Intervistë | Hykmete Bajrami: Zyrtarët e korruptuar të MTI nuk i shkarkova unë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka mbetur pa një numër të zyrtarëve të lartë menaxherial.

Disa janë larguar vetë e disa janë detyruar ta lënë punën. Akuzat për korrupsion, keqpërdorim detyre kanë qenë disa nga arsyet që kanë quar në shtëpi këta zyrtarë dhe kanë përplasur ministren aktuale Hykmete Bajramin me ish ministren Mimoza Kusari Lila.

Për këtë u desh edhe ndërhyrja e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ministrja Bajrami flet për të gjitha këto zhvillime dhe raportet e saj me ish ministren.  Ajo flet për haraçin, barrierat e të bërit biznes e arsyejet e largimit të investitorëve nga vendi.

Edhe 15 vite pas luftës e para e MTI-së thotë se në Kosovë nga mbi 700 pika të karburanteve që janë aktive, pothuajse 50 për qind e tyre kanë operuar pa licencë valide. Ndërkaq, prej 180 testimeve të bëra në vitin 2015 në treg të brendshëm nga Inspektorati i Tregut, 13 raste kanë rezultuar se shesin karburante jo konformë standardeve të lejuara.

Bajrami tregon se këtë vit Kosova i ka punët më mirë me Investimet e Huaja Direkte. Në tremujorin e parë të 2015-ës u investuan gjithsej 87.10 milion euro nga jashtë që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë 100 për qind më shumë.

Gazeta Fjala: Ditë më parë është publikuar një letër e Shefit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ku ju kërkon të mos largoni nga puna disa persona.  A do të thotë kjo se ju po bëni pastrim politik në ministri duke punësuar militant të partisë suaj?

Hykmete Bajrami: Për të qenë më të saktë, unë do të doja t’iu informoja shkurtimisht se kohët e fundit një numër i zyrtarëve të lartë menaxherial kanë dhënë dorëheqje në MTI. Rast i parë është kur një zyrtar i lartë  menaxherial, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve dhe Investimeve në Kosovë (KIESA), dha dorëheqje pasi Policia e Kosovës hapi hetime penale kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare. Në rastin tjetër  Drejtori i Agjencisë së Metrologjisë u pezullua nga detyra pasi ai u arrestua për abuzim të pozitës zyrtare. Në dy raste të tjera, dy nëpunës civil dhanë dorëheqje vullnetarisht, megjithatë unë u informova ndërkohë se këto dorëheqje erdhën gjoja si pasojë e vendimit tim për të ndërprerë sjelljet neglizhente të nëpunësve civilë për të udhëtuar zyrtarisht jashtë shtetit, pa pasur MTI ndonjë përfitim nga këto vizita. Unë dëshiroj të sqaroj se e vetmja ndërhyrje në administratën e MTI-së është kërkesa që kam bërë në Komisionin Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë për të filluar një procedurë disiplinore ndaj Sekretares së Përgjithshëm të MTI-së. Ndër faktet, në të cilat jam bazuar për të mbështetur kërkesën time për inicimin e procedurës disiplinore ishte fakti se shkeljet e të drejtave të nëpunësve civilë u konfirmuan edhe me vendimet e Komisionit për Rishqyrtimin e Ankesave në kuadër të MTI-së dhe me vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës. Shkelje të tjera janë të konfirmuara edhe nga raporti i auditorit të jashtëm ku thuhet se në qershor të vitit 2014, MTI i kishte dhënë subvencion OJQ-së në vlerë prej 20,000 euro. Ajo që e bënë këtë rast të veçantë është fakti se kryetare e bordit drejtues të kësaj OJQ-je është Sekretarja e MTI-së e cila ka vendosur për dhënie të subvencionit. Po ashtu deri në prill të vitit 2014, drejtor ekzekutiv i kësaj OJQ ka qenë ish Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në kuadër të MTI-së. Shefi i zyrës së BE-së ka qenë i keq informuar.

Gazeta Fjala: Cilat janë shkeljet e ish ministres Mimoza Kusari Lila për të cilat ju edhe jeni përplasur shpesh mes vete?

Hykmete Bajrami: Unë nuk kam pasur asnjë tendencë për përplasje, megjithatë zonja Kusari ka qenë ajo që është përplasur me vendimet e mia si ministre. Ajo duhet ta ketë të qartë se tanimë është kryetare e komunës së Gjakovës e jo ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Prandaj do të kishte qenë e udhës që ajo të merret me problemet dhe hallet e banorëve të komunës së Gjakovës.

Gazeta Fjala: Sa njerëz i keni gjetur të punësuar në MTI që sipas jush kanë ardhur me direktivë të ish ministres?

Hykmete Bajrami: Duke u thirrur në Rregulloren nr.29/2012 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, është ndërruar komplet struktura menaxheriale, është krijuar lista rezervë e punëtoreve, ndërkohë janë punësuar të tjerë. Si pasojë e gjithë kësaj MTI-ja ka prirë për ankesat e nëpunësve civilë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës. Po ashtu për vendimet që ky Këshill ka marrë në favor të nëpunësve civilë. Për të gjitha këto të dhëna mund t’i adresoheni Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës.

Gazeta Fjala: Sa ka interesim nga investitorët e huaj për të investuar mjetet e tyre në Kosovë dhe në cilët sektorë?

Hykmete Bajrami: Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë numri i bizneseve me pronarë të huaj të regjistruara gjatë periudhës janar – maj 2015 është 136, kryesisht nga këto shtete: Shqipëri, Turqi, Zvicër, Gjermani, Itali etj., në sektorët tregti, procesim, ndërtim, telekomunikim, veprimtari shërbyese. Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) që funksionon në kuadër të MTI-së, u ofron shërbime të ndryshme kompanive përgjatë procesit të investimit të tyre. Këto kompani janë nga vendet evropiane dhe aziatike nga sektorët e energjisë së ripërtritshme, prodhime farmaceutike, përpunim të lëkurës, produkte organike etj.

Gazeta Fjala: Sa është shuma e investimeve të huaja direkte për vitin 2014 dhe pjesën e parë të këtij viti?

Hykmete Bajrami: Sipas të dhënave të Bankës Qëndrore të Kosovës, Investimet e Huaja Direkte për tremujorin e parë  2015 janë gjithsej 87.10 milion  euro. Gjatë tërë vitit 2014 vlera e IHD-ve ishte 151.3 milion  euro. Mirëpo, nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar T1 2014, ku vlera e investimeve ishte 42.7 milion  euro me T1 2015, kemi një ngritje të investimeve për mbi 100%.

Gazeta Fjala: Cilat shtete prijnë sa i përket interesimit dhe investimeve?

Hykmete Bajrami: Kompanitë të cilat kanë investuar vlerat më të mëdha gjatë periudhës T1 2015 janë nga: Turqia, Zvicra, Gjermania, Austria, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Sllovenia, etj.

Ndërsa, sektorët ku kemi vlerën më të madhe të investimeve gjatë periudhës T1 2015 janë: Patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitetet tjera biznesore: 56 milion  euro. Shërbime financiare: 21.5  milion  euro. Ndërtimi: 8.2 milion  euro. Energjetika: 3.4 milion  euro.

Gazeta Fjala: A është rritur numri i investitorëve që ankohen për barriera të të bërit biznes në Kosovë?

Hykmete Bajrami: Nga informatat që kemi në MTI, nuk kemi vërejtur ndonjë rritje të numrit të ankesave të investitorëve. Përkushtimi i Qeverisë për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, ka ndikuar në rritjen e besimit të investitorëve dhe siç e thamë më lartë kemi rritje të investimeve në pjesën e parë të këtij viti.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si institucioni kryesor përgjegjës për përkrahjen dhe promovimin e investimeve, pranojmë herë pas here ankesa gjatë takimeve me bizneset dhe këto ankesa i adresojmë menjëherë tek institucionet relevante dhe kërkojmë zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre. Për më tepër, në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE) kemi formuar Grupin punues për Çështje legjislative dhe adresimin e ankesave të investitorëve ndaj institucioneve dhe presim që ky grup të koordinoj aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për të trajtuar sa më mirë investitorët e huaj. Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) do të bashkëpunojë ngusht me këtë grup me qëllim të adresimit të barrierave të paraqitura nga bizneset. 

Gazeta Fjala: Sa prej tyre janë ankuar për haraç?

Hykmete Bajrami: Nuk kemi të dhëna të tilla. Ankesat e kësaj natyre zakonisht adresohen tek institucionet e drejtësisë. Edhe ne si MTI nëse pranojmë ankesa të tilla do t’i adresojmë menjëherë tek institucionet relevante.

Gazeta Fjala: Cila është arsyeja kryesore që investitorët po ikin nga Kosova?

Hykmete Bajrami: Nuk kemi informacione kredibile se investitorët po ikin nga Kosova, përveç disa shkrimeve në media. Unë besoj që gjatë këtyre gjashtë muajve të qeverisë së re, kemi krijuar një klimë më të favorshme për investime dhe sic e dini së shpejti do të filloj së zbatuari edhe pakoja e re fiskale e cila do të lehtësojë edhe më tutje investimin në Kosovë. Me këtë pako do të eliminojmë tatimin e dyfishtë dhe do të heqim TVSH-në për lëndën e parë që nuk prodhohet në Kosovë si dhe për makinat që përdoren për prodhim. Prandaj unë besoj që ky vit do të jetë vit i rritjes së investimeve të huaja direkte, dhe asesi vit i ikjes së investitorëve nga Kosova.

Gazeta Fjala: Çfarë kushtesh ofrohen për diasporën kosovare që të investoj në Kosovë?

Hykmete Bajrami: Legjislacioni i trajton njësoj të gjithë investitorët, qofshin ata të huaj apo kosovar. Megjithatë në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE) kemi themeluar Grupi punues për tërheqjen dhe lehtësimin e investimeve nga Diaspora në Kosovë, për t’iu dal në ndihmë edhe bashkatdhetarëve tanë, brenda mundësive legjislative. Grupi do të koordinoj komunikimin ndër-institucional dhe do të adresoj barrierat me të clat përballen investitorët nga diaspora.

Ne jemi të vetdijshmë që në të kaluarën investitorët nga diaspora kanë pasur sfida dhe vështirësi për të investuar në Kosovë, por tani ne tani po i adresojmë ato raste dhe po punojmë shumë për zvogëlimin e burokracisë, rritjen e transparencës dhe luftimin e korrupsionit. Qeveria është e përkushtuar që ta ndihmojë diasporën që ta orientojë kapitalin e saj aty ku mund të prodhohen efekte më të mëdha për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe gjenerohen fitime për investitorët.

Gazeta Fjala: Keni filluar një aksion në fillim të mandatit për t’i mbyllur pikat ilegale dhe ato që shesin karburante jo cilësore. Deri ku ka shkuar ky aksion?

Hykmete Bajrami: Në fakt qëllimi i këtij aksioni nuk është mbyllja e bizneseve, por ngritja e vetëdijes që ato të licencohen dhe legalizohen. Imagjinoni në fund të vitit të kaluar, 15 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, nga mbi 700 pika të karburanteve që janë aktive, pothuajse 50% e tyre kanë operuar pa licencë valide. Për këtë arsye kemi qenë të detyruar që të fillojmë me aksionin për mbylljen e pikave të paligjshme dhe menjëherë pas fillimit të këtij aksioni, operatorët ekonomikë kanë shtuar kërkesat për t’u pajisur me licenca dhe për një kohë relativisht të shkurtër janë paraqitur rreth 150 kërkesa të reja për të ushtruar veprimtarinë e tyre në mënyrë legale. Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës, Inspektorati i Tregut dhe stafi i agjencive tjera relevante kanë punuar me orar të shtuar për t’i pajisur këta operatorë me dokumente përkatëse valide dhe numri i pikave që operojnë pa licencë po zvogëlohet për çdo ditë. Sidoqoftë, aksioni do të vazhdojë deri në licencimin e të gjitha pikave shitëse me karburante.

Gazeta Fjala: Cilat janë kompanitë që kanë shitur naftë jo cilësore?

Hykmete Bajrami: Prej 180 testimeve të bëra ne vitin 2015 në treg të brendshëm nga Inspektorati i Tregut, 13 raste kanë rezultuar jo konforme dhe janë proceduar në gjykatë.

Gazeta Fjala: Kush është fajtor që derivatet e naftës në Kosovë janë të cilësisë së dobët?

Hykmete Bajrami: Nuk pajtohem me konstatimin se cilësia e derivateve të naftës është e dobët, në nivel vendi. Një deklarim i tillë kërkon dëshmi, dhe nëse keni ju lutem na i dërgoni dhe Inspektorati i MTI-së do të marr të gjitha veprimet ligjore për verifikimin e cilësisë dhe nëse konstatohen këto pohime, do të procedojë rastet tek organet kompetente.

Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të mostrave në pikat e shitjes me pakicë dhe shumicë dhe në pikat doganore, por edhe në vlerësimet e konformitetit nga Trupat e autorizuara në pikat doganore, shumica e rezultateve del të jetë konforme. Siç u cek më lartë, rastet që janë gjetur me jokonformitete janë proceduar në gjykatë.

Gazeta Fjala: Përse u krijohen favore naftëtarëve në procesin e fiskalizimit?

Hykmete Bajrami: Unë nuk jam në dijeni për një gjë të tillë. Sidoqoftë për çështjen e fiskalizimit mund të bisedoni me Ministrinë e Financave.

Gazeta Fjala: A do të krijohet rregullatori i çmimeve të derivateve?

Hykmete Bajrami: Mendimi im është që nuk kemi nevojë për rregullator. Në Kosovë, aktualisht janë rreth 40 importues ekonomik të licencuar që merren vetëm me importimin e produkteve të dizelit dhe benzinës. Për shkak të konkurrencës, tregu i karburanteve të naftës në Kosovë është shumë dinamik dhe shpejt e rregullon çmimin e shitjes me pakicë, madje në mënyrë shumë më efikase se sa do ta rregullonte një rregullator. Kjo është dëshmuar me statistika të çmimeve të importit dhe të çmimeve të shitjes me pakicë. Rregullimi i çmimit maksimal apo i marzhës maksimale të shitjes me pakicë bëhet në disa shtete, dhe atë kryesisht në shtetet që nuk kanë konkurrencë të mjaftueshme, pra në tregjet në të cilat operojnë vetëm një numër i vogël i operatorëve ekonomik. Madje edhe disa shtete që kanë pasur rregullator e kanë derregulluar tregun dhe caktimin e çmimeve të derivateve të naftës ia kanë lënë konkurrencës së lirë të tregut.

MTI-ja ka përgatitur projektligjin për Tregti me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtritshme i cili do të sigurojë që tregu i naftës në Kosovë të jetë cilësor, i sigurt dhe konkurrent; do të lehtësoj procedurat administrative dhe do të bëhet më i zbatueshëm. Por, ky projektligj nuk parasheh mundësinë e krijimit të Rregullatorit të çmimeve të derivateve të naftës.

Gazeta Fjala: Cilat janë prioritetet në fushën e turizmit?

Hykmete Bajrami: Ndër prioritetet kryesore është implementimi i kontratës për Projektin për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës. Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është shndërrimi i Parkut Kombëtar ‘Mali Sharr” në një qendër turistike të klasit botëror gjatë tërë vitit, duke përfshirë edhe objektet rekreative për vizitorët lokal dhe ndërkombëtar

Siç e dini, Kosova ofron mundësi të mirë për zhvillimin e turizmit malor dhe alpinizmit, atij kulturor bazuar në trashëgiminë tonë historiko-kulturore. Po ashtu, ekzistojnë potencialet për zhvillimin e turizmit rural, ekologjik dhe turizmit alternativ, prandaj si prioritet i zhvillimit të turizmit është përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe krijimin e  linjave ajrore me shtetet e rajonit  dhe me gjerë, zhvillimi i turizmit ndërkufitar, ofrimi  i paketave të përbashkëta turistike për promovimin e vlerave turistike, rishikimi i legjislacionit në fuqi, në mënyrë që të krijohet një ambient më i përshtatshëm për sektorin privat dhe harmonizimi me atë te BE-se.

Gazeta Fjala: A rrezikohet projekti i Brezovicës nga mungesa e fondeve të investitorit?

Hykmete Bajrami: Në bazë të Kontratës, investitori ka 180 ditë afat prej ditës së nënshkrimit të kontratës me Qeverinë, për të dorëzuar dëshmitë për posedimin e mjeteve financiare, master planin e detajuar si dhe studimet mjedisore përkitazi me projektin. Duke u bazuar në bashkëpunimin e deritashëm me investitorin, presim që ai t’i përmbush të gjitha detyrimet në bazë të kontratës.

Gazeta Fjala: Sa zona të lira ekonomike janë duke funksionuar në Kosovë?

Hykmete Bajrami: Me vendimet e Qeverisë së kaluar, janë të shpallura tri zona ekonomike, si territore komunale në tërësi, pra Komuna e Mitrovicës, Gjakovës dhe Prizrenit. Mirëpo, deri më tani vetëm Komuna e Mitrovicës e ka përcaktuar pronën ku edhe kanë filluar punimet në ndërtimin e infrastrukturës fizike të asaj pjese me përkrahjen financiare të MTI-së. Ndërsa, komuna e Gjakovës dhe Prizrenit ende nuk e kanë kompletuar dokumentacionin për ndonjë pronë ku mund të investohet për ndërtim të zonës.

Ne si MTI jemi të interesuar për themelimin e sa më shumë zonave ekonomike dhe do të përkrahin komunat me aq sa kemi mundësi buxhetore, në mënyrë që të ofrojmë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e bizneseve.

Gazeta Fjala:  Përse Kosova duhet të ketë zona të lira ekonomike derisa është territor i vogël? Pse të mos jetë e tërë Kosova një zonë e lirë ekonomike?

Hykmete Bajrami: Në bazë të Udhëzimit administrativ nr.203/2014, bizneset që vendosen në zonat ekonomike nuk ka ndonjë benefit fiskal apo doganor krahasuar me bizneset tjera. Siç e theksova më lartë, me pakon e re fiskale do të përfitojnë bizneset në të gjithë territorin e Kosovës, pra e tërë Kosova do të jetë një zonë ekonomike. Ajo çka MTI-ja ofron përmes zonave ekonomike apo parqeve industriale është ofrimi i infrastrukturës fizike.

Gazeta Fjala: A priten të merren masa për mbrojtjen e prodhimeve vendees?

Hykmete Bajrami: Aktualisht, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ne bashkëpunim me institucionet relevante është duke i shqyrtuar kërkesat e shoqatave të prodhuesve dhe të përpunuesve të qumështit dhe produkteve të tij. Komisioni për Vlerësimin e Masave Mbrojtëse në Importe dhe Komisioni për Hetimin dhe vendosjen e Masave Anti-Dumping dhe Masave Kundër-balancuese është duke u marrë me rastin dhe brenda një kohe të shkurtër do të dal me të gjeturat dhe rekomandimet për veprimet eventuale.

Gazeta Fjala: Sa kërkesa për zbatim të masave ndaj mallrave të importit kanë qenë vitin  e kaluar dhe në fillim të këtij viti nga kompanitë kosovare?

Hykmete Bajrami: Gjatë vitit 2014 kanë qenë 4 kërkesa, ndërsa gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2015 janë po ashtu 4 kërkesa nga shoqata dhe kompani të sektorëve të ndryshëm.  /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-hykmete-bajrami-zyrtaret-e-korruptuar-te-mti-nuk-i-shkarkova-une/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala