Intervistë|Adem Salihaj: Thaçi është hajn dhe i korruptuar, nuk bënë të jetë president

Autori:Gazeta Fjala

Kandidatit për president sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, Hashim Thaçit, po vazhdon t’i ngushtohet kuorumi. Listës së deputetëve që nuk do ta votojnë Thaçin për president i është shtuar edhe deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Sipas tij vendi nuk e meriton ta ketë një president,  partia e të cilit është e zhytur në krim dhe korrupsion.

Salihaj në këtë intervistë për Gazetën Fjala, nuk kursen t’i thotë edhe fjalët më të rënda për Thaçin. Atë e quan tradhtar, hajn e njeri të korruptuar.

“Mbi vetë Thaçin rëndojnë akuza të rënda publike, prej hajnive e korrupsionit,deri te vrasjet dhe tradhtia ndaj atdheut. Do të jetë me pasoja katastrofave për Kosovën nëse Kosova do ta ketë një president me një imazh kaq të keq, siç është Hashim Thaçi”, ka thënë Salihaj.

Salihaj thotë se opozita ka të drejtë të protestoj por jo me dhunë. Ai mendon se me përkrahjen e qytetarëve opozita do të mund të bëjë ndryshime në vend.

“Sa u përket protestave,opozita ka të drejtë sa herë të dojë të mbajë protesta paqësore. Vetëm me përkrahjen e qytetarëve mund të bëjë ndryshime, jo me metoda të dhunës siç ka ndodhur po thuajse vazhdimisht deri më tash’, ka thënë Salihaj.

Gazeta Fjala:  Zt. Salihaj ju si deputet i Kuvendit nga rradhët e LDK-së edhe pse jeni në koalicion me partinë në pushtet disa gjera i kundërshtoni.  Nga kjo gjë a do të thotë që në shumicën e rasteve nuk pajtoheni me partnerin e juaj?

Adem Salihaj: Lidhja Demokratike e Kosovës bëri koalicion me PDK-në,por unë nuk u pajtova me këtë,sepse nuk ishte vullneti i elektoratit tonë që të ndodhte kështu. Siç e dini,ne e kishim ftuar elektoratin tonë që ta votonte LDK-së,me kushtin që të mos bëjmë koalicion me PDK-në. Sido që të jetë,kjo ndodhi. Besoj se ishin faktorët ndërkombëtar ata që ndikuan që të ndodhte ky koalicion për shkak të Gjykatës Speciale dhe marrëveshjeve me Serbinë,si dhe marrëveshjes për demarkacionin.

Gazeta Fjala: A mendoni se partia të cilës ju i takoni ka arritur ta realizoj deri me tani programin qeverisës që ka pasur pa ndërhyrje nga partneri juaj PDK?

Adem Salihaj: Ministrat e LDK-së pa dyshim që kanë bërër përpjekje që të qeverisin mirë dhe të mundohen ta realizojnë programin e LDK-së. Por,siç dihet ne i kemi aty vetëm ministrat,por jo edhe ministritë,sepse me menagjimin e ministrive ka shumë ndikim gjithë ajo strukturë e PDK-së,repsektivisht e SHIK-ut ,e cila është e instaluar aty me vite dhe i ka kapur ato. Siç e dini,deri më tash ministrat e LDK-së nuk kanë arritur që ta bëjnë asnjë ndryshim në kuadrat që janë të instaluara aty.

Gazeta Fjala:  Lidhur me situatën politike në vend çfarë komenti keni, po flasim për dy marrëveshjet e nëshkruara në Bruksel e qe për njërën siç është Zajednica, Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje. Kush do të duhej të jepte përgjegjësi për këtë?

Adem Salihaj : Unë e kam thënë me kohë se këto dy marrëveshje nuk ishin të mira për Kosovën dhe se duhej të rishikoheshin.  Është fat i mirë për Kosovën që çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo i vendosi gjërat në vendin e duhur,duke konstatuar se marrëveshja e fundit nuk ishte në frymën e Kushtetutës.Përndryshe,poqe se do të implementohej kjo marrëveshja e fundit,do të kishte pasoja të pariparueshme për Kosovën.

Gazeta Fjala: Të flasim pak për presidentin. Ju keni kundërshtuar zgjedhjen e Thaçit si president. Pse e kundershtoni një gjë të tillë kur ju jeni në koalicion me partinë të cilën e udhëheq Hashin Thaçi?

Adem Salihaj :Unë e kam të drejtën morale që ta kundërshtoj zgjedhjen e Thaçit për president,sepse e kundërshtova edhe koalicionin me të dhe me partinë e tij.Ashtu siç kam thënë me kohë se jam kundër bashkëqeverisjes me një parti të krimit,poashtu sot jam kundër që të zgjedhet president Hashim Thaçi,kryetari i një partie të zhytur në krim dhe korrupsion.

Mbi vetë Thaçin rëndojnë akuza të rënda publike,prej hajnive e korrupsionit,deri te vrasjet dhe tradhëtia ndaj atdheut.Do të jetë me pasoja katastrofale për Kosovën nëse Kosova do ta ketë një president me një imazh kaq të keq,siç është Hashim Thaçi.

Gazeta Fjala:  Kush është anëtari i duhur për president sipas jush?

Adem Salihaj: Sipas meje,partitë politike,duke përfshirë pozitën dhe opozitën,duhet të ulen e të diskutojnë gjatë e me seriozitet dhe ta gjejnë një figurë unifikuese,të pastër e të përgjegjshme që të jetë president i Kosovës dhe ta përfaqëesoj në mënyrë të denjë Kosovën.Nuk ka mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë problem.

Gazeta Fjala:  A mendoni se Kosova po shkon drejtë zgjedhjeve të jashtëzakonshme?

Adem Salihaj: Nëse liderët e partive politike nuk gjejnë forcë dhe vullnet që të ulen dhe të diskutojnë për daljen nga kriza,atëherë zgjedhjet do të jenë opsioni i vetëm,sepse nuk po mbetet rrugë tjetër.Kjo situatë e bllokimit të institucioneve nuk mund të zgjasë pa fund.

Gazeta Fjala: A janë zgjedhjet e vetmja zgjidhje për të dal nga kriza?

Adem Salihaj: Zgjedhjet vështirë se do të jenë zgjidhje,për shkak se rezultati i tyre mund të jetë i ngjashëm me këtë që kemi tash.Pra,ka rrezik që të kthehemi sërish në pikën zero dhe të mos arrijmë të dalim nga rrethi vicioz i krizës.

Pastaj,atmosfera për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta nuk është aspak e përshtatshme.

Gazeta Fjala:  Sipas jush a janë të arsyeshme kërkesat e opozitës, si dhe a i jepni arsyeshmeri paralajmërimeve te protestave nga ana e opozites?

Adem Salihaj: Kërkesave të  opozitës lidhur me asociacionin iu dha të drejtë Gjykata KushtetueseÇështja e demarkacionit të kufirit është në rishikim nga Presidentja e Kosovës,kështu që do ta shohim çka do të dalë nga kjo.Unë personalisht përshëndes hapat e presidentes,por nuk mendoj se është mirë që çështjen e demarkacionit ta lëmë në duart e ndërkombëtarëve.Duhet gjithëmonë ta dijmë se ndërkombëtarët gjithmonë do ti vendosin interesat e tyre para tonave.

Sa u përket protestave,opozita ka të drejtë sa herë të dojë të mbajë protesta paqësore.Vetëm me përkrahjen e qytetarëve mund të bëjë ndryshime,jo me metoda të dhunës siç ka ndodhur pothuajse vazhdimisht deri më tash./Gazeta Fjala/

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/intervisteadem-salihaj-thaci-eshte-hajn-dhe-i-korruptuar-nuk-ben-te-jete-president-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala