Intervistë|Fisnik Ismaili, deputeti i vetëm me biçikletë

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjithmonë me syze të errëta, e mjekër të zezë të theksuar. Dikur kishin problem ta arrestonin pesë policë, e sot vetë ka probleme me Kadri Veselin e Berat Buzhalën, që të dy nuk arrijnë peshën e tij. Ky ishte Fisi i protestave të disa viteve më herët, në të cilat shtrinte “dhjamin” në asfalt.  Por, ai tani ka ndryshuar. Ka vendosur t’ia bëj vetes jetën më të lehtë, por edhe t’ia lehtësoj peshën biçikletës. Ka humbur më shumë se 35 kilogram në disa muaj, e tani mbi vete bartë vetëm 130 kile. Fisnik Ismaili, deputeti më i pazakontë i Kuvendit të Kosovës, në një intervistë për Gazetën Fjala ka rrëfyer detaje interesante nga jeta e tij personale, puna që bënë si deputeti i Kosovës e edhe si biznesmen. Ai treguar se me kënd nuk ka dëshirë te takohet kurrë e kënd e ka mikun me të mirë.

“Jam njeri që njihem se nuk di ta ruaj paranë, por kohës së fundit më ka bërë më të kursyer humbja e peshës. E bëj edhe për shëndet, edhe për të kursyer”, nis rrëfimin  Ismaili për Gazetën Fjala.

Qytetarët, tani janë mësuar me Fisin që endet me biçikletë. Por, kolegët deputetë e shohin shpesh si “prishës të planeve”, kur kalon para tyre nëpër trafik .

Bile sipas tij disa nga deputetët e Kosovës nuk mund ti paramendoj edhe duke vozite biçikletë. Për Azem Sylen thotë se ka filluar të plakët edhe nuk mund t’i hip këtij mjeti.

“I ka ba do vjet edhe ai” thotë Ismaili teksa qeshet.

E për të vozitur biçikletën në Prishtinën që drejtohet nga bashkëpartiaku Shpend Ahmeti, edhe Fisi e pranon që është e vështirë.

“Herë rrugëve e herë trotuarëve duhet me vozitë. Por, Shpendi e ka planin për të rregulluar një shteg të gjatë”.

Por, për të vozitur, nuk është problemi i vetëm i biciklistëve. Për ta parkuar është edhe më problem.

“Unë e lë tek një shok në një lokal. Pak prej frikës që ma vjedhin, pak për ta pasur zgjedhjen ku ta lë nëse ndonjë ditë s’kam takat me i hyp biçikletës” thotë Ismaili teksa mban stomakun e gjerë me duar, për të treguar peshën.

Dy rrotëshin e tij e vozitë me dëshirë potencon Ismaili, e në ndërkohë u propozon kolegëve të tij ta bëjnë këtë e t’u ikin “xhipave”, pasi, siç thotë ai, nuk është privilegj të jesh deputet.

“Ne jemi si të tjerët. Rastësisht ka qëlluar ta kemi zërin ma të naltë, e po dukemi ma të rëndësishëm” thotë Fisi, si shakaxhi i shquar.

Me gjithë synimet që biçikletën ta përdorë çdoherë, atij i duhet ta vozisë edhe makinën për punë. Deputeti më i gjatë i Kuvendit të Kosovës vozitë makinën Passat, të vitit 2006, e cila është me tabela dhe timon anglez.

444

Dostat e Fisit

Angazhimi në politikë dhe puna prej reklamuesi, e kanë bërë që të shoqërohet me shumë njerëz. Por, Fisi i shquan si më të afërmit ata që bashkëpunon tani në politikë: Shpendin, Dardan Sejdiun, Puhie Demakun, Aida Dërgutin e shumë të tjerë.

E siç tregon ai dostin më të mirë e ka Shpendin.

“Me Shpendin na lidhin ma shumë sene se me të tjerët. Atë e kam dostin më të mire në VV”.

Nuk ia zgjatë dorën, Berat Buzhalës

Me gjithë shoqërinë e shumtë, i ka disa që nuk do donte të takohej ndonjëherë. Rastësia i ka takuar me Beratin para disa ditësh, por problemet e mëhershme, nuk e kanë lejuar që t’i flasë as tash, por as më herët.

“U takova në rrugë para disa ditësh me të, po nuk kemi fol. Bile, as nuk ia kam zgjatë dorën kur kemi qenë në një emision më herët”.

Për të thotë se nuk i flet, pasi ka shpifur për babanë e tij, për të cilin rast janë në gjykatë.

Me Thaçin s’do ta harxhonte as edhe një sekondë

Edhe pse dikur ka marrë tenderin e “New Born-it” nga ai, tash nuk ka kontakte me Thaçin. Nga ajo kohë është takuar me të dy herë, vetëm se këto takime kanë qenë jo të këndshme sipas tij.

“Dy herë jemi takuar, e herën e fundit jemi kacafytë keq me fjalë. Tash me të s’do ta harxhoja as edhe një sekondë”.

E, në listën e njerëzve që nuk i ka në qejf, hynë edhe Shaip Muja. Për të thotë se nuk do të mund të qëndronte asnjëherë në një tavolinë.

“Më ka thirr me pi kafe, por dëshira ime ka munguar. Ai insistonte, derisa i thash se mos ka nevoje t’ia vizatojë që dëshira mungon” ka thënë duke qeshur Ismaili.

11950758_10207584361591446_203812166_n

Pse shanë Fisi?

“Kush shanë?. Kurrë. Pa më sha, unë nuk shaj” ironizon profesori i Multimedias në Universitetin privat – AAB.

Më tutje, ai bën krahasime mes nesh dhe amerikanëve, duke aluduar në përdorimin e gjuhës së shtuar vulgare të fytyrave publike në Amerikë. Ai thotë se ne as afër nuk jemi me civilizim e atyre.

Fisin e kanë votuar njerëzit, ekskluzivisht për gjuhën që përdorë, e sipas tij, i kanë kërkuar premtimin se nuk do ndryshoj as në Kuvend.

Ish-asamblistit të VV-së në Prishtinë, i pëlqen të konfrontohet me komentues në Facebook.

“Njerëzit shpesh hynë tek komentet e mia, veç me qeshë e m’e u knaqë” thotë Fisi, teksa vazhdon të qeshet, kur i përmend disa raste që me qëllim nuk i replikon, për arsye që sipas tij  se disa synojnë të arrijnë vëmendje në komente.

Din të jetë edhe racional

Me gjithë rastet kur është më i paparashikueshëm, Fisnik Ismajli, tregohet më racional se bashkë-partiakët e tij kur kritikonin bllokimin e Prishtinës nga veturat në kohën e Isa Mustafës. Ai duke lëvizur duart rreth kokës, thotë se kush ka qenë në ndonjë shtet tjetër të Evropës, mund ta kuptoj që çdokënd ka trafik të dendur.

“Pa jetu në Londër e me përjetu ‘Rush hour’, ku lëvizë vetëm 20 metra për 1 orë e gjysmë, nuk mundesh me kuptu çka është bllokimi në trafik” thotë Ismaili.

Si deputet i ri i Kuvendit të Kosovës, i ka vënë vetes synimin për të dhënë shembuj të mirë për deputetët “tradicional” të Kuvendit: duke dhënë kontribut në debate, por edhe jashtë godinave të Parlamentit.

E shembuj të tillë si i Fisit, gjejmë shpesh nëpër botë. Një i tillë vjen nga Britania., nënshtetas i të cilës është edhe vetë Fisi. Deri vonë, kryeministri britanez, David Cameroon, udhëtonte me autobus publik për në punë, dhe nga puna në shtëpi, duke mos dhënë përshtypjen që është kryeministri i një vendi si Britania./Gazeta Fjala/.

33

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/intervistefisnik-ismaili-deputeti-i-vetem-me-biciklete/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala