Intervistë| Maria Bamieh: EULEX është i korruptuar, nuk mund të më hesht

Autori:Avdyl Pajaziti

“Ata [EULEX] dështuan në gjykatë që të më heshtin mua dhe mediat… opsioni i vetëm i tyre është të më diskreditojnë”, thotë ish-prokurorja britaneze e EULEX-it, Maria Bamieh, derisa komenton kërkesën e autoriteteve të Kosovës për heqjen e imunitetit ligjor në mënyrë që të fillohen hetime ndaj saj.

Në një intervistë dhënë Gazetës Fjala, Bamieh, e cila vitin e kaluar publikisht kishte akuzuar dy zyrtarë të lartë të EULEX-it për marrje ryshfeti, thotë se një gjë të tillë EULEX-i e bënë për të përmirësuar imazhin e vet.

E për këtë, sipas Bamies e kanë gjetur një prokurorë vendor, “i cili çuditërisht ka qëndrim të njëjtë sikur ai [prokurori ndërkombëtar]”, e që nuk ka mundur që ta hetoj ish prokuroren angleze.

Ajo ka treguar se që kur ka dalë publikisht me akuzat e saj, jeta e saj ka qenë stresuese dhe se tani nuk është duke punuar.

Bamieh beson se ka edhe raste të tjera të korrupsionit në EULEX dhe ka akuzuar këtë të fundit se nuk është marrë seriozisht me pretendimet e saj.

“Unë besoj se mund të ketë edhe më shumë korrupsion.  Asnjë organizatë e madhe nuk mund të jetë krejtësisht e sigurt që nuk ka korrupsion [brenda saj], por vetëm mund të sigurohen që mos të merren me të”.

 

GAZETA FJALA:  Para rreth nje viti më parë, ju publikisht akuzuat dy zyrtarë të lartë të EULEX-it për marrje të ryshfetit për të mbyllur raste gjyqësore, përfshirë këtu edhe një rast për vrasje.  Sa ka ndryshuar jeta e juaj që nga ajo kohë?

MARIA BAMIEH:  Jeta ime ka ndryshuar shumë që atëherë.  Gjatë kësaj kohe unë kam qenë duke provuar që të shfaq të vërtetën përmes gjyqit në Mbretëri të Bashkuar.  Dhe jeta ime ka qenë stresuese dhe aktualisht nuk jam duke punuar.

GAZETA FJALA:  Ka pasur raportime në mediat kosovare se Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që të heqë imunitetin legal tuaj në mënyrë që të fillojë hetimet për pretendimet e juaja.  Çfarë prisni nga një hetim i mundshëm i autoriteteve të Kosovës për këtë rast?

MARIA BAMIEH:  Kërkesa dhe pretendimet kanë ardhur si rezultat i një prokurori ndërkombëtar që ka qenë në Kosovë për kohë të gjatë.  Ai nuk ka mundur që të më hetojë personalisht, kështu që i ka dhënë rastin një prokurori vendor, i cili çuditërisht ka qëndrim të njëjtë sikur ai.  Ky prokuror ndërkombëtar ka punuar me Novotnan kundër meje dhe edhe para kësaj është përmendur në rastin tim gjyqësor në Britani të Madhe.

Ai ka punuar me Jaroslava Novotona dhe ka qenë në panelin tim.  Pasi më hoqi qafe mua në mënyrë të paligjshme, atij i është dhënë pozita ime dhe tani mbështet Novotnat.  Kjo mund të quhet si shpërblim për shërbimin, e që në vetvete nënkupton korrupsion.

GAZETA FJALA:  A e konsideroni këtë kërkesë të autoriteteve të Kosovës për të filluar hetime si të motivuar politikisht?

MARIA BAMIEH:  E motivuar nga EULEX-i gjithsesi.

GAZETA FJALA:  Sipas jush, a është duke i shtyrë EULEX-i autoritetet kosovare që të fillojnë këto hetime në mënyrë që të përmirësojnë imazhin e vet?

MARIA BAMIEH:  Absolutisht po.  Ata dështuan në gjykatë që të më heshtin mua dhe mediat.  Ata e dinë që sjellja e tyre do të ekspozohet para botës dhe për këtë arsye opsioni i vetëm i tyre është të më diskreditojnë mua.

GAZETA FJALA:  Ju jeni ndarë e zhgënjyer nga një raport i Brukselit që thoshte se EULEX-i ka reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj pretendimeve tuaja për korrupsion.  Në një letër publike, ju thoni se “pjesë të rëndësishme janë harruar” në raport.  A mund të na tregoni më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë?

MARIA BAMIEH:  Në këtë kohë nuk mund të them më shumë, meqë kjo është diçka që gjyqi në Mbretërinë e Bashkuar do ta përcaktojë.

GAZETA FJALA:  A mendoni se ka edhe raste të tjera të korrupsionit brenda EULEX-it por përvoja  e juaj do të dekurajojë edhe sinjalizuesit e tjerë të korrupsionit që të raportojnë atë?

MARIA BAMIEH:Unë besoj se mund të ketë edhe më shumë korrupsion.  Asnjë organizatë e madhe nuk mund të jetë krejtësisht e sigurt që nuk ka korrupsion [brenda saj], por vetëm mund të sigurohen që mos të merren me të.  EULEX-i jo vetëm që nuk u mor seriozisht me ankesat, por ata i larguan edhe hetuesit e pavarur Heikki Wendorff dhe Armand Hamiti, dhe ata po ashtu kanë vënë në krye të hetimeve Novotnan, për të cilën unë kam pasur dyshime./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-maria-bamieh-eulex-eshte-i-korruptuar-nuk-mund-te-me-hesht/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala