Intervistë| Jakup Krasniqi: Thaçi është ‘gjellëbërësi’ i kësaj krize politike

Autori:Gazeta Fjala

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe aktualisht Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, e ka quajtur Zëvendëskryeministrin dhe njëherësh Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçin, si “gjellëbërësin kryesor” të situatës së vështire politike nëpër të cilën po kalon vendi pas bllokimit të punës së kuvendit.

Në një intervistë dhënë Gazetës Fjala, Krasniqi ka thënë se Thaçi i ka krijuar vetës komoditet duke e lënë Isa Mustafën të vetëm të ballafaqohet me këtë situatë.

“Edhe pse Thaçi është gjellëbërësi kryesor i kësaj gjelle të keqe, ai është në një pozitë shumë më të mirë se sa kryeministri, i cili e ka marrë në dorë një patate të nxehtë dhe të cilës nuk po mund t’ia gjejë vendin,” ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka folur po ashtu edhe rreth pozicionit të Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli rreth menaxhimit të sitautës në kuvend.

“Veseli është duke vepruar me zgjuarsi do të dëshiroja që ai të vepronte me përgjegjësi, pasi ka një situatë të re. Është situatë e re se Kryeministri po tenton ta anashkaloj Kuvendin si institucionin më të lartë të shtetit nga vendimmarrja, të cilën gjë nuk e kishim në rastin kur është miratua marrëveshja e 19 prillit 2013.”

Por, edhe pse ka pranuar se dallimet në mes të partive politike në vend janë të mëdha, , ai nuk ka mohuar mundësinë që t’i bashkohej partisë së tij të vjetër në një koalicion.

“Në situatën në të cilën jemi është vështirë të thuhet po ose jo, pasi shumëçka është e kushtëzuar nga sistemi zgjedhor i cili nuk të jep shumë mundësi zgjedhjeje. E gjithë çështja është, në Kosovë duhet te ndryshohet qeverisja për tu ndërprerë keq qeverisja.”

Intervista e plotë me Kryetarin e Këshillit  Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi:

 

GAZETA FJALA:  Z. Krasniqi, viti 2014 u karakterizua me një bllokadë institucionale për shkak të ngërçit politik që u krijua pas zgjedhjeve parlamentare.  Edhe këtë vit, për disa javë me radhë, jemi dëshmitarë të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës.  A janë dallimet mes partive politike në vend aq të mëdha që të kemi bllokada të tilla, dhe cila është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo situatë?

JAKUP KRASNIQI:  Po, edhe viti 2014 ka qenë karakterizuar nga një bllokadë institucionale, por pyetja shtrohet, kush e shkaktoj atë bllokadë? Bllokada ka qenë e shkaktuar nga partia numerikisht më e madhe e cila nuk pati aleat për qeverisje dhe Gjykata Kushtetuese me të gjithë ata që e yshten të merrte një vendim jo kushtetues. Në Republikën e Kosovës është instaluar Republika Parlamentare, pra, kemi demokraci parlamentare dhe në demokracinë parlamentare vendosin numrat e përfaqësuesve të popullit. VLAN-i i kishte 63 deputet te shumicës shqiptare që do të thotë nuk kishte asnjë arsyeje për atë bllokadë. VLAN-i jepte një shpresë se do të qeveriset ndryshe. Ndërsa, sa i përket bllokadës së sotme te Kuvendit atë e kanë shkaktuar ata që po ia marrin të drejtën kushtetuese institucionit më të lartë të shtetit për të ratifikuar marrëveshja apo aneks marrëveshje ndërkombëtare. Në ketë rast, opozita e bashkuar është vërë në mbrojtje të Kuvendit te Republikës së Kosovës.

Ndërsa sa i përket pyetjes se a janë dallimet e mëdha mes partive politike, ndoshta edhe janë të mëdha, por faji është i partive të koalicionit të cilat kanë marrë vendime që shkojnë përtej mandatit që kanë partitë që po qeverisin me vendin. Dalja nga kjo situatë është e lehtë, Kryeministri për marrëveshjet e arritura duhej ta kishte edhe mbështetjen e opozitës, gjë që nuk e ka kërkuar, por përkundrazi, Kryeministri ka tentuar të anashkaloj Kuvendin e Kosovës. Kjo çështje është kryekreje e Kuvendit dhe e askujt tjetër. Daljen nga kjo gjendje duhet ta bëjë Kryeministri me tërheqjen e nënshkrimit.

GAZETA FJALA:  Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vazhdon të insistojë që nuk do të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, ashtu sic ju dhe partitë e tjera opozitare keni kërkuar.  A do të vazhdohet pafundësisht bllokimi i kuvendit apo vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme?

JAKUP KRASNIQI:  Opozita i ka disa kërkese, secila është më e arsyeshme se tjetra. Barikadimi i Kryeministrit të cilit nga opozita i janë dhënë disa mundësi, ai duhet ta zgjedhë njërën prej tyre. Nëse ai vazhdon ta injoroj opozitën e bashkuar e shton bllokadën dhe krijon ndërlikime të reja. Kryeministri duhet ta ndryshoj gjuhën e komunikimit si me opozitën e bashkuar ashtu edhe me opinionin e gjerë. Gjuha që ai foli përsëri përmes fb-së, është e pa dinjitetshme për një Kryeministër. Kjo gjuhë e irriton çdo njeri me mend në kokë. Nëse Kryeministri nuk e tërheq nënshkrimin, ai duhet ti jep mundësi një moratoriumi e pastaj zgjedhjeve të parakohshme. Kjo ndoshta është zgjedhja më e mirë. Kjo gjuhë nuk duhet të mbështetet nga askush, qofshin ata vendorë a ndërkombëtar.

GAZETA FJALA:  Në rast se shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, a mund të presim një koalicion të partive opozitare në mënyrë që të sfidohen më seriozisht partitë e koalicionit qeveritar?

JAKUP KRASNIQI:  Opozita është bashkuar për të mbrojtur Republikën nga marrëveshjet e dëmshme të cilat do të reflektojnë jo vetëm në një mandat, por për gjenerata. Këto marrëveshje kanë kërkuar një konsensus nacional dhe ky konsensus nuk ka ekzistuar në këto bisedime politike. Nuk ka standard ndërkombëtar që lejon një ndarje të tillë etnike në Republikën qytetare multietnike të pranuar nga vendorët e ndërkombëtarët. Këto marrëveshje kanë elemente raciste dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Madje këto marrëveshje, nuk janë as marrëveshje kompromisi, pasi Kosova nuk fitoi asgjë, ndërsa Serbia fitoi shumëçka. Kjo për politikën tonë është një komprometim i pa falshëm. Nuk do të kishte kuptim që kjo opozitë e bashkuar mos të shkonte e bashkuar edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

GAZETA FJALA:  Kryeparlamentari  Kadri  Veseli është vënë në presion të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vepruar sic thonë ata, në bazë të rregullores së punës së kuvendit. Kjo nënkupton edhe përdorimin e forcës për të larguar deputetët që po bllokojnë punën.  Si ish kryetar i kuvendit, a mund të na tregoni si do të vepronit po të ishit në vend të z. Veseli?

JAKUP KRASNIQI:  Kryetari Veseli është duke vepruar me zgjuarsi do të dëshiroja që ai të vepronte me përgjegjësi, pasi ka një situatë të re. Është situatë e re se Kryeministri po tenton ta anashkaloj Kuvendin si institucionin më të lartë të shtetit nga vendimmarrja, të cilën gjë nuk e kishim në rastin kur është miratua marrëveshja e 19 prillit 2013. Sa i përket pyetjes sesi do të veproja unë? Do ta mbroja institucionin më të lartë të shtetit, ashtu siç e përcakton Kushtetuta jonë. Dalja është e lehtë, vetëm duhet pasur vullnet për të respektuar Kushtetutën. Çdo këshillim tjetër është anti kushtetues.

GAZETA FJALA:  Në gjithë këtë situatë, duket se e vetmja parti që ka krijuar komoditet është ish-partia e juaj, PDK.  A po vepron Hashim Thaçi si mbret, ashtu siç e keni quajtur më parë, duke e parë veten dhe partinë e tij të pa rrezikuar në gjithë këtë përballje mes pozitës dhe opozitës?

JAKUP KRASNIQI:  Edhe pse Thaçi është gjellëbërësi kryesor i kësaj gjelle të keqe, ai është në një pozitë shumë më të mirë se Kryeministri i cili e ka marrë në dorë një patate të nxehtë dhe të cilës nuk po mund t’ia gjejë vendin. Ndoshta, kjo e ka bërë që të kërkoj ndihma nga të tjerët, më çka është vendosur një praktikë e keqe në institucionet më të lata të vendit dhe vendi nuk qeveriset kështu. Kjo praktikë e qeverisjes ka degraduar si qeverisjen ashtu edhe çdo institucion tjetër të pavarur, mbase edhe të gjitha institucionet e larta te shtetit. Shikoni sesi bëhet vendosja e njerëzve nëpër Borde e Këshilla tjera të pavarura për të cilët vendos koalicioni apo qeveria?! Kështu nuk qeveriset vendi që ka shumë pasuri e pa perspektivë. Kjo duhet të jetë e qartë për cilido që është në politikë në Kosovë. Ndërsa opozita me të drejt është fokusuar te Kryeministri, pasi tani ai është përgjegjësi kryesor në ketë situatë. Firma me iniciale është e Kryeministrit! E Kryeministrit është edhe përgjegjësia.

GAZETA FJALA:  A do ti bashkoheshit PDK-së apo LDK-së në bashkëqeverisje nëse një gjë e tillë kerkohet nga ju?

JAKUP KRASNIQI:  Në situatën në të cilën jemi është vështirë të thuhet po ose jo, pasi shumëçka është e kushtëzuar nga Sistemi zgjedhor i cili nuk të jep shumë mundësi zgjedhjeje. E gjithë çështja është, në Kosovë duhet te ndryshohet qeverisja për tu ndërprerë keq qeverisja. Pasi edhe me koalicionin e madh vetëm çka është përkeqësuar qeverisja në të gjitha segmentet qeverisëse. Ketë ndryshim mund ta bëjë vetëm opozita e bashkuar.

GAZETA FJALA:  PDK ka qeverisur me vendin qe nga viti 2007 dhe ju keni qenë anëtar i kësaj partie për kohë të gjatë.  A mbani edhe ju përgjegjësi për gjendjen e vështirë ekonomike e sociale nëpër të cilën po kalon Kosova?

JAKUP KRASNIQI: Po unë jam një nga themeluesit kryesor të PDK-së dhe pa dyshim njëri nga organizatoret kryesor të saj dhe ketë nuk do ta mohoj kurrë. Por, unë si në opozitë e si në pozitë kam qenë i angazhuar fuqishëm për një qeverisje të mirë, pasi të gjitha qëndrimet i kam pasur publike. Kushdo lehtë mund të verifikoj ketë, duke i marrë e analizuar fjalët e mija si Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së në opozitë dhe fjalët e mija si Kryetar i Kuvendit dhe ato janë publike. Kudo që kam qenë, me pikmëni kam respektuar ligjet dhe Kushtetutën. Kam qenë Ministër i Shërbimeve Publike (2002 -2004), kam qenë Kryetar i Kuvendit (2008 -2014), a keni dëgjuar për ndonjë afër apo keqpërdorim?

Në përgjegjësit e mija jam përpjekur të jam korrekt, kurse përgjegjësit e të tjerëve nuk kam pse i marrë. Shkurt nuk ndjej ndonjë përgjegjësi, pasi me kohë kam ngritë zërin kundër dukurive te këqija edhe në partinë time. Ligjin e kam pasur udhërrëfyesin kryesor. Ketë ndoshta më se miri e tregon puna ime si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Unë kam pas bindjen dhe kam besuar se me ardhjen e PDK-së në qeverisje, do të qeverisim mirë dhe në shërbim te qytetarëve, për çka edhe kishim luftuar e rrezikuar shumë. Është e ditur se zgjedhjet bëhen për Qeveri (Kryeministër) e jo për Kryetar Kuvendi. A keni dëgjuar neper fushata zgjedhore se cili Kryetar i partisë garon të bëhet Kryetar i Kuvendit?/Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-krasniqi-thaci-eshte-gjelleberesi-i-kesaj-krize-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala