Intervistë| Luan Hasanaj: Qeveria po injoron mjedisin e ndotur të Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për ambient, nuk është i mjaftueshëm as edhe për një komunë të vetme marrë parasysh ndotjen e madhe që ekziston në Kosovë.

Kështu shprehet Luan Hasanaj, koordinator i aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

“1% e buxhetit nuk mjafton as për zgjidhjen e problemeve mjedisore në një komunë, është për të ardhur keq që institucionet tona akoma nuk e kanë prioritet mjedisin në fakt është e pa kuptueshme dhe ç’do koment tjetër është i tepërt,” thotë ai.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, e cila këtë javë ka krijuar Zonën e Gjelbër, një hapësirë brenda faqes së gazetës, që do t’i kushtojë rëndësi ambientit në vend, Hasanaj ka thënë se regjioni më i ndotur në vend është Prishtina.

Ai ka ftuar institucionet që të punojnë më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e ambientit të pastër, si dhe në riciklimin e mbeturinave.

Intervista e plotë:
GAZETA FJALA:  Që disa vite me radhë, ju jeni i angazhuan në incitiativën “Ta pastrojmë  Kosovën”, dhe së bashku me vullnetarë të tjerë po merreni me këtë aktivitet.  A jemi gati ta pastrojmë Kosovën?

LUAN HASANAJ:  Me sa po shihet mbetet shumë punë për të bërë që të pastrohet Kosova, nëse e krahasojmë me 5 vite me përpara situata është më e mirë por nuk bëhet fjalë për Kosovë të pastër.

GAZETA FJALA:  Cilat janë sfidat më të mëdha që përballet ambienti në Kosovë?

LUAN HASANAJ:  Mjedisi në Kosovë përballet me shumë sfida, duke filluar nga zbatimi i ligjeve, infrastruktura si dhe mungesa e investimeve në riciklim.

GAZETA FJALA:  Në buxhetin e vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka ndarë vetëm 1% për ambient.  A është i mjaftueshëm ky buxhet për të përmbushur kërkesat e kësaj fushe?

LUAN HASANAJ:  1% e buxhetit nuk mjafton as për zgjidhjen e problemeve mjedisore në një komunë, është për të ardhur keq që institucionet tona akoma nuk e kanë prioritet mjedisin në fakt është e pa kuptueshme dhe ç’do koment tjetër është i tepërt!

GAZETA FJALA:  Çfarë duhet të ndërmarrë shteti që të ndalohet degradimi i ambientit?

LUAN HASANAJ:  Riciklimi është zgjidhja e problemit, shteti duhet të krijoj lehtësira për bizneset të cilat shfaqin interes për investime në këtë fushë, privatizimi i ndërmarrjeve të grumbullimit të mbeturinave.

GAZETA FJALA:  A do të duhej që të investohet më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve rreth ruajtës ambientit në mënyrë që të mos të përballemi me situatë të tillë që kemi sot?

LUAN HASANAJ:  Vetëdijesimi i qytetarëve është ndër faktorët kryesor që do ndikonte edhe në institucionet vendimmarrëse për të ndërruar qasje karshi mjedisit, mirëpo fatkeqësisht ndihma për fushatat vetëdijesuese është simbolike.

GAZETA FJALA:  Cili është rajoni më i ndotur në Kosovë dhe në pastrimin e fundit që është bërë nga organizata juaj, sa tonë mbeturina janë larguar nga aty?

LUAN HASANAJ:  Sipas hartizimit të deponive ilegale të realizuar nga organizata jonë e mbështetur nga organizata qeveritare Gjermane GIZ në Kosovë  gjenden mbi 1300 deponi dhe  rajoni më i ndotur është rajoni i Prishtinës.  Në aksionin e fundit të pastrimit të Kosovës kanë marrë pjesë afër 50mijë qytetarë dhe janë larguar 86 deponi me mbeturina.

GAZETA FJALA:  Sa ka interesim prej mediave dhe publikut në përgjithësi për ambientin?

LUAN HASANAJ:  Unë mendoj qe interesimi për mjedisin në përgjithësi është i vogël nga të gjithë, dhe kjo është arsyeja që e kemi këtë gjendje./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-luan-hasanaj-qeveria-po-injoron-mjedisin-e-ndotur-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala