Intervistë |Sakip Imeri: Jemi në dijeni për falsifikimin e kuponëve fiskal nga IPKO

Autori:Gazeta Fjala

Lufta ndaj inspektorëve të korruptuar, bizneseve që falsifikojnë kuponët fiskal e bashkimi i Administratës Tatimore me Doganën janë vetëm disa nga sfidat që ka para vetes drejtori i ri i ATK-së, Sakip Imeri.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ai tregon se fillimisht ka në plan të punojë brenda “shtëpisë” në konsolidimin e menaxhmentit që pastaj të zhvillojnë më shumë aktivitete në raport me tatimpaguesit.

Me këta të fundit telashe të mëdha po del të ketë kur janë në pyetje kuponët fiskal, pasi vetëm në tre muajt e fundit për çdo ditë inspektorët kanë lëshuar ndëshkime për parregullsi në teren.

ATK ka në shqyrtim edhe një rast ku oporatori i dytë i telefonisë mobile “IPKO” është zënë duke lëshuar kupon të falcifikuar fiskal.

“Procesi i trajtimit të këtij rasti është duke vazhduar. Sipas informatave fillestare kompania IPKO ka lëshuar një shërbim të ri dhe kjo ka qenë arsyeja se përse kjo kompani nuk ka qenë e përfshirë në procesin e kuponëve fiskal”, tregon Imeri.

Kreu i ATK-së flet edhe për fiskalizimin e KEDS-it, për ngecjet në procesin e pajisjes së naftarëve më arka fiskale e për operatorët e ri të arkave.

Ai sqaron edhe lidhjet e tij me politikën dhe rrugëtimin deri në postin që mban sot.

Gazeta Fjala: Cilat janë sfidat me të cilat jeni ballafaquar kur keni marrë detyrën e të parit të ATK-së?

Sakip Imeri:  Ky është viti i 17-të, i Administratës Tatimore të Kosovës. Në muajin shkurt e kemi festuar 16 vjetorin e ATK-ës.

ATK  është njëri nga institucionet e para në Kosovë. Është institucion shumë i konsoliduar me staf mjaftë profesional me diku afro 787 punëtorë sa punojnë në ATK.

Si pjesë e ATK-së kamë qenë që nga viti 2005, si pjesë e menaxhmentit të lartë. Të gjitha të mirat dhe sukseset e ATK-së i kam trashëguar nga drejtorët e mëhershëm.

Që nga 21 janari i këtij viti unë e drejtoj këtë institucion si drejtor i përgjithshëm i ATK-së.

Kam filluar me një komunikim me të gjithë stafin stafin e ATK-së. Vizioni im është i bazuar në planin strategjik, 2015-2020.   Në këtë strategji janë duke punuar menaxhmenti i ATK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Puna e parë ndoshta më e ndjeshme, është hartimi i strukturës organizative, të ATK-së. Me 15 mars e kam bërë publike strategjinë për strukturën e re organizative të ATK-së. Me datën 16 mars i kam emëruar katër zëvendës-drejtorët e ATK-së.

Javën tjetër planifikoj t’i ngrisë në pozitë, menaxherët aktual, dhe regjional në pozitat e drejtorëve të regjioneve. Kjo është një strukturë e re, që ka lindur me ligjin për Administrata Shtetërore, poashtu është një strukturë që i përkrah në plotni rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtarë. Shpresoj që me hapat që veç kemi filluar në Administratë Tatimore, do të bëjmë konsolidimin e plotë të menaxhmentit të administratës, deri në fund të marsit, që të përfitojmë për muajt e ardhshëm, me pas aktivitete më shumë operative, në raport me tatim paguesit.

Gazeta Fjala: A nënkupton kjo (struktura organizative) largim nga puna të zyrtarëve të ATK-së?

Sakip Imeri: Struktura e re nënkupton, një riorganizim të ATK-së. Është një strukturë që në thelb është renditje, sipas funksioneve që kryhen, në ATK.

Struktura i ka katër shtylla, ka një shtyllë të krijimit të procedurave dhe politikave. Shtylla tjetër e përkrahjes së programeve, që do t’i zbatoj politikat në teren, operacionet, dhe një shtyllë e funksioneve të veçanta, që merret kryesisht me komunikimin, e Institucioneve siç janë, Prokuroria, Policia, pastaj për lojërat e fatit apo për kuponët fiskal, këto janë ato risitë në strukturën organizative.

Largime të punëtorëve nuk do të ketë, sepse nuk kemi arsye, po do të ketë vlerësime të performancës. Secili do të ketë vendin e vet, në sajë të performancës, së tij.

Gazeta Fjala: A mund të ketë edhe punësime të reja në ATK në kuadër të kësaj strukture?

Sakip Imeri: Do të kemi nevojë për staf të ri. E kemi një staf i cili karshi zhvillimeve që janë me biznese gjithmonë kemi nevojë për staf të rinjë. Sigurisht se për këtë do ta kemi edhe përkrahjen e Qeverisë, ministrit të Financave, karshi zhvillimeve të tatim paguesve që është për menaxhim më të mirë të procesit tatimor.

MST: Imeri flet për inspektorët e korruptuar

Gazeta Fjala: Inspektorët janë akuzuar shpesh për korrupsion. Si do ta luftoni këtë?

Sakip Imeri: Kjo është çështja më delikate në Administratën Tatimore të Kosovës. Në ATK është Departamenti I Standardeve Profesionale I cili merret vetëm me sjelljen e inspektorëve në të gjitha rastet kur raportohen ose konstatohen shkelje nga ana e tyre.

Është një numër I konsiderueshëm I inspektorëve që janë dënuar nga ky departament. Ka raste edhe të suspendimeve. Madje për disa prej tyre janë ngritur procedurat në Prokurori dhe në Gjykatë.

Gazeta Fjala: A do të ndikojë bashkimi me Doganën, në performansën e ATK-së?

Sakip Imeri:  Ky është një projekt i Qeverisë që njëkohësisht është njëri prej projekteve më të mëdha në kuadër të Ministrisë së Financave, është krijuar nga një grup koordinues, për procesin e bashkimit të administratës tatimore dhe doganës .

Tashmë është duke u punuar me ligjin i cili do të jetë dokumenti i parë që krijon bazën për bashkimin e Administratës Tatimore dhe Doganës.

Synimet janë që gjatë muajit mars, të përfundojë drafti  i pare. Pastaj të fillojnë debatet e domosdoshme që janë të parapame edhe me palët e interesit për ligjin që do të krijohet.

Synimi i Qeverisë është që në Janar të vitit 2017, të jemi një agjenci e vetme e të hyrave.

Shpresoj që do të shkojë gjithçka në rregull edhe në aspektin politik, sa i përket miratimit të ligjit, ndërsa në aspektin e përgatitjeve, ajo është një punë e veçantë që i përket ATK-së dhe Doganës, në përgatitje të bashkimit të këtyre dy institucioneve në një agjenci të vetme.

Gazeta Fjala: Deri ku kanë arritur përgatitjet për bashkimin e doganës me ATK-në?

Sakip Imeri: Përgatitjet kanë filluar. Është grupi koordinues I cili po mirret me procesin e bashkimin. Aktualisht janë tri grupe punuese, që po punojnë për ligjin. Një për procedurat dhe strukturën , planin e bashkimit dhe një grup është duke e hartuar sistemin e teknologjisë informative, që komunikon me të dy sistemet aktuale që punojnë, në sistem të raportimit .

Procesi i bashkimit pastaj mos me u afektu prej dy sistemeve të ndryshme, pra me pas ni system të raportimit unik.

Gazeta Fjala: Kur do të ndodhë fiskalizimi i naftëtarëve dhe i KEDS-it?

Sakip Imeri: Ekziston një keqkuptim këtu ndoshta edhe i qytetarëve se fiskalizimi me udhëzimin e vitit të kaluar e ka paraparë një kategori të bizneseve, që mos të fiskalizohen. Ato konsiderohen si biznese që ofrojnë shërbime dhe kanë matës  më specifik, në këtë rast është edhe KEDSI, ose energjia elektrike, që shërbehet për konsumatorët, qytetarët, aty ka një faturim ekzakt të saktë.

Nuk është qëllimi për të shitur arka fiskale, ose të pajisen me makinat fiskale, por qëllimi është që të krijojnë bazën tatimore të saktë. Ajo krijohet përmes arkave fiskale, pajisjeve elektronike fiskale dhe përmes matësve specifik.

Matësit specifik janë shërbimet e energjisë  elektrike, shërbimet e ujësjellësit, që na ofrohen aty dhe kemi orët aty saktë se a na ofrohen matje dhe lëshohet fatura.

Naftëtarët janë në proces të fiskalizimint. Disa janë fiskalizuar, disa janë në proces. Aty kemi pak ngecje, është ni çmim i lartë që po konsiderohet dhe ka tendenca me hyjë një operator të ri në treg që do e ulë çmimin.

Gazeta Fjala: Kur do të hyjë në treg operatori i ri?

Sakip Imeri: Janë dy operatorë, që i kanë përfunduar proceset në ATK, puna tashi mbetet vetëm te laboratori në fakultetin teknik, t’i plotësojë kriteret teknike. Njërin nga operatorët e ka licencuar ose për aq jemi të informuar edhe një arkë fiskale, por nuk është që do të ndikojë ajo në fiskalizim sepse, te procesi i fiskalizimit, të derivative nuk kemi ende një operator  të ri, që kishte me ndikua ajo  tek kjo kategori.

Mst: IPKO ka lëshuar kupon fiskal të falcifikuar

Gazeta Fjala: A jeni në dijeni që kompani të caktuara në Kosovë po lëshojnë kuponë fiscal fallc?

Sakip Imeri:  Po ne jemi në dijeni për këta kuponë. Thënë të drejtën kjo formë e kuponëve ka qenë edhe një test kontrolli që t’i shohim parregullsitë që bizneset bëjnë gjatë lëshimit të kuponëve fiskal. Inspektorët reagojnë në të gjitha rastet kur bizneset lëshojnë kuponë të tillë në të gjitha regjionet dhe marrin masa ndaj tatimpaguesve. Në tre-mujorin e fundit për çdo ditë lëshohen ndëshkime për parregullsi të cilat konstatohen në teren.

Gazeta Fjala: Një rast i tillë ka ndodhur edhe me kompaninë IPKO e cila ka lëshuar kuponë fiscal fallc. Çfarë ka bërë ATK-ja në këtë rast?

Sakip Imeri: Po jemi në dijeni për këtë rast. Ka komunikim në mes të IPKO-së dhe Administratës Tatimore të Kosovës lidhur me këtë rast.  Procesi i trajtimit të këtij rasti është duke vazhduar.

Sipas informatave fillestare kompania IPKO ka lëshuar një shërbim të ri dhe kjo ka qenë arsyeja se përse kjo kompani nuk ka qenë e përfshirë në procesin e kuponëve fiskal. Mirëpo ATK, është në proces të verifikimit të kësaj situate.

Gazeta Fjala: A ka ndikuar afërsia juaj me politikën  që të vini në pozitën e drejtorit të ATK-së?

Sakip Imeri:  Unë në mënyrë intensive jam marrë me politike. Ka qenë një situatë asisoi ku jo vetëm unë por e gjithë masa kemi qenë të përfshirë në politikë. Mua më ka rënë hise që me udhëheq edhe në kohën e paraluftës, institucione që kanë kryer funksione përafërsisht të ngjashme.

Kam udhëheq këshillin Komunal të Financimit në Komunën e Shtërpcës, si Institucion që është krijua për menaxhimin e të hyrave dhe shpenzimet që janë kriju në atë kohë.

Me aktivitete politike jemi marrë, por në momentin kur jam punësu në Administratë Tatimore, jam zyrtar i ATK-së, i ç’veshur nga ç’do petk politik. Kjo është realiteti që unë e posedoj dhe  që secili zyrtar ka të drejtë t’i përket një parti dhe ta adhuroj dikë se kjo është krejt njerëzore, normale. Por me zhvillu aktivitet politik dhe me dal i njëanshëm në raport me tatimpaguesit, nuk e kemi atë të drejtë./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-sakip-imeri-jemi-ne-dijeni-per-falsifikimin-e-kuponeve-fiskal-nga-ipko/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala