Intervistë| Ramiz Kelmendi: Do të jem zëvendëskryeministër

Autori:Avdyl Pajaziti

Biznesmeni dhe deputeti Ramiz Kelmendi,  shumë shpejt do të ngjitet në majat e suksesit të tij prej politikani.  Ai brenda një kohë të shkurtër mund shihet ulur pranë kryeministrit Isa Mustafa, gjatë drejtimit mbledhjeve të qeverisë.

Kjo për faktin se Kelmendi do të behët zëvendëskryeministër i Kosovës. Këtë pozitë atij edhe i kanë premtuar drejtuesit e dy partive në pushtët, PDK dhe LDK.

“Premtimi është që unë të bëhem zëvendëskryeministër, por nuk kam marrë ende përgjigje. Kjo nuk varet nga koalicioni, por nga liderët e partisë demokratike”, ka thënë Kelmendi në një intervistë për Gazetën Fjala.

Bile ai premton se me marrjen e kësaj detyre do të sjell edhe ndryshime në ekonominë e vendit, duke thënë se rritje ekonomike do të shkojë deri ne 10 për qind.

“Rritja ekonomike për 3 për qind nuk garanton se fëmijët tanë do të jetojnë më mirë se sa prindi i tyre apo si në shtete e Evropës. Unë garantoj se rritjen ekonomike do ta bëjë mbi 10 për qind”.

Ai nuk është i kënaqur edhe me punën që po e bënë aktualisht qeverisa e Kosovës. Madje është goxha kritik në çështjen e zhvillimit ekonomik.

“Unë kam thënë se zhvillimi ekonomik me këto metoda të ecjes ‘caca-caca”, nuk mund të ec. Ai që donë të bëjë zhvillim ekonomik duhet të punojë më gjatë dhe më shpejt”, shprehet Kelmendi.

Kelmendi që drejton kompaninë ELKOS dhe rrjetin e marketeve ETC ka treguar se biznesi i tij nuk ka lidhje me politikën.  Madje  thotë se politikes as nuk i ka parë hajrin e as sherrin.

“Mbështetja më e madhe ka qenë se nuk më kanë pengu edhe pse unë në  vitet e sukseseve të mija kam qenë opozitë. Nuk kam pas asnjë tender, e as nuk kam konkurruar kurrë për një të tillë”, thotë Kelmendi.

Deputeti i PDK-së shprehet skeptik edhe me deklaratat e kryeministrit Mustafa se gjatë vitit 2015 janë punësuar 18 mijë kosovarë. Ai thotë se kjo shifër nuk po shihet në realitet.

Kelmendi në këtë intervistë ka folur edhe për punën që bëhet në ETC. Akuzat që po i drejtohen se po mashtron konsumatorët dhe për kushtin se  punëtorët e tij duhet të lexojnë libra.

 Gazeta Fjala: A  po ja sheh hajrin biznesi juaj politikës?

 Ramiz Kelmendi: Biznesi im fare nuk bazohet në politikat aktuale te njerëzve. Biznesi im sheh hajr nga politikat e krijuara dhe ligjet e shkruara. Politika nuk i ka bërë kurrë mbështetje grupit ELKOS. Mbështetja më e madhe ka qenë se nuk më kanë pengu edhe pse unë në  vitet e sukseseve të mija kam qenë opozitë. Nuk kam pas asnjë tender, e as nuk kam konkurruar kurrë për një të tillë.

Gazeta Fjala :A duhet të jeni pjesë e politikës për të qenë të suksesshëm?

 Ramiz Kelmendi:Kjo çështja e inkuadrimit në politikë gjoja për të qenë i suksesshëm, më shumë mendoj se është perceptim se sa barrierë. Unë kam pasur takime me shumë personalitete të ndryshme botërore dhe ata kanë qenë të habitur se si unë i kam arritur gjithë këto suksese duke mos qenë fare në politikë. Unë jam pjesë i politikës, por nuk jam i lidhur me të.

Gazeta Fjala: Deri kur do të jeni pjesë e politikës?

 Ramiz Kelmendi: Unë në politikë nuk jam future për përfitime por për të kontribuar. Unë që nga viti 1993 unë jam drejtor i ndërmarrjes publike. Kam përvojën 40 vjeçare. Dhe nja kjo përvojë dua të kontribuoj që disa politika dhe ligje të jenë më të përshpejtuara dhe në mbështetje të ligjit dhe afarizmit. Liget shpeshherë në Kosovë bëhen sipas standardeve të deputetëve. Në e kemi gojën plotë zhvillim ekonomik, por ne gjithë masën e mbeturinave e gjuajmë në zhvillimin ekonomik.

Gazeta Fjala: Çka dëshironi nga Qeveria. Postin e ministrit apo zëvendës Kryeministrit?

 Ramiz Kelmendi:Unë gjithmonë kërkesën time nuk e kam bazuar në dëshirë apo vullnet. Dëshirën për të qenë në këto poste e kanë të gjithë deputetët, ata të inkuadruar në politikë. Por aftësitë e mija, përvoja, rezultatet e punës janë një bazë që tregon që ndryshimin ekonomik të Kosovës. Mundem me lëvizë shumë më fuqishëm se që është duke lëvizur sot. Kjo lëvizje e tashme ekonomike nuk garanton perspektivë për të rinjtë tanë.

Rritja ekonomike për 3 për qind nuk garanton se fëmijët tanë do të jetojnë më mirë se sa prindi i tyre apo si në shtete e Evropës. Unë garantoj se rritjen ekonomike do ta bëjë mbi 10 për qind.  Unë kur e kam propozuar  këtë gjë më është premtuar edhe posti për ta realizuar këtë gjë dhe insistimi im ka qenë me realizua zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike më shumë se sa 10 për qind.

Sikur unë të isha në pozitën që unë e kam menduar, do të kisha filluar me implementimin e këtij projekti për zhvilli ekonomik.

Gazeta Fjala: Cila është kjo pozitë?

 Ramiz Kelmendi: Unë e dua një post në të cilin do t’i shfaq e implementoj kërkesat dhe aftësitë e mia duke i përdorur resurset e  ministrive që më duhen për t’i realizuar  sa më shpejt objektivat për zhvillim ekonomik.

Unë nuk e kam menduar postin e zv.kryeministrit siç kryhet funksioni sot.  Unë kam menduar të jem zëvendës kryeministër siç kanë qenë disa zv.kryeminnistra  që nuk kanë bërë asnjë gjë. Unë kam mendu ta kem funksionin për sistemin organizativ të resurseve ekonomike.

Unë e di që jam i zoti për këtë pozitë dhe zhvillimet ekonomike do t’i kisha zhvilluar jashtëzakonisht shumë. Do të ndihesha jashtëzakonisht keq nëse nuk do të mund të arrija këtë shprehje të zhvillimit ekonomik.

Gazeta Fjala: Lidhur me këtë,  a keni diskutuar me partnerët e koalicionit?

 Ramiz Kelmendi:Premtimi është që unë të bëhem zëvendës kryeministër, por nuk kam marrë ende përgjigje. Kjo nuk varet nga koalicioni. Por nga liderët e partisë demokratike. Mirë është që këtë post ta mbajte dikush që kombinohet me këtë. Unë e kam një gjuhë kombinuese me të gjithë.

Gazeta Fjala: Nëse ju merrni postin e zëvendës kryeministrit cilat do të jenë planet tuaja?

 Ramiz Kelmendi:Unë i kam të ndërtuara të gjitha projektet për zhvillimin ekonomik të shtetit. Bujqësinë do ta zhvillojë brenda katër muajve. Nuk  do të ketë nevojë që të importohet asnjë produkt në Republikën e Kosovës e që mund të kultivohet në Kosovë. Flas nëse mund të prodhohet në pas.  Më këtë  garantoj që do të kemi një rritje të jashtëzakonshme të të hyrave për fermer.  Do ta zhvilloj industrinë e tekstilit. Kam ide për këtë që nuk i ka asnjë shtet në rajon. Më tekstil do të punësoheshin një numër i madh i grave kosovare.  Do të arrijmë që industrinë ushqimore të prodhojmë prodhime për konsum më të mëdha se sa prodhimet që importohen në Kosovë. 90 për qind e kosovarëve do të konsumojnë prodhime vendore. Për ta mbërri këtë do ta zvogëloj informalitetin.

Gazeta Fjala: Ju kanë akuzuar se ju jeni personi që më së shumti shkaktoni informalitet. Si do ta hiqni këtë bindje?

Ramiz Kelmendi:  Nuk është e vërtetë. Unë nuk e kam as edhe një për qindin informalitet. Kjo është kthimi i besimit që qytetarët ta kuptojnë se çfarë është që të fitojnë. Njerëzit thonë që pas biznesit tim kanë qëndruar persona të Ramush Haradinajt, e unë gjithmonë isha drejtor i tyre. Por unë kam arritur që me ekonominë tonë ti rrëzojmë këto bindje.  Unë i kam thënë politikanëve tan besoni në njerëzit tuaj se ne kemi aftësi ta zhvillojmë Kosovën.

Gazeta Fjala: A besoni që politika e tashme e zhvillimit ekonomik mund të krijojë vende të reja të punës?

 Ramiz Kelmendi: Unë kam thënë se zhvillimi ekonomik me këto metoda të ecjes ‘caca-caca”, nuk mund të ec. Ai që donë të bëjë zhvillim ekonomik duhet të punojë më gjatë dhe më shpejt.

Gazeta Fjala: A besoni në shifrat e kryeministrit Mustafa se në Kosovë për vitin 2015 janë punësurar 18 mijë persona?

 Ramiz Kelmendi: Neve na duhen që edhe këtë gjysmë milioni të njerëzve t’i sistemojmë me punë. Ato shifra mund të jenë të punësuar ekzistues në Kosovë. Por ti fusësh 18 mijë persona për një vit duhet një ndryshim i madh ekonomik në Kosovë. E fatkeqësisht ne nuk po i shohim ato rezultate.

Gazeta Fjala: Sa është buxheti që ju keni investuar në Kosovë?

 Ramiz Kelmendi: Ne si ELKOS për momentin i kemi 2500 të punësuar si dhe diku afro 500 punëtor sezonal. I kemi 300 persona që po punojnë në investimet tona të cilat sivjet arrijnë shifrën e 38 milion eurove. Planifikojmë  që deri në fund të vitit 2020 ti kemi diku afro 143 milion euro  sipas kalkulimeve tona.

 Gazeta Fjala: Sa po prodhon universiteti i Prishtinës kuadro për tregun e punës?

 Ramiz Kelmendi: Përderisa të rinjtë tanë hallet i qajnë në kafiqa nuk mund të ketë zhvillim. Në  ato vende nuk dëgjohet fjala prodhim, ekonomi.  Të rinjtë e drejtimeve të ekonomisë besojnë që pas universitetit mund të punësohen në banka e të tilla. Por unë ju them që kjo gjë nuk është e mundur. Por  edhe për 25 vjet të tjera nuk do të ketë punë në banka. Vende pune të hapura nuk do të ketë për arsye se tashme deri në pension nuk largohen nga puna.

Gazeta Fjala: Është raportuar se ju i inkurajoni punëtorët që të lexojnë libra?

 Ramiz Kelmendi:  Po është e vërtetë. Ne me këto libra i mësojmë punëtorët tanë psh, si ta duan punonjësin,. Menaxhimin praktik, sjelljen me konsumator. Tëpërgatitën për sfidat që po vinë. Ne  krejt po flasim për MSA-në, e po mendojmë që të gjithë duhet ta lexojmë abetaren. Duhet të mësojmë se si ta përfitojmë tregun ndërkombëtar.

Gazeta Fjala: Sa është e përgatitur Kosova për MSA-në?

 Ramiz Kelmendi: Ne nëse e duam Evropën duhet të punojmë për MSA-në. Çmimet do të zvogëlohen. MSA-ja do të jetë shumë pozitive për të nxjerrë cilësinë e produktit final. MSA zvogëlon shumë ndikimin e shteteve të regjionit dhe ndikimin e Serbisë në Kosovë.

 Gazeta Fjala: A e pengon MSA-ja biznesin tuaj?

 Ramiz Kelmendi: Jo MSA nuk ndikon aspak në biznesin tim. Për mu është me rëndësi se fiton qytetari i Kosovës. Unë jam i kënaqur sepse zëvendësohem me produktet e Evropës.

 Gazeta Fjala: Konsumatorët po ankohen për produktet jocilësore në supermarketet e juaja, por edhe për çmimet e tyre. Ku qëndron problem?

 Ramiz Kelemndi: Unë mund të ju them që produkte pa afat nuk hasim gjatë kontrollit ton. Mund të ketë ndonjë lëshim sepse ne në një pikë i kemi nga 56 mijë artikuj me gati 2 milion të tillë në të gjitha pikat, dhe normalisht që në ndonjërën mund të ketë ndonjë lëshim. Sa i përket çmimeve kemi shumë produkte në aksion. Nuk ndodhë që ne i kemi çmimet ndryshe në raft e ndryshe në arkë. Ndodhë që shpesh persona që ia duan të keqën kompanisë sonë të sillen si konsumator e t’i heqin çmimin aksional e ta lënë çmimin real. Ne kemi pasur në shumë raste të tilla. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-ramiz-kelmendi-do-te-jem-zevendeskryeminister/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala