Intervistë: Haki Abazi| “Kosova e Re” me shkelje ligjore dhe e rëndë për buxhetin

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës nuk ka as plan real e as vullnet politik për zhvillim ekonomik të vendit. Veprimet dhe strategjitë e bazuara në interesa klanore dhe me motive të paqarta politike, sipas Haki Abazit, drejtor i Fondacionit “Rockefeller Brothers” për Ballkanin Përëndimor, nuk janë forma të qeverive të suksesshme.

Në intervistë për Gazetën Fjala, ai vlerëson se edhe projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, po bëhet në një skenar që do të rëndonte jashtëzakonisht shumë situatën financiare të vendit. Madje po bëhet edhe duke shkelur ligjet në fuqi.

Abazi thotë se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike me kompaninë Contour Global pa pasur së paku dy oferta për specifikacionin dhe përshkrimin e punëve dhe shërbimeve.

Në këtë intervistë ai sqaron se si institucionet e vendit nuk po marrin parasyshë se ngritja e kapaciteteve të reja energjetike me bazë thëngjillin, ngarkon buxhetin me kosto të panevojshme për zhvendosjen e qytetareve dhe përjashton investimet në efiçiencë dhe burime të ripertritshme.

Gazeta Fjala: A ka nevojë Kosova për termocentralin ’Kosova e Re’?

Haki Abazi: Bazuar në të gjitha studimet dhe analizat ekonomike, mjedisore dhe projeksionit të zhvillimit të spektrit energjetik, bazuar në direktivat dhe targetet e Bashkimit Evropian, përveq që nuk është e nevojshme të ndërtohen kapacitete të reja të linjitit, një skenar i tillë do të rëndonte jashtëzakonisht shumë situatën financiare të vendit, e ngarkon buxhetin me kosto të panevojshme për zhvendosjen e qytetareve dhe përjashton investimet në efiçience dhe burime të ripertritshme.

Gazeta Fjala:  A janë investitorë serioz Contour Global?

Haki Abazi: Nuk do të komentoj seriozitetin e Contour Global, por do të stresoja faktin që marrëdhënia kontraktuale e pasqyruar në MOU, e nënshkruar mes Qeverisë dhe Contour Global, është shkelur ligji për prokurim publik që kërkon së paku dy oferta për specifikacionin dhe përshkrimin e punëve dhe shërbimeve. Kjo gjë nuk ka ndodhur, dhe të dyja palët janë në shkelje të ligjit për prokurim publik të shtetit të Kosovës.

Gazeta Fjala:  A është koha që Kosova të përdorë pasurimin më të madhe nëntokësore, thëngjillin, për prodhimin të energjisë elektrike e zhvillim ekonomik?

Haki Abazi: Kosova është duke përdorur thëngjillin me dekada dhe ky është burimi i 98% të gjenerimit të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë, ky është gjithashtu burimi i shkatërrimit të sipërfaqeve të mëdha të tokës bujqësore, kontaminimit të ujit dhe ajrit, dhe burimi kryesor i sëmundjeve respiratore për të cilat Kosova dhe banorët e saj shpenzojnë afërsisht mbi 100 milion euro në vit dhe gjithashtu kanë jetëgjatësi më të shkurtër për pesë vjet, krahasuar me banorët e shteteve të tjera në rajon. Në vend se të orientohet zhvillimi në kapacitete të reja prej thëngjillit, Kosova dhe i gjithë rajoni, duhet të bëjë hapa në diversifikimin e burimeve për të rritur mixin energjetik dhe kjo përveç që do të sjellte profit për banorët do të përmbushte kriteret e Bashkimit Evropian dhe Marrëveshjes së Parisit për ndryshmiet klimatike. Në hapat specifik, Kosova duhet të bëjë plan nacional për rritjen e efiçiencës, për të zvogluar humbjet teknike dhe komerciale, duhet të krijohet klimë e përshtatshme me masa lehtësuese për investime në teknologjinë e ripërtristshme nga era, dielli, biomasa dhe burimet gjeotermale, hapi tjeter është përfundimi i kornizës ligjore rregullative për liberalizimin e tregut energjetik, financimi dhe përmbushja e kritereve të traktatit të Athinës për lidhjen me transmisionet në regjion. Këto masa janë të domosdoshme për të krijuar sistem energjetik që e ka qytetarin në qendër të strategjisë dhe nevojat e tij.

Gazeta Fjala:  Çka duhet të bëhet me termocentralet ekzistuese në ‘Kosovën A dhe Kosovën B”.  A duhet të mbyllen  ato në vitin 2017, siç është thënë më herët apo do të rinovohen blloqet e tyre?

Haki Abazi: Kosova A duhet të mbyllet sipas planit dhe për të zëvendësuar kapacitetet e Kosovë s A, duhet në mënyre urgjente të punohet në planin dhe zbatimin e tij për efiçiencë dhe zvogëlim të kërkesës për energji elektrike. Duhet në mënyrë urgjente të aktivizohen ngrohtoret e qendrave urbane siç është sistemi i ngrohjes në Gjakovë dhe shtrirja e rrjetit të ngrohjes në të gjitha anët e Prishtinës. Gjithashtu, në mënyrë urgjente duhet vendosur kapacitetet e decentralizuara të energjisë së riprtritshme me panele solare në shtëpi dhe objekte publike. Gjithashtu përfundimi i lidhjes së transmisionit me Shqipërinë duhet të përfundoj këtë vit, për t’i mundësuar Kosovës çaje në tregun energjetik me burime ujore në Shqipëri dhe tregut evropian. Kosova B e rinovuar me filtra modern dhe më efiçiencë maksimale do të duhej të jetë pjesë e miksit energjetik për Kosovën.

Gazeta Fjala:  Cilat janë të metat e kësaj qeverie që nuk po mund të zhvilloj vendin?

Haki Abazi: Kjo qeveri nuk ka as plan real e as vullnet politik për zhvillim ekonomik. Parakusht për zhvillim ekonomik edhe tërheqje të investimeve, është zbatimi agresiv i rendit,  ligjit dhe mbrojtës së investimeve duke ofruar kushte të volitshme për investime. Kjo nuk bëhet duke krijuar kushte prefereciale për ata që nuk e respektojnë ligjin, dhe jashtë procedurave po përdorin investimet për pastrim parash dhe pasurim të shpejtë.

Gazeta Fjala: A besoni se qeveria me në krye kryeministrin Isa Mustafa dhe këtë kabinet qeveritarë mund të përmirësoj gjendjen aktuale sociale e ekonomike në vend?

Haki Abazi:  Qeveria e Isa Mustafes nuk është homgjene dhe ka drejtime sikur vektorët në fushë kaotike. Koalcioni LDK-PDK ashtu siç është thënë edhe në raportin e progresit të Bashkimit Evropian, është duke treguar jo bashkëveprim dhe bashkërenditje të ministrive përkatese, për zbatim të politikave dhe interesave partiake që janë të fokusuar në konsolidimin e fuqisë së kontrollit të sektorit ekonomik / financiar. Veprimet dhe strategjitë e bazuara në interesa klanore dhe me motive të paqarta politike, nuk janë forma të qeverive të suksesshme.

Gazeta Fjala: Cila do të ishte alternative për përmirësimin e imazhit të Kosovës tek investitorët?

Haki Abazi: Ligj dhe zbatim i ligjit pavarësisht se kush është në pyetje. Dmth Ligj- Ligj dhe vetëm Ligj. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-haki-abazi-kosova-e-re-me-shkelje-ligjore-dhe-e-rende-per-buxhetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala