Intervistë|Flet shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin: Pa ne institucionet e Kosovës nuk do të ekzistonin  

Autori:Avdyl Pajaziti

Ka më shumë se një muaj në Kosovë por vendi i ri ku është caktuar të punoj duket se nuk dallon shumë me vendlindjen që ka lënë, Afghanistanin.

Në rrëfimi e parë për medie, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin tregon se të dyja vendet kanë kaluar nëpër histori të ngjashme të konflikteve të përgjakshme, sado që dallojnë dhe janë mijëra kilometra larg nga njëri tjetri.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Tanin flet për situatën nëpër të cilën po kalon Kosova, nga prizmi i një zyrtari neutral i Kombeve të Bashkuara.  Ai flet për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për bllokadën në Kuvendin e Kosovës, e për alternativat e daljes nga kjo situatë.

Por, Zahir Tanin thotë se UNMIK ka dhënë kontributin më të madh për krijimin e institucioneve të Kosovës. Madje ai shprehet i bindur se pa UNMIK nuk do të ekzistonin këto institucione.

“Ka qenë një kohë kur UNMIK-u ka ndihmuar Kosovën për ndërtimin e institucioneve të veta. Pa UNMIK-un, institucionet që keni këtu nuk do të ekzistonin”.

Megjithëse institucioni i UNMIK-ut në Kosovë gati është harruar, i dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, në këtë intervistë flet edhe për marrëdhëniet  me liderët politik të Kosovës si dhe për politikën e jashtme të shtetit në të cilin ende thotë se është në fuqi rezoluta 1244.

Gazeta Fjala: Cili është dallimi mes Kosovës dhe Afganistanit?

Zahir Tanin: Rajone të ndryshme të botës kanë historinë e tyre. Por jetojmë gjithashtu në një botë të globalizuar sot dhe jemi të lidhur në bazë të vlerave, problemeve dhe mënyrën se si i përgjigjemi këtyre çështjeve.

Por janë disa pjesë të botës, ose për shkak të gjeografisë ose të kaluarës historike dhe ndikimit të të dyjave, gjeografisë dhe historisë duket që fati dhe eksperienca e tyre mund të jetë e njëjtë.

Historikisht Afganistani ka qenë në një rrugëkryq për në Azi kështu që nëse në kohët e vjetra ndonjë perandori apo forcë ndërkombëtare dëshironte të arrinte Indinë apo Azinë Qendrore apo të shkonte në Perëndim, duhej të kalonin përmes Afganistanit.

Kështu Afganistani shumë herë për fuqitë perandorake, për fuqitë e mëdha nuk ishte destinacion, ishte një shteg për të kaluar. Kjo është përse shohin shumë gjurmë të shumë civilizimeve në Afganistan.

Gjurmët e Budizmi, gjurmët e civilizimit grek, Islami erdhi në Afganistan. Madje edhe në kohën tonë, në kohën time kamë parë Invazionin Sovjetik në Afganistan, i kamë parë disa valë të luftës civile, kamë parë përfshirjen e shteteve fqinje në luftëra të nxitura nga fuqitë e mëdha në një mënyrë apo tjetër, gjithashtu kamë përfaqësuar Afganistanin në një kohë shumë të rëndësishme kur komuniteti ndërkombëtar, NATO, Kombet e Bashkuara provuan të ndihmonin në rindërtimin e vendit pas konfliktit të gjatë e shkatërrues.

Afganistani gjithashtu është vend malor. Malet i mbrojnë komunitete, por gjithashtu i ndajnë njerëzit. Malet gjithashtu e bëjnë të vështirë për kombet e vogla të bëhen shtete kombe sepse komunitetet jetojnë në fshatra të ndryshme dhe në vende të ndryshme të ndarë nga malet.

Në kombinimin e Gjeografisë dhe Historisë nga ajo që unë shoh në Afganistan, gjithashtu ka të bëj me atë se si konflikti i kalit njerëzit. Në Afganistan kemi parë psikologjinë e thirrjes “fal por kurrë mos harro”, kur njerëzit dalin nga konflikti.

Gjithnjë kemi parë se njerëzit që janë kalitur nga konfliktet, ata që kanë vuajtur e kanë përjetuar dhembje ata  kanë zhvilluar në veten e tyre aftësinë për tu përballur me pasojat.

Kanë mësuar sot ë vendosin paqe, si të punojnë me njëri-tjetrin, me përfaqësues të feve të ndryshme, me grupe të ndryshme etnike. Kështu, kur përfundoi lufta, çfarë kam parë në Afganistan, njerëzit e kishin qenësore kuptimin e nevojës së kthimit përsëri bashkë. Sepse ishte vendi i tyre, është kombi i tyre, është e ardhmja dhe kështu vendi ka mbijetuar në shumë konflikte, shumë luftëra dhe shumë agresione perandorake.

Gazeta Fjala: A e shihni të njëjtën gjë në Kosovë?

Zahir Tanin: Në asnjë rast ju nuk duhet ta shihni një vend tjetër nga prizmi i eksperiencës së tjetrit. Por, mendoj se Ballkani në përgjithësi dhe Ballkani perëndimor gjithashtu kanë kaluar nëpër luftëra. Ballkani gjithashtu u pushtua nga perandori të ndryshme dhe komunitetet e tyre vazhduan të jetojnë dhe të mbajnë ekzistencën dhe identitetin e tyre. Edhe pse ishin të ndarë nga lufta ata ishin në gjendje të punonin me njëri tjetrin. Kështu, çfarë shoh të përbashkët, është aftësia e të dyja popujve në Kosovë e Afganistan e në këtë rajon e në atë rajon, gatishmëria e tyre për ta rindërtuar jetën e tyre.

Shoh gjithashtu një ngjashmëri tjetër, se çfarëdo që ka ardhur dhe ju ka lënduar, ekziston një gatishmëri e njerëzve që ta kuptojnë të ardhmen.

Po kur vjen të situata reale me të cilën përballemi në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkanin perëndimor unë nuk dua të shohë sikur që ka ndodhur në Afganistan. Janë dy vende të ndryshme. Janë histori të ndryshme. Por, konflikti nëpër të cilin ka kaluar ky rajon ka qenë njëri nga konfliktet më të mëdha e më të përgjakshme. Në Azi gjithashtu, konflikti më i përgjakshmi, më i gjati e më vështiri ka qenë Afganistani.

Kështu, këtu do të doja ti shihja gjërat në prizmin e eksperiencës së vet rajonit dhe do të doja të kuptoja jo përmes mendjes sime në bazë të rajoneve tjera që njoh por përmes eksperiencës së vetë këtij rajoni.

Gazeta Fjala: Çfarë po bën UNMIK-u në Kosovë, pasi jo të gjithë qytetarët e kuptojnë tani rolin e UNMIK-ut?

Zahir Tanin: UNMIK-u po e bënë atë çfarë ka qenë duke  e bërë për 16 vite, që nga viti 1999. Fokusi ka ndryshuar me zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Unë e barti me vete gjithnjë kartën (Statutin) e Kombeve të Bashkuara, në bazë të së cilit më duhet të punoj. Pra, ne jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara janë krijuar siç shkruan edhe në preambulën e kësaj karte, “për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga goditja e luftës, e cila dy herë në jetën tonë ka sjellë pikëllim të pallogaritshëm për njerëzimin”.

UN është për ti shmangur luftërat, të vendos dhe të promovoj paqe, të drejta të njeriut, drejtësi dhe respekt që dalin nga traktatet dhe ligjet ndërkombëtare, të promovoj progresin social dhe të praktikoj tolerancë dhe si të jetohet bashkërisht në paq, si dhe të bashkoj njerëzit. Të mirëmbaj paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për këtë është UN.

UNMIK-u nën rezolutën 1244 është këtu për të ndihmuar njerëzit, të kontribuoj në paqe të qëndrueshme, stabilitet, të drejta të njeriut dhe për të sjellë besim dhe bashkëpunim ndërmjet komuniteteve.

Kjo është ajo çfarë bëjmë, pavarësisht kush është i dërguar special i sekretarit të përgjithshëm. Ka qenë një kohë kur UNMIK-u ka ndihmuar Kosovën për ndërtimin e institucioneve të veta. Pa UNMIK-un, institucionet që keni këtu nuk do të ekzistonin.

Është koha tani që ne po provojmë ti ndihmojmë institucionet, ti ndihmojmë komunitetet, njerëzit që të arrijnë paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet.

Gazeta Fjala: Sa staf keni dhe sa para shpenzoni për misionin në Kosovë?

Zahir Tanin: Në kohën kur ka filluar UNMIK-u kanë qenë mijëra njerëz që kanë punuar për UNMIK-un, tani ndoshta janë qindra. Ka qenë një kohë kur dhjetëra mijëra ushtarë janë angazhuar nën mandatin e Këshillit të Sigurimit, por kemi disa mijëra sot. (Në fillim ishin 55.000 ushtarë e sot janë rreth 4.600 ushtarë).

Natyrisht, kur UNMIK-u ka filluar të formoj institucionet, të ndihmoj Kosovën, i janë dashur resurse të mjaftueshme. Por tani fokusi ynë është në monitorimin e situatës, fasilitimin dhe ndihmën ndaj komuniteteve. Pra resurset tona janë në linjë me punën që bënë krahasuar me atë çfarë ka bërë UNMIK-u në vitin 99, apo 2000.

(Numri i përgjithshëm i personelit të UNMIK-ut është 388. Prej tyre 116 janë staf ndërkombëtar, 8 ndërlidhës usharak ndërkombëtar, 8 ndërlidhës policor ndërkombëtar, 27 vullnetarë ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara si dhe 229 staf vendor.

Për sa i përket aspektit financiar, bugjeti i aprovuar për UNMIK-un për vitin 2015/2016 është rreth 40 milion dollarë amerikan.

Gazeta Fjala: A jeni të përfshirë në proceset politike në Kosovë apo vetëm po i monitoroni ato?

Zahir Tanin: Ne përkrahim, procesin kryesor politik, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjithashtu, siç thash ne prezantojmë Kombet e Bashkuara këtu dhe sapo jam kthyer nga New Yourku, ku mora pjesë në diskutimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Pra ne raportojmë tek Sekretari Gjenral, dhe ai raporton për situatën çdo tre muaj.

Situata mbikëqyret nga sekretari gjeneral, këshilli i sigurimit dhe është një nga rolet kryesore që ne luajmë këtu.

Ne gjithashtu po punojmë me komunitete në veri, në Prishtinë e vende tjera, në komuna të ndryshme. Kemi një zyrë ne Beograd. Ne gjithashtu i përkrahim Institucionet këtu përmes lehtësimit. Pra sikur çdo mision tjetër i Kombeve të bashkuara kudo në botë, me qëndrim të veçantë bazuar në rezolutën 1244, ne jemi këtu për ti ndihmuar qytetarët e Kosovës.

Gazeta Fjala: Së fundmi kemi lexuar qëndrimet tuaja kundër dhunës në Kuvendin e Kosovës. Cilat janë kompetencat e SRSG-së për të qenë pjese zgjidhjes së problemit politik dhe bllokadës në Kuvend?

Zahir Tanin: Unë i jam bashkuar të gjithë akterëve ndërkombëtarë këtu prezent, për ti nxitur të gjitha partitë që të punojnë mes vete. Të pajtohen me rendin dhe ligjin, të shmangin taktikat jo demokratike që nuk janë të mira për imazhin e Kosovës dhe nuk janë të dobishme për njerëzit dhe të ardhmen e Kosovës. Ne punojmë këtu bashkë me të gjithë partnerët tjerë ndërkombëtar, Bashkimin Evropian, EULEX-in, KFOR-in dhe vendet tjera që mundohen të ndihmojnë qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe komunitetet e këtij vendi.

Askush, asnjë përfaqësues ndërkombëtar këtu, nga ata që e kanë njohur Kosovën dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nuk janë provuar të ndërhyjnë në marrëdhëniet mes partive, por të gjitha kanë kërkuar që partitë të punojnë me njëra tjetrën.  Një numër i tyre, përfshirë edhe UNMIK-un kanë dënuar përdorimin e taktikave të dhunës në parlament.

Dhe ftesa është që , është në të mirë të Kosovës, në të mirë të njerëzve këtu, që të gjejnë mënyra demokratike për tu përballur me çështjet.

Roli ynë duhet të shihet përbrenda komunitetit të madh ndërkombëtar, por Kombet e Bashkuara janë në favor të gatishmërisë për reflektim të të gjitha vendeve anëtare dhe  këtë e keni parë në Këshillin e Sigurimit ku ne i kemi kërkuar të gjitha palëve që të gjejnë mënyra se si të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë.

Gazeta Fjala: Nuk ka zgjidhje nga UNMIK-u?

Zahir Tanin: Nuk jemi në gjendje të japim zgjidhje. Ne nuk udhëheqim me Kosovën. Ne punojmë në bazë të rezolutës 1244 dhe kemi status neutral të caktuar nga Sekretari Gjenral dhe po mundohemi ti ndihmojmë institucionet e Kosovës dhe i përkrahim proceset politike këtu.

Gazeta Fjala: Situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës ka të bëjë me Marrëveshjet me Serbinë. A mendoni se këto marrëveshje do të ndikohen nga mosfunksionimi i Kuvendit?

Zahir Tanin: Unë kam takime me udhëheqësit këtu në Kosovë, siç ka qenë rasti me Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Mustafa, Kryetarin e Kuvendit Veseli, me përfaqësues të shoqërisë civile, dhe po ashtu jam takuar edhe me zyrtarë të lartë të Beogradit.  Qëndrimi i Sekretarit Gjeneral, i Kombeve të Bashkuara dhe i UNMIK-ut, është se normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit është tejet i rëndësishëm për të ardhmen, për paqen dhe stabilitetin.  Ne e përkrahim këtë proces.  Natyrisht, ne nuk dëshirojmë që të paragjykojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.  UNMIK dhe OKB, dhe po ashtu në përgjithësi qëndrimi I bashkësisë ndërkombëtar është se ky dialog ka të bëje me gjetjen e zgjidhjeve së bashku për të ardhmen, dhe se ky dialog mund të jetë i suksesshëm.

Gazeta Fjala: Pjesë e dialogut është edhe marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.  Cili është opinioni i juaj lidhur me këtë?  A mund të konsiderihet kjo si një lloj garancie për serbët dhe një fillim për një jetë më të mirë për ta?

Zahir Tanin: Lidershipi në Beograd dhe Prishtinë ka gjetur mirëkuptim dhe kanë arritur marrëveshjen, dhe këto negociata janë ende duke vazhduar.  Dhe ky është njëri nga elementet e asociacionit.  Natyrisht kjo është diçka që duhet të përkrahet edhe nga parlamenti. Dhe parlamenti duhet të veprojë [dhe ju e dini] që presidentja e ka dërguat këtë në Gjykatën Kushtetuese.  Ne punojmë me të gjitha komunitetet dhe besojmë se duhet të gjejmë mënyrën se si komunitetet të bashkëpunojnë mes vete.  Marrëdhënia në mes të komuniteteve është njëra nga çështjet që na preokupon neve.  Ne po ashtu kemi edhe rolin e lehtësuesit me të gjitha komunitetet, në veri por edhe në jug.  Ne punojmë me komuna për të ndihmuar që këto rajone të jenë më stabile dhe të punojnë së bashku.  Pra, unë mendoj që UNMIK-u, sikurse edhe akterët e tjerë ndërkombëtarë këtu, dëshirojnë të shohin se si Prishtina dhe Beogradi janë duke implemenatur marrëveshjet. Kjo është po ashtu çështje e rëndëishsme edhe për Këshillin e Sigurimit dhe në përgjithësi komunitetin ndërkombëtar.  Nga takimet të cilat i kam pasur me liderët në Prishtinë dhe Beograd, unë kuptoj se këta liderë e përkrahin dialogun dhe se janë të gatshëm që të vazhdojnë me dialogun.

Gazeta Fjala: Ka përkrahje për dialogun, por jo për këtë marrëveshje, së paku jo për një pjesë të marrëveshjes për asociacionin…

Zahir Tanin: Parlamenti do të duhet që të vendosë për këtë dhe para se të vijë kjo çështje në parlament, Gjykata Kushtetuese duhet që të japë verdiktin e vet që rrjedhimisht do të mundësonte parlamentit që të marrë vendimin.  Ajo çfarë unë them është se kjo është marrëveshje e arritur në këto negociata.  Ne jemi duke e monitoruar situatën, po e shikojmë me kujdes situatën, se si të dy palët, Prishtina dhe Beogradi janë duke u përballur me atë se çfarë janë marrë vesh.

Gazeta Fjala: UNMIK-u është, nëse mund të them, aktori kryesor i përfshirë në pjesën veriore.  Si e shihni ju situatën atje: si jetojnë serbët atje? A janë ata të sigurt?

Zahir Tanin: Ne nuk jemi në veri për të punuar me vetëm një komunitet por me të gjitha komunitetet.  Ky është qëllimi ynë.  Ka shumë çështje konkrete që janë të rëndësishme për krijimin e besimit, për bashkëpunimin në mes të komuniteteve, qofshin këto çështje për personat e zhdukur, pronat, rikthimin e njerëzve, mirëqenien e tyre, dhe zgjidhjen e konflikteve.  Është po ashtu e rëndësishme se si komunitetet në veri mund të punojnë së bashku dhe mendoj që ka qenë shumë kohë më parë koha kur një pyetje e tillë mund të ngritje.  Fokusi ynë është se si komunitetet punojnë së bashku dhe të adresojmë këto çështje dhe të ndijojmë në këtë proces.

Gazeta Fjala: Cilat janë çështjet më të rëndësishme që i preukopon komunitet në veri? Papunësia, siguria…?

Zahir Tanin: Nëse flasim përgjithësisht, në Prishtinë dhe Kosovë është e rëndësishme të shohim se si në fakt funksionojnë institucionet,  se si do të përmirësohet gjendja ekonomike, se si sundimi i ligjit është forcuar.  Ne e çmojmë progresin që është arritur në këto 16 vitet e fundit.  Për njerëzit në përgjithësi, por edhe për ata qe jetojnë në veri, papunësia sidomos tek të rinjtë mbetet çështje ende e rëndësishme.  Po ashtu është e rëndësishme të shohim se deri në çfarë shkallë mund të përmirësojmë nivelin e tolerancës dhe bashkëjetesës.

Gazeta Fjala: Si i vlerësoni marrëdhëniet tuaja me liderët politik të Kosovës?

Zahir Tanin: Siç thashë edhe më lartë, unë kam takuar presidenten e vendit, kryeministrin, kryetarin e kuvendit, dhe dje kam pasur takim me myftiun e Kosovës dhe At Savën.  Unë kam pasur rastin të takojë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.  Në këto takime kemi diskutuar për nevojën për paqe, stabilitet, dhe progres.  Unë mendoj që ka nivel të lartë të mirëkuptimit.  Unë jam falënderues për të gjithë liderët që janë të gatshëm për bashkëpunim.  Unë besoj që Kosova mund të përfitojë nga prezenca e UNMIK-ut këtu.  Ne nuk jemi këtu vetëm për të raportuar por të shikojmë situatën dhe jemi këtu për të lehtësuar dhe punuar me institucionet dhe komunitetet.

Gazeta Fjala: Cili është roli I UNIKU-t në politikën e jashtme të Kosovës?  A mundet UNMIK që të lobojë për njohje të reja të shtetësisë?

Zahir Tanin: Pas vitit 2008, Kombet e Bashkuara kanë vendosur që UNMIK-u të ndjekje politikën që e sheh si neutral statusin e Kosovës. Ne e çmojmë partneritetin që institucionet e Kosovës kanë ndërtuar me komunitetin ndërkombëtar.  Por krejt çfarë bëjmë është brenda rezolutës 1244 dhe me qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.  Në të njëjtën kohë, ne shohim çfarë mund të bëjmë këtu për lehtësimin dhe ndihmën në zhvillimin e kapaciteteve të institucionet si pjesë e ndihmës që në I ofrojmë popullit të Kosovës.  Pra, ne shohim se si mund të përmirësojmë standardin ekonomik, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut. /Gazeta Fjala/

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/intervisteflet-shefi-i-unmik-ut-zahir-tanin-pa-ne-institucionet-e-kosoves-nuk-do-te-ekzistonin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala