Intervistë|Avdullah Hoti: Askujt nuk do t’i zbritet paga

Autori:Gazeta Fjala

Numri një i financave të shtetit, Avdullah Hoti ka para vetes sfidën më të madhe në karrierë. Në njërën anë i duhet t`i siguroi qindra milionë euro për t`i paguar mbi 46 mijë veteranëve të luftës e në anën tjetër rrezikon të humbë afro gjysmë miliardi euro për të financuar projektet kapitale nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Hoti shpalosë planet për ndryshimet fiskale, efektet që do të ketë ligji i pagave tek 80 mijë të punësuar në sektorin publik e shpenzimet në rritje të buxhetit të shtetit.

Ai ka siguruar po ashtu se nuk do të ketë ulje të pagave për asnjë kategori.

“…edhe në bazë të ligjeve ekzistuese ne jemi të detyruar që të ruajmë pagën bazë që është deri tash. Askujt nuk do t’i zbritet paga”, tha ai.

Gazeta Fjala: Qeveri e Kosovës proklamon si të arriturën më të madhe deri tani pakon fiskale të miratuar vitin e kaluar. Cilat janë efektet e ndyrshimeve në pakon fiskale?

Avdullah Hoti Ne kemi filluar ndryshimet fiskale që kanë hyrë në fuqi në shtator të vitit të kaluar, pakoja fiiskale është mjaft komplekse por unë i kisha veçuar dy elementet kryesore. E para është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe komponenta sociale. Heqja e TVSH-së për importin e makinerive, lëndën e parë, paisjeve tjera, rezultatet kanë qenë të dukshme dhe statistikat tregojnë se vitin e kaluar nga shtatori  deri në dhjetor kemi pas të hyra nga imprti i makinerive dhe lëndëve të para afër 6 milion euro. Që i bie subvencionim i qeverisë i drejtëpërdrejtë në investimet private vendore. Ka edhe statistika tjera që e forcojnë këtë, nëse e shohim numrin e investimeve të jashtme janë dyfishu në 2015 me krahasu me 2014, investimet e brendshme janë rritur në 7% që në përgjithësi këto rezultate ia atribuoj ndryshimit të ligjeve fiskale.

Gazeta Fjala: A është përcjell edhe me ndryshime tjera pasi që nuk varet krejt veç prej pakove fiskale, a janë kriju kushte tjera?

Avdullah Hoti Ka pasur edhe ndryshime tjera për shembull shkurtimi i kohës për njohjen e boxhit të keq, në vëtëm 6 muaj, pas gjashtë muaj një kompani që e ka lëshuar një faturë dokument e ska mund të inkasoj atë boxh e ka shpallë si borxh të keq dhe e ka kthy atë dhe plot ndryshime tjera që i ka lehtësu procedurat e interaksionit midis biznesit dhe administratës tatimore. MTI ka dhenë një kontribut të madh në këtë, duke e kriju një ambient më të mirë. Ne e kemi unifiku numrin e regjistrimit të bizneseve përmes qendrës për regjistrimin e bizneseve, administratës tatimore, doganave duke u krijuar një lidhje në këtë drejtim. Por ajo që mbetet sfidë është sundimi i ligjit.

Hapi tjetër është nxjerrja e një udhëzimi për pushimet tatimore që bazohet në ligjin e ri të korporatave e që me atë udhëzim administrativ t`i lirojmë kompanitë e caktuara, nga një shumë e caktuar që investojnë dhe krijojnë vende të caktuara pune. Momentalisht me odat e ekonomike jemi duke i shqyrtuar modalitete, se duhet të caktojmë vlerën e investimeve dhe vende e punës.

Duhet të jemi të kujdesshëm në implikimie buxhetore që mund të krijojnë këto reforma fiskale, pasi që ato që i kemi ndërmarrë në shtator na kanë kushtuar bukur shumë vetëm për importin e makinerive prodhuese dhe lëndës së parë na ka kushtuar afër 6 milion euro më pak për buxhetin e vendit. Unë besoj se këtë e kemi kompenzu me rritjen e të hyrave në vend.

Gazeta Fjala: Po ligji i pagave a do të ketë shkarkim të buxhetit?

Avdullah Hoti: Ligji i pagave lidhet me reformat e administratës, kemi një administratë të konsiderueshme. Janë dikund rreth 80 mijë veta që paguhen nga buxheti i shtetit, duke mos përfshi punëtorët që janë nëpër ndërmarrjet publike. Ligji i pagave që besoj shpejtë do të procedohet po vendosim një strukturë të qartë të skemës së pagave për 80 mijë veta, sepse ne kemi një laramani në sektrin publik sa i përket pagave, njerëzit e njëjtë në strukturën hierarkike paguhen ndryshëm, kanë koeficient të ndryshëm nëpër komuna, ministri nëpër organizatat tjera buxhetore. Mendoj se ky ligj përfundimisht do të vendos rregull në ketë drejtim dhe ne si Ministri e Financave është me e lehtë të bëjmë parashikimin e buxhetit brenda sektorit publik e që tani është rreth 460 milion euro.

Gazeta Fjala: Për ta bërë edhe më të qartë për lexuesit. A do të ketë ulje të pagave?

Avdullah Hoti: Parimi që kemi përgatit për nivelin e pagave është që të bëhet harmonizim dhe standardizim i koeficientëve, pra vlen parimi “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”. Por edhe në bazë të ligjeve ekzistuese ne jemi të detyruar që të ruajmë pagën bazë që është deri tash. Askujt nuk do t`i zbritet paga.

Gazeta Fjala: A karrezik që Kosova t`i afrohet Serbisë ose Shqipërisë për borxhin e publik?

Avdullah Hoti: Sa i përket boxhit publik ne e kemi situatën më të mirë jo vetëm në rajon, momentalisht borxhi jonë është afër 800 milion euro që është rreth 13.5 % e bruto produktit. Shqipëria mbi 70 për qind, sikurse edhe të gjitha vendet në regjion e kanë shumë të lartë borxhin publik.

Ndoshta edhe për shkak të historikut ne e kemi borxhin e ulët. Rregulla fiskale që është vendos në vitin 2013 ka bërë që të ngadalsohet rritja e shpejtë e borxhit publik, pra në baza vjetore nuk mund të rritet borxhi pblik më shumë se 2% të bruto produktit të brendshëm.

Tash e kemi ndryshu ligjin për financat publike bashkë me fondin monetar ndërkombëtar, tash kemi kriju hapësirë shtesë për investime përmes asaj që ne e quajmë klauzolë. E cila na mundëson që ne si qeveri të hym në borxh 10% në banka zhvillimore për të investuar vetëm projektet kapitale. Por duke e parë trendin si po shkon dhe duke e ditë përqindjen e rritjes së GDP-së që i ofrohet 4 për qindëshit edhe vjet edhe sivjet unë jam konfident se përqindja e rritjes së Bruto Prodhimit Vendës do të jetë më e lartë se përqindja e borxhit publik duke e mbajtë borxhin publik në nivelin që është tash ose me një rritje shumë të vogël.

Gazeta Fjala: Në kornizën afatmesme të shpenzimeve parashihen diku 2.3 miliard euro investime në total për projekte kapitale të cilat nuk gjenerojnë kthim në investime. A nuk është kjo pak e rrezikshme?

Avdullah Hoti: Nuk do ta thoja kështu. Ato që jemi dakordu me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë rreth 450 milionë euro investime që duhet të ndodhin përmes klauzolës së investimeve, përmes kredive nga bankat zhvillimore dhe këto janë projekte një pjesë e konsiderueshme në infrastrukturë. Për hekurudha veç e kemi finalizu marrëveshjen, për hekurudhën nga Hani i Elezit deri në Veri në Leshak, që është një projekt, i cili kushton 195 milionë euro, për të cilin 80 milionë euro i kemi kredi. Kemi nënshkru një marrëveshje tjetër prej 29 milion euro për disa rrugë regjionale në Kosovë. Jemi duke i negociu dy projekte të rëndësishme në sistemin e ujitjes.

Pra është kompleks i projekteve që ndikojnë drejt për drejt në zhvillim ekonomik sepse krijojnë vende pune. Projektet në ujitje mund ta dyfishojnë prodhimin bujqësor në vend.

Gazeta Fjala: Në të njëjtën kohë shihet rrijte e shpenzimeve. Qeveria po shpenzon më shumë se që ka para? I qëndron Qeveria me shpenzimet?

Avdullah Hoti: Shpenzimet kanë pak a shumë trendet që kanë pasë përveç shpenzimeve kapitale që po rriten dukshëm. Normalisht kemi pas rritje të subvencioneve, kemi rrit asistencën për 25 përqind  në nëtntor të vitit të kaluar, në tetor kemi fillu me pagësen për veteran 170 euro, në prill të vitit të kaluar kemi rrit pagat me 7 për qind në bazë të përvojës që na ka kushtu rreth 31 milionë euro. Gjatë këtij viti kemi rrit pensionet për 42 mijë pensionistë kontributdhënës. Pra ka rritje në disa kategori, por si shpenzime publike hiq këto shpenzime për rritje të përfitimeve të grupeve të caktuara shpenzimet tjera janë nën kontrollë. Bile unë jam komod shpenzimet po menaxhohen ndërkohë që kemi rritje shumë të madhe të të hyrave. Vitin e kaluar e kemi përmbyll me afro 10 përqind me më shumë të hyra se sa viti 2014, me 115 milionë më shumë nga ATK dhe në pesë muajt e parë të këtij viti kemi mbledhur rreth 71 milionë euro më shumë se në pesëmujorin e parë 2015.

Gazeta Fjala: Megjithatë në tremujorin e parë të 2016 shihet një tendencë në rritje për shpenzime luksi?

Avdullah Hoti: Mund të duken aty këtu nëpër ndonjë organiztaë buxhetore, por marrë si total nuk ka ndonjë ndryshim në krahasim me vitin e kaluar. Po vazhdon me mbizotëru disiplina fiskale që kemi vendos në vitin 2015.

Është çështje e planifikimit të secilës komunë, secilës ministri. Nuk ka ndonjë shqetësim po menaxhojmë shumë mirë rrjedhën e keshit.

Gazeta Fjala: A do të krijoj telashe në mbushjen e arkës së shtetit bashkimi i Doganës me ATK-në?

Avdullah Hoti: Aspak. përkundrazi. Ne jemi vend i vogël me dy administrata. Bashkimi i këtyre dyjave do të krijoj një klimë shumë më të mirë edhe për bizneset. Do të kenë një adresë bizneset. Kemi marrë një reform të plotë të të gjitha procedurave me të cilat kanë punë bizneset me administratën tatimore dhe doganën dhe besoj se ky do të jetë një proces i implementuar letësisht sepse kemi qenë të kujdesëshëm në dizajnimin e tij.

Ligji po mbështetet edhe nga ekspertët ndërkombtar edhe nga ambasada britanike. Jemi ekstrem të kujdesshëm që gjatë procesit të bashkimit të mos rrezikohet fare procesi normal i punës në administrat tatimore dhe dogana. Zyrtarët doganor dhe tatimor i kemi siguru gjatë këtij procesi se pozita e tyre materiale do të përmirësohet nuk do të ketë ndryshim koficienti. 90 përqind e punëtorëve do të kryejnë prap punën e njejtë. Kam dhënë zotim me shkrim se paga e askujt nuk do të preket.

Gazeta Fjala: Çfarë do të ndodhë me mekanizmat e kontrollit pasi tani kemi ankesa të mëdha sidompos për inspektorët tatimor?

Avdullah Hoti: Nuk është se do t`i forcojmë mekanizmat e kontrollit. Do t`i integrojmë dhe kur t`i integrojmë krijohet ajo lidhja e pashkëputur prej momentit kur hynë malli deri të konsumatori. Do të mbikqyren nga të njëjtit zyrtar. Tash është agjenci tjetër, dogana, që merret me tatimet doganore, mbledhjet e akcizave, TVSH-së në kufi, dhe mandej është  administrata tatimore që merret me tatimin e brendshëm, dhe çështjet tjera. Tash do të krijohet një agjenci. Tash secili person ka punë me së paku dy zyrtarë. Tash do të ketë punë me vetëm një person.

Gazeta Fjala: A ju ka vu në pozitë më të vështirë në raport me FMN-në, numri i madh i veteranëve?

Avdullah Hoti: Tash ne jemi në një situatë të re realisht. Planifikimet tona për këtë vit dhe më duhet ta them këtë, të dakorduara me shoqatën e veteranëve të luftës kanë qenë për 12 mijë deri në 13 mijë veteran. Kostoja e tyre është planifikuar 25 milionë euro. Në konsultim me ta ne kemi vendos që përfitimi të jetë 170 euro.

Të dhënat e fundit tregojnë që kemi 46 mijë e 230 veteranë të luftës pa përfshi invalid dhe kategori të tjera që është katërfish më shumë që është menduar  fillimisht.

Kjo na ka sjell në një pozitë të vështirë realisht, sepse kostoja për veteran të luftës nënkupton se është katërfishuar. Shkon afër 100 milionë vetëm për veteranët e luftës.

Besoj se duhet të ulemi bashkë me shoqatat, organet qeveritare, partnerët e koalicionit dhe të shohim se si ta adresojmë këtë çështje.

Gazeta Fjala: Siç shihet nuk keni zgjidhje për këtë?

Avdullah Hoti: Tani për tani nuk e di, është herët të flasim për këtë. ta shohim në javët e ardhshme, në muajt e ardhshëm si ta adresojmë këtë çështje.

Gazeta Fjala: FMN din me qenë shumë strikte në këtë. Në 2011 veç ka ndodhur të shkëputet marrëveshja. A jemi në këtë fazë?

Avdullah Hoti: Ne jemi në një fazë ku e rrezikojmë qëndrimin brenda përbrenda programit të FMN-së. Në programin e FMN-0së ne kemi kufijt sa I përket shpenzimeve subvencioneve, pensioneve, shpenzimeve kapitale, pagave e shpenzimeve tjera.

Kjo është e pa planifikuar edhe është rritje shumë e madhe dhe vështirë e menaxhueshme në periudha afatshkurtëra. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/intervisteavdullah-hoti-askujt-nuk-do-ti-zbritet-paga/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala