritura se ndoshta jom verbu pasi jam në opozitë, nuk e di nëse dikush ka ditë me I përmend dy tri të arritura të tij, krejt cka ka ndodh është një plogështi, një ashpërsim një rritje tensioni mes subjekteve duke mendu ta bëj komunën në shfrytëzim të subjektit të cilin ai e përfaqëson. Komunën e ka shndërru në njëfarë shtabi të Vetëvendosjës, ku organizohen protestat, ku më shumë merren me tema tjera se sa me zhvillimin e Prishtinës, ku ngecjet e tij përpiqet t’ia atribuoj dikujt tjetëër, kur thotë se ne po e bllokojmë dhe se jep asnjë dëshmi,përveq deklaratës se dikush po e pengon, po kur je në pushtet kjo nuk është justifikim, i ke të gjitha mjetet për të zhblloku dhe ai nuk e bën asnjë përpjekje për të zhbllokuar situtata nëse ka pas të tilla. Nuk shoh ndonjë progres, përveq moszgjidhjës së problemeve.

Gazeta Fjala: Një nga të arriturat që më së shpeshti i janë përmendur z. Ahmeti ka qenë ndalja e ndërtimeve pa leje. Ka pasur zëra të cilën kanë thënë se në Prishtinë ekziston “mafia e ndërtimit”. A ka pasur dhe a ka në Prishtinë të ashtuquajtur mafi të ndërtimit?

Lirak Çelaj: Besoj që ka mafia të ndërtimit unë thash që vetëm jon ndërru klientët, përpara kanë qenë tjerë ndërtues tash janë varësisht kush cilit subject e financon, ndërtim pa leje bëhet sot e kësaj dite edhe ata e dinë mirë ku jon ato ndërtime pa leje dhe nuk kanë ndërhy a kanë pëërmend ata ndonjëherë ndonjë statistikë sa ndërhyrje kanë ba për me i ndal këto ndërtime, kjo është dëshmia e madhe. Saherë iu shtron pyetjet thonë Prishtina ka mbi 40 mijë ndërtime pa leje, prej 99-tës, deri tash i ka 40 mijë. Në kohën kur e kanë marrë këta pushtetin trendi i ndërtimeve ka qenë goxha i ulët most ë them, në përfundim e sipër, dhe jo si meritë e ndonjë qeverisje komunale, por përshkak të ligjit për legalizim i cili ka hy në fuqi dhe ka leju që e ka qit një afat që deri më 1 gusht të vitit 2014 merren parasysh ndëritmet për tu legalizu . Kjo është manipulimi që Shpend Ahmeti bën me media.

 Gazeta Fjala:  Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti por edhe vartësit e tij janë parë mjaft të angazhuar në cështjet politike të vendit, më konretisht për Gjykatën Speciale dhe tani kunder marrëveshjeve të Kosovës të arritura në Bruksel. Si e vlerësoni ju këtë?

Lirak Çelaj: Vet fakti që ai merret me problemet e tjera dhe jot ë tij, kush po zgjidhet në Greqi, kush cka po ndodh këtu domethanë ai  edhe ka dal në protesta kur është shkatërru qyteti, ai në vend se tin dal ai ka marrë pjesë në shkatërrimin e qytetit dhe tregon se nuk e ka pas vëmendjën në qytetin e Prishtinës, është vu në agjendën e subjektit të tij politik, por edhe të ambicieve të tij  që ka fillu ti shpreh ma haptas siq kishte bërë edhe kryeministri Isa Mustafa, që përdorte komunën për ti arritur qëllimet e veta, pra po sakrifikohet Komuna e Prishtinës, me ambiciet personale të kryetarve.

 Gazeta Fjala: Gjatë fushatës zgjedhore ishte premtuar se Komuna e Prishtinës nuk do të nënshkruajë kontrata me kompani të cilat janë nën hetime nga organet e drejtësisë. A është përmbushur ky premtim?

Lirak Çelaj: Unë mendoj që ligji e rregullon këtë punë. Kompanitë të cilat janë të përfshira në afera jom mos me vazhdu me bashkëpunu. Kryetari po e merr rolin e gjykatësit, ai nuk ka të drejtë ta shpall dikënd të fajshëm, është gjykata ajo që e shpall fajësinë ku ndëshkohet shkelja ligjore. Kjo është shkelje flagrante sepse janë gjykatat dhe institucionet tjera që merren me këtë.

Gazeta Fjala: Shpend Ahmeti, kishte bërë disa herë thirrje që të shpallen zgjedhjet për asamblenë komunale të kryeqytetit. A mendon se do të mund të fitonin më shumë asamblistë se sa që kanë tani?

Lirak Çelaj: Ata do të humbin vende në asamble, me sjellje e menaxhimin që e kanë baa i këtë punë e ka ba vetëm për të fitu kohë, në raport  me ndërrmarjet publike që i ka humb nga asambleja, gjithë këtë lojë  e ka bërë në këtë bazë. Ne i kemi thënë nëse mendon që jeni  edhe më i fortë  jep dorëheqje, por hyn në garë edhe për kryetar edhe për asamble, ka gjasa që të mos i fitoj zgjedhjet në Prishtinë. Nuk e ka pranuar këtë ofertë.Dhe vetëm nëse I është tekur atij që të shkoj në zgjedhje nuk e malltretojmë qytetarin.

Gazeta Fjala: Ju keni nënshkruar vendimin që lejon trajtimin mjekësor të Sabit Gecit jashtë shtetit. A ndiheni përgjegjës nëse ai nuk kthehet në burg?

Lirak Çelaj: Është një proces krejt tjetër ska lidhje me Komunë.  Gjithcka është publike. Është një process ligjor që është ndërrmarr dhe nuk është rasti i parë që vepron kështu se ligji e sheh kështu se mu mka autorizu ministri Hajredin Kuqi, nuk e kom ba krye në veti, është formal. Nuk jam mjek për të dit a është i sëmurë është problem në ligj./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/intervistelirak-celaj-ahmeti-e-ka-shnderruar-komunen-ne-shtab-te-vv-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala