Intervistë| Faruk Bojaxhiu: Vazhdon mosndëshkimi i dëmtuesve të pyjeve

Autori:Avdyl Pajaziti

Faruk Bojaxhiu Drejtor për Menaxhim me Pyje, ka thënë se gjatë vitit 2015 kanë vazhduar të ushtrohen padi ndaj zyrtarëve institucional për shkak të dëmtimit të pyjeve në Kosovë. Ai thotë se edhe përkundër ka pasur rritje të këtij trendi gjykatat nuk kanë qenë shumë efektive dhe se shumë pak prej këtyre lëndëve kanë përfunduar.

Në një intervistë për Gazetën Fjala Bojaxhiu ka kritikuar edhe shqiptuesit e dënimeve, pasi sipas tij ka edhe pse ato janë shumë dënime të lehta në shumë raste edhe nuk ndëshkohen fare.

Bojaxhiu thotë se komunat me problematike sa i përket dëmtimit të pyjeve vazhdojnë të mbeten ajo e Deçanit, Podujevës, Suharekës, Ferizajt e Pejës.

Gazeta Fjala: Me çfarë sfidash po përballet Agjencioni për Menaxhimine Pyjeve të Kosovës?

Faruk Bojaxhiu: Agjencia Pyjore e Kosovës është Institucion i cili merret me Menaxhimin e Pyjeve dhe tokave Pyjore, si në pronësi Publike po ashtu edhe me ato Private, sfida kryesore me të cilën ballafaqohet ky Institucion që nga paslufta e këndej, është reduktimi apo zvogëlimi i prerjeve ilegale dhe prerjeve jo të rregullta në pyje. Po ashtu edhe zjarret pyjore janë një problem jashtëzakonisht i madh për sektorin e pyjeve në përgjithësi, edhe pse vitet e fundit ka pasur një përkujdesje më të shtuar për këtë çështje, duke ndikuar direkt në përfshirjen e sipërfaqeve më të vogla me zjarre pyjore.

Gazeta Fjala: Cilat zona kanë qenë më të dëmtuara nga prerja e pyjeve në Kosovë?

Faruk Bojaxhiu: Në përgjithësi probleme me prerje ilegale kanë pasur pothuajse të gjitha Komunat e Kosovës, ku më shumë e ku më pak, por si komuna me problematike vazhdojnë të mbeten ajo e Deçanit, Podujevës, Suharekës, Ferizajt, Pejës, ndërsa komunat që kanë më së paku prerje ilegale janë Istogu, Dragashi dhe Juniku.

Gazeta Fjala: Çfarë masash janë marrë ndaj prerësve ilegal të pyjeve?

Faruk Bojaxhiu: Autoritetet Pyjore Komunale, së bashku me Inspektoriatin Pyjor të Kosovës, kanë ngritur një numër të konsiderueshëm të fletëparaqitjeve si penale po ashtu edhe kundërvajtëse për prerësit ilegal të Pyjeve, por puna e Gjykatave akoma lënë për të dëshiruar, dhe gjobat që shqiptohen janë akoma të lehta, dhe ka edhe shumë raste të tilla kur nuk ndëshkohen fare, për arsye të ndryshme.

Gazeta Fjala: Çka ka ndërmarrë Agjencioni Pyjor i Kosovës në parandalimin e prerjeve të pyjeve?

Faruk Bojaxhiu: Përveç kontrolleve, monitorimeve dhe ndalesave të shumta që bëhen për personat fizik dhe juridik që zhvillojnë aktivitete ilegale në Pyje, viteve të fundit jemi munduar që popullatës rurale t`i krijojmë mundësi për furnizim me dru zjarri për ngrohje, pa pagesë, nëpërmjet aktiviteteve të rrallimeve paratregtare, që ne i kemi realizuar nëpërmjet projekteve të ndryshme, me qëllim që të reduktohen prerjet ilegale.

Gazeta Fjala: A ka pasur mbjellje të reja këtë vit, në cilat zona më shumë?

Faruk Bojaxhiu: Gjatë këtij viti kemi realizuar dy faza të pyllëzimeve të sipërfaqeve të zhveshura, faza e parë është realizuar në pranverën e këtij viti, ku janë pyllëzuar 228ha, dhe faza e dytë është duke u implementuar nga 12 tetori e do të vazhdoj deri nga fundi i muajit nëntor, ku planifikohet të përmbyllet projekti i paraparë për pyllëzimin e 309ha. Të dy projektet janë duke u realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pyllëzimet shtrihen në mënyrë proporcionale në 6 regjionet e Kosovës.

Gazeta Fjala: Është raportuar që gjatë vitit të kaluar ka pasur një numër të madh të fletë paraqitjeve ndaj zyrtarëve institucional lidhur me dëmtimin ilegal të pyjeve. Çka ka ndodhur me këto raste, dhe a ka pasur raste të reja (gjatë këtij viti) të involvimit të zyrtarëve në dëmtimin e pyjeve?

Faruk Bojaxhiu: Është e vërtet se viteve të fundit ka një trend në rritje të ngritjes së padive për zyrtarët institucional, dhe raste të tilla ka pasur edhe këtë vit, në përgjithësi këto padi ngritën nga Inspektoriati Pyjor i Kosovës, me theks të veçantë kundër Rojeve të Pyjeve. Ndërsa për rastet e ngritura më herët, disa procedura janë perfunduar, e disa të tjerë akoma janë duke u shqyrtuar.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-faruk-bojaxhiu-vazhdon-mosndeshkimi-i-demtuesve-te-pyjeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala