Intervistë| Lutfi Zharku: Edhe një autostradë nisë në vitin 2017

Autori:Gazeta Fjala

Ndërtimi i autostradave në rrugët e Kosovës duket se nuk do të ndalet as në vitet në vijim. Madje, brenda dy viteve do të nis së ndërtuari edhe një e re.

Prishtina e Gjilani nga viti 2017 veç do të fillojnë ta ndjejnë autostradën që do t`i lidh mes vete. Këtë premtim e ka thënë vetë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku për Gazetën Fjala.

“Nëse çdo gjë shkon sipas planeve tona ne presim që në pranverën e vitit 2017 të fillojnë punët në realizimin e këtij projekti madhor për ekonominë tonë e në veçanti për rajonin e Gjilanit”, ka thënë Zharku.

Por, para se të nis kjo autostradë, Zharku synon që të përfundojë ndërtimin e magjistrales që lidh Prishtinën dhe Mitrovicën.

I pari i Ministrisë së Infrastrukturës po thotë se këto punime mund të përfundojnë brenda tri viteve.

“Bazuar në takimet e fundit që i kemi pasur me përfaqësuesit e Bankës Islamike të gjitha procedurat për përzgjedhjen e operatorit për ekzekutimin e punimeve do të duhej të përfundonin në korrik-gusht 2016, kurse projekti shpresojmë që të kryhet në afat 3 vjeçar”.

Kurse, sa i parkete ndryshimeve në patentë-shofer Zharku thotë se do të rritet numri i orëve për aftësim të kandidatëve. Derisa, me rritjen e orëve thotë se mund të këtë edhe ngritje të çmimeve.

“Rritja e numrit të orëve natyrisht do të thotë kosto shtesë për auto shkollat por që do të reflektohet në aftësimin me cilësorë të kandidatëve për patentë shofer”.

Zharku në këtë Intervistë nuk ka lënë pa përmendur edhe planet që ka realizuar dhe që kanë mbetur pa përfunduar gjatë vitet 2015. Po ashtu ka treguar edhe pse janë suspenduar disa zyrtarë të këtij institucioni. Derisa ka mohuar se është duke favorizuar kompanitë që kanë lidhje partiake e që kanë dhënë para në frashta.

Gazeta Fjala: z. Zharku, cili është bilanci i punës së Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2015?

Zharku: Gjatë vitit 2015 janë përfunduar shumë projekte infrastrukturore të rëndësisë së veçantë, disa prej të cilave me vite janë stërzgjatur për shkak të vështirësive të ndryshme e më se shumti të natyrës pronësore-juridike, siç është rasti i segmentit rrugor Milloshevë – Lum i madh ne rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë.  Gjatë këtij viti ka filluar realizimi konkret i disa projekteve madhore që kanë qenë premtime nga programi i LDK-së për zgjedhje e qe janë përfshirë në programin e Qeverisë siç janë: autostrada Prishtinë– Gjilan – Dheu i bardhë, zgjerimi i rrugës Prishtinë – Podujeve, rehabilitimi i rrugëve Prishtinë – Hani i Elezit dhe Ferizaj – Kllokot – Viti – Gerlicë, zgjerimi i rrugëve hyrëse dhe dalëse në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë dhe Suharekë, etj. Ne pjesën e infrastrukturës duhet të theksojmë edhe arritjen tonë që në afat rekord prej vetëm 3 muajsh te arrijmë me BERZh-in marrëveshje për financimin e zgjerimit të hyrje-daljeve në Gjilan, Ferizaj dhe Prizren dhe rekonstruimin substancial të rrugës regjionale Kllokot – Gjilan në shumë të përgjithshme prej 29 mil euro, të cilën përvojë BERZh-i nuk ka arritur ta realizojë në asnjë vend deri tash. Shprehur në terma natyror gjatë këtij viti janë shtruar me asfalt 35.5 km rrugë nacionale, 21.5 km rrugë rajonale dhe 81.2 km rrugë lokale pemës mbështetjes së komunave. Në fushën e transportit kemi punuar në lehtësimin e ambientit për biznes me ndryshimin e disa udhëzimeve administrative, kurse në fushën e aviacionit kemi arritur që të vendosim bazë të shëndoshë në mbrojtjen e pasagjereve tanë përmes kërkesave që obligimet për të drejtat e pasagjereve t’i bartin aviokompanite e jo agjencitë turistike. Me përfshirjen ne buxhetin e vitit 2016 te financimit te shërbimeve te navigacionit ajror është arritur qe NP Kontrolli ajror te shndërrohet ne agjension qeveritar ne përputhje me Ligjin mbi shërbimet e navigacionit ajror. Ne fushën e automjeteve është arritur qe te rritet disiplina dhe transparenca ne testimet teorike dhe praktike për patentë shofer përmes riorganizimeve te brendshme kurse projektligji i ri qe tanimë ka kaluar leximin e pare ne Kuvendin e Republikës se Kosovës do te sigurojë që kjo te sanksionohet ne mënyrën e duhur. Është arrit qe buxheti për shpenzime kapitale te harxhohet ne tërësi, si dhe te racionalizohen shpenzimet për mallra dhe shërbime ne përputhje me orientimet e programit qeveritar.

Gazeta Fjala: Çfarë ka mbetur pa përfunduar nga plani i juaj për vitin që po e lëmë pas?

Zharku: Për shkak të kufizimeve buxhetore ka mbet pa u përfunduar segmenti Gjurgjice – Llozice ne rrugën nacionale Prishtine – Pejë, e i cili do te përfundoje vitin e ardhshëm, si dhe për 1-2 muaj është shtyre aplikimi i testimit elektronik për patentë shofere.

Gazeta Fjala: Kur do të nisë autostrada për Gjilan dhe  nga do të kaloj ajo?

Zharku: Projekti preliminar për këtë rrugë është kryer, kurse ne pjesën e parë të vitit te ardhshëm do te përfundojë edhe projekti zbatues. Sipas detyrës projektuese janë punuar dy variante baze: njeri për zgjerimin e rrugës aktuale dhe tjetri për ndërtimin e autostradës se re Prishtinë – Gjilan përmes kyçje ne autostradën qe po ndërtohet Prishtinë – Shkup. Tanimë janë bere edhe krahasimet e para te këtyre dy varianteve dhe siç duket do te përzgjedhim variantin e autostradës se re duke marre parasysh koston me te lire si dhe ruajtjen e rrugës ekzistuese. Gjatë këtij viti janë zhvilluar biseda intenzive me BERZh-in për financimin e këtij projekti e prej te cilëve besojmë se do te marrim përkrahjen e duhur duke u bazuar ne interesimin e tyre për financimin e projekteve infrastrukturore ne Kosovë. Nëse çdo gjë shkon sipas planeve tona ne presim që ne pranverën e vitit 2017 te fillojnë punët ne realizimin e këtij projekti madhor për ekonominë tonë e ne veçanti për rajonin e Gjilanit.

Gazeta Fjala: Kur do të përfundoj zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Mitrovicë?

Zharku: Siç e dini, që nga viti 2013 janë te ratifikuara tri marrëveshje për financimin e rrugës Lum i Madh – Mitrovice ne shume prej rreth 50 milionë euro nga tri institucione financiare ndërkombëtare (Banka Islamike për zhvillim, Fondi Saudit për zhvillim dhe Fondi i OPEC-ut për zhvillim). Kjo është plotësisht rruge e re ne gjatësi prej 27 km dhe nuk behet fjale për zgjerimin e rrugës aktuale. Bazuar ne takimet e fundit qe i kemi pasur me përfaqësuesit e Bankës Islamike te gjitha procedurat për përzgjedhjen e operatorit për ekzekutimin e punimeve do te duhej te përfundonin ne korrik-gusht 2016, kurse projekti shpresojmë qe te kryhet ne afat 3 vjeçar.

Gazeta Fjala: Është thënë se nga janari do të këtë ndryshime në çmime dhe procedura për patentë shofer. Çka do të ndodh në të vërtet? Sa para do të paguajnë qytetarët për ta marrë një patentë shofer nga viti 2016?

Zharku: Ashtu siç e përmenda me lart, Projektligji për patentë shofer është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe presim që të miratohet në njërën nga seancat e para në vitin e ardhshëm, dhe derisa nuk miratohet ligji i ri nuk do të ketë rritje të kostos. Propozimet tona në projektligjin e ri konsistojnë në rritjen e numrit të orëve për aftësimin e kandidateve për patentë shofer nga 16+16 (teori dhe praktikë) që është aktualisht ne 25 orë teori dhe 30 orë praktikë. Rritja e numrit të orëve natyrisht do te thotë kosto shtesë për auto shkollat por që do të reflektohet në aftësimin me cilësorë të kandidatëve për patentë shofer. Ky propozim i ynë është në përputhje të plotë me praktikat evropiane dhe Strategjinë për siguri në komunikacioni rrugor që është miratuar në shtator të këtij viti nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Sa i prekët procedurave ne presim që në muajt e para të vitit te ardhshëm të aplikojmë testimin elektronik në pjesën teorike kurse në pjesën praktikë do të bëjmë monitorimin e testimit përmes kamerave që do të instalohen ne veturën me të cilën kryhet testimi.

Gazeta Fjala: Pse ende nuk ka pompa të derivateve e restorante në Autostradën “Ibrahim Rugova”, derisa shenjëzim për këto objekte ekziston?

Zharku: Çështja e pikave shtiese ne autostradën “Ibrahim Rugova” paraprakisht është menduar dhe dizajnuar qe te realizohet përmes partneritetit publiko-privat ku do të jenë vetëm një numër i kufizuar i furnizueseve (4 sosh). Aktualisht jemi ne fazën e rishqyrtimit te këtij projekti ne mënyrë qe te shqyrtojmë mundësinë  e përfshirjes se një numri me të madh të furnizueseve në autostradë që të mos kemi situatat e oligopoleve që përcillen me deformime te ndryshme në ekonominë e tregut.

Gazeta Fjala: Cila është gjendja e hekurudhave në Kosovë. Përse nuk po investohet më shumë në to?

Zharku: Siç jemi të gjithë dëshmitarë gjendja e infrastrukturës hekurudhore është jo e lakmueshme si pasojë e mosinvestimit për dekada, me vetëm dy linja hekurudhore ne funksion dhe me shpejtësi maksimale te ngasjes prej 60 km/orë e në disa vende edhe me 20 km/orë. Për rehabilitimin e vijës hekurudhore Hani i Elezit – Leshak në gjatësi prej 148 km tanimë janë siguruar huatë prej BERZh-it (40 mil euro) dhe BIE (42 mil euro) si dhe granti i Komisionit Evropian prej 40 mil euro, si dhe zotimi edhe për 40 mil euro shtesë poashtu grant nga Komisioni Evropian. Projekti aktualisht është duke u punuar dhe do të ndahet në tri faza (Hani i Elezit – Fushë Kosovë, Fushë Kosovë-Mitrovicë dhe Mitrovicë – Leshak). Në këtë fushë, në tanimë kemi paraqitur në Këshillin kombëtar për investime edhe 5 projekte të tjera për rehabilitimin e plotë të tërë infrastrukturës ekzistuese hekurudhore si dhe ndërtimin e hekururudhës Prizren – Morinë si pjesë e hekurudhës se ardhshme Prishtinë – Durrës.

Gazeta Fjala: A keni gjetur keqpërdorime të parasë ne MI, në prokurim dhe tenderë?

Zharku: Keqpërdorimet eventuale që mund të kenë ndodhur janë çështje që duhet te hulumtohen dhe trajtohen nga ana e organeve kompetente e jo kabinetit te ministrit.

Gazeta Fjala: Përse është suspenduar shefi i Prokurimit, Nexhat Krasniqi?

Zharku: Zt. Krasniqi si dhe 4 zyrtarë te tjerë janë suspenduar me vendim te sekretarit të përhershëm ne zbatim te nenit 69 te Ligjit për shërbyesit civil i cili obligon suspendimin me pagesë të çdo shërbyesi civil ndaj të cilit është iniciuar procedure penale.

Gazeta Fjala: Prej ardhjes suaj në Ministri po akuzoheni që po i favorizoni kompanitë që kanë lidhje me LDK-në. A do të thotë kjo se po a ktheni borxhin këtyre kompanive që kanë kontribuar në fushatë? 

Zharku: LDK-ja është plotësisht transparente në financimin e aktiviteteve të saja, qofshin ato te rregullta apo zgjedhore, e që vërtetohet nga Raportet financiare të dorëzuara ne KQZ. Mund të konfirmoj se LDK nuk i ka borxh asnjë kompanie ne çfarëdo baze duke u nis nga fakti se pothuajse tere aktivitetet e saj financohen nga paratë publike gjegjësisht nga Fondi për financimin e subjekteve politike i përcaktuar me Ligjin mbi buxhetin. Departamenti i prokurimit është plotësisht i pavarur ne zbatimin e ligjit dhe përzgjedhjen e kontraktoreve me te favorshëm ne përputhje me procedurat tenderuese. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-lutfi-zharku-edhe-nje-autostrade-nise-ne-vitin-2017/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala