INTERVISTË | Gazmend Qorraj: Kosova të orientohet kah BE, jo kah Turqia

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova nuk po iu ofron kushte të mira investitorëve të vendeve të Bashkimit Evropian. Mungesa e rendit dhe ligjit si dhe pasiguria në investime po i largon ata duke i dhënë mundësi dhe përparësi investitorëve nga lindja, sidomos atyre të Turqisë.

Profesori i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, Gazmend Qorraj në intervistë për Gazetën Fjala, thotë se Kosova duhet ti jap përparësi investitorëve nga vendet e Bashkimit Evropian, sidomos ekonomive të fuqishme si Gjermania. Por, për ti tërhequr ata duhet të krijoj kushte më të mira.

“Investitorët Evropian kërkojnë një garanci më të madhe të investimeve dhe ambient biznesor më të qëndrueshëm, ndërsa investitorët e tjerë më shumë janë të orientuar drejt normave të fitimit, sepse duhet theksuar se në vendet që mungon në nivel të duhur rendi dhe ligji siguria e investimeve është më e ultë ndërsa fitimet më të larta”, thotë Qorraj.

Ai tregon se edhe përfshirja e kosovarëve në luftën e Sirisë krijon një averzion për bashkëpunim potencial dhe investime nga investitorët serioz dhe të qëndrueshëm ekonomikisht.

Kosova, sipas tij, edhe ashtu nuk i ka punët mirë sa i përket marrëdhënieve ekonomike me vendet e BE-së. Ato duhet të përmirësohen, sidomos pas migrimit masiv të vitit të kaluar dhe fillimvitit 2015 të kosovarëve në drejtim të vendeve të BE-së.

Qorraj, thotë se BE, tani më shumë se kurdoherë është e interesuar që të anëtarësohen vendet ë qëndrueshme politikisht dhe ekonomkisht.

GazetaFjala: Si i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me vendet e BE-së?

Qorraj: Siç e dini Kosova ka raporte tregtare me disa nga vendet e BE-së kryesisht importe të mallrave dhe shumë pak exporte. Aspekti tregtar është vetëm një prej komponentëve të mardhënieve ekonomike. Mendoj se marrëdhëniet ekonomike do të ishin shumë më të intensifikuara sikur të kishim investitorë respektivisht firma të fuqishme të BE-së në Kosovë. Roli i investimeve evropiane nuk është i rëndësishëm vetëm në aspektin financiar por edhe në atë që quhet “qeverisje korporative” d.m.th bartja e përvojave nga firmat e BE-së në firmat lokale si dhe bashkëpunimi i formave të ndryshme në projekte të ndryshme inovative të BE-së.

GazetaFjala: Në bazë të trendit të tanishëm, a është Kosova ekonomikisht e orientuar nga Evropa apo nga vendet Aziatike?

Qorraj: Kosova formalisht është vend kandidat potencial për anëtarësim në BE, kështuqë normalisht orientimi i saj politik, ekonomik dhe gjeostrategjik duhet të jetë BE-ja. Por, edhe partneri kryesor ekonomik i Kosovës duhet të jetë BE-ja. Por kohëve të fundit kemi pasur edhe investime apo prezencë të firmave turke në Kosovë. Shikoni ne nuk është mire ti selektojmë investitorët pasi që kemi nevojë të madhe për investime por nga ana tjetër konsideroj se për përparësi duhet dhënë investitorëve nga BE-ja sidomos ekonomive të fuqishme si Gjermania.

GazetaFjala: Cilat janë fushat në të cilat do të duhej të rritej bashkëpunimi ndërkombëtar i Kosovës?

Qorraj: Kosova fillimisht duhet të caktojë përparësitë krahasuese, d.m.th në cilat fusha respektivisht produkte dhe shërbime mund të jetë konkurruese në rajon dhe BE. Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të intensifikohet në të gjitha fushat pasi që BE-ja por edhe SHBA-të ofrojnë shumë mundësi,  fonde dhe programe zhvillimore sidomos në fushën e Edukimit, IT-së , hulumtimeve, inovacionit etj.

GazetaFjala: A kanë bërë mjaftueshëm institucionet e vendit për përmirësim të marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare me BE?

Qorraj: Siç e dini, institucionet e Kosovës gjithmonë që  nga viti 1999 kanë qenë në proces të përmbushjes së kërkesave që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar dhe normal që angazhimi i tyre në aspektin ekonomik ka qenë në plan të dytë.

GazetaFjala: Përse shohim interesim më të madh të investitorëve nga Turqia në Kosovë e jo edhe nga vendet tjera të Evropës?

Qorraj: Investitorët Evropian kërkojnë një garanci më të madhe të investimeve dhe ambient biznesor më të qëndrueshëm, ndërsa investitorët e tjerë më shumë janë të orientuar drejt normave të fitimit, sepse duhet theksuar se në vendet që mungon në nivel të duhur rendi dhe ligji siguria e investimeve është më e ultë ndërsa fitimet më të larta.

GazetaFjala: A është kjo për shkak të politikave ekonomike që ofron shteti i Kosovës?

Qorraj: Patjetër që ndikim të madh kanë politikat ekonomike që ofron Kosova, por edhe potenciali dhe tregu që investitorët e shohin në Kosovë.

GazetaFjala: Cilat janë barrierat kryesore të Kosovës në raport me BE?

Qorraj: Unë konsideroj që BE-ja ka eliminuar shumicën e  barrierave kundrejt Kosovës pasi që Kosova bën pjesë në shumicën e instrumenteve dh programeve të BE-së si : IPA2007-2013, IPA 2014-2020, Horizon 2020, Erasmus, Masat  e tregtisë së lirë si dhe instrumentet e tjera prej të cilave Kosov mund të përfitojë shumë.

E vetmja barrierë e rëndësishme është liberalizimi i vizave për Kosovën ose siç e quajmë liria  e lëvizjes së personave që padyshim kanë një rol shumë të rëndësishëm.

GazetaFjala: Sa ka ndikuar në marrëdhënie ekonomike, përfshirja e kosovarëve në luftën e Sirisë?

Qorraj: Unë konsideroj që kjo përfshirje është në baza individuale, d.m.th janë raste të izoluara dhe po ashtu të gjitha vendet e dinë që Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë kundër një përfshirje ose kundër çfarë do inkriminimi të qytetarëve të Kosovës në këto konflikte. Por nga aspekti tjetër vetë prezenca e konflikteve dhe qoftë edhe përmendja e emrit Kosovë krijon

një averzion për bashkëpunim potencial dhe investime nga investitorët serioz dhe të qëndrueshëm ekonomikisht.

GazetaFjala: Cili është efekti i largimit masiv të kosovarëve nga vendi në proceset integruese të Kosovës?

Qorraj: Çdo tendencë për emigrim e sidomos ai emigrimi masiv i qytetarëve tonë i fllim vitit krijon një skepticizëm te institucionet e BE-së për stabilitetin ekonomik dhe politik të Kosovës, sepse BE-ja ka edhe shumë probleme të tjera si krizën Greke, reformimin institucional dhe çështje të tjera prandaj tani më shumë se kurdoherë është e interesuar që në kuadër të BE-së të anëtarësohen vende të qëndrueshme politikisht dhe ekonomkisht.

GazetaFjala: Cilat janë parakushtet socio-ekonomike për liberalizimin e vizave të Kosovës?

Qorraj: Janë shumë para kushte teknike qe i kërkon BE-ja për liberalizim por unë konsideroj se parakushti kryesor është stabiliteti institucional dhe ekonomik, që në kupton punësim, mirëqenje për qytetarët por edhe shpresë për një të ardhme të mirë për gjeneratat e ardhshme./GazetaFjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-gazmend-qorraj-kosova-te-orientohet-kah-be-jo-kah-turqia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala