Intervistë| Dukagjin Pupovci: UP është kapur nga klanet

Autori:Gazeta Fjala

Cilësia e dobët vazhon të mbetët problemi kryesor i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet e Kosovës, kjo si pasojë e organizimit jo të mirë të punës, menaxhimit të dobët, mësimdhënësve të papërgatitur, prindërve të painteresuar, tekstet mësimore të mangëta e të tjera.

Dukagjin Pupovci, njohës i cështjeve arsimore në një intervistë për Gazetën Fjala ka thënë së në mungesë të cilësisë, nxenësit dhe studentët po dalin të pa pregaditur për tregun e punës.

“Mësimdhënësit ankohen se nxënësve dhe studentëve që kanë mbaruar nivelin më të ulët të shkollimit ju mungojnë aftësitë e lexim-shkrimit dhe numeracionit, si dhe shkathtësitë e tjera të nevojshme për të mësuar. Pastaj, raportohet nga punëdhënësit që, në përgjithësi, janë të pakënaqur me cilësinë e fuqisë punëtore që punësojnë pavarësisht nga nivelin i kualifikimit”.

Problem tjetër i madh sipas Pupovcit konsiderohet të jetë korrupsioni në arsimin universitar, i cili manifestohet përmes regjistrimeve të paligjshme dhe ndërmjetësimeve për nota.

Korrupsioni është prezentë edhe në arsimin parauniversitar por në një formë me të sofistikuar, siç është përfshirja e nxënësve në kurse private e cila shpesh rezulton me zbutje të kriterit ose edhe falje të notave.

Po ashtu edhe insitucioni më i lartë arsimor në Kosovë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është i kapur nga klanet e ndryshme, të cilat përbëhën nga profesorë dhe studentë që veprojnë në përputhje me interesin e mentorve të tyre politik ka thënë ndër të tjerash Pupovci.

Gazeta Fjala: Cilat janë problemet kyçe që e preokupojnë arsimin në Kosovë ?

Pupovci: Problemet e arsimit në Kosovë dallojnë sipas niveleve dhe zonave gjeografike. Në nivelin parashkollor problem është përfshirja e ulët e cila nuk mundëson që fëmijët të përgatiten si duhet për shkollimin e rregullt. Në shkollimin e obligueshëm, në zonat urbane, problem janë klasat e stërngarkuara me nxënës, si edhe në gjimnaze. Në shkollat profesionale mungon puna praktike dhe lidhja me tregun e punës. Infrastruktura është përmirësuar dukshëm, por, në masë të madhe mungojnë mjetet e konkretizimit e, në veçanti, teknologjia e informacionit dhe e komunikimi

Gazeta Fjala: Në çfarë niveli është cilësia e arsimit ?

Pupovci: Problemi më i madh i sistemit të arsimit në Kosovë, i cili është i pranishëm në të gjitha nivelet, është cilësia e dobët. Edhe pse një pohim i tillë nuk mund të argumentohet më rezultate të testeve, pasi këtyre testeve nuk u besohet, cilësia e dobët vërehet gjithandej. Ajo raportohet nga mësimdhënësit e që ankohen se nxënësve dhe studentëve që kanë mbaruar nivelin më të ulët të shkollimit ju mungojnë aftësitë e lexim-shkrimit dhe numeracionit, si dhe shkathtësitë e tjera të nevojshme për të mësuar. Pastaj, raportohet nga punëdhënësit që, në përgjithësi, janë të pakënaqur me cilësinë e fuqisë punëtore që punësojnë pavarësisht nga nivelin i kualifikimit.

Shkaqet për një situatë të tillë janë të shumta: organizimi jo i mirë i punës, menaxhimi i dobët, mësimdhënësit e papërgatitur, prindërit e painteresuar, tekstet mësimore të mangëta e shumë e shumë të tjera. Por, një problem madhor me cilësinë është vet fakti se shumë njerëz nuk e shohin se ekziston ky problem dhe kur një problem nuk e sheh atëherë nuk ka mundësi të merresh me zgjidhjen e tij.

Gazeta Fjala: Sa është i korruptuar sektori i arsimit?

Pupovci: Deri vonë, korrupsioni është manifestuar më shumë në arsimin e lartë, përmes regjistrimeve të paligjshme dhe ndërmjetësimeve për nota, por shpesh korrupsioni merr edhe forma jomonetare, siç është këmbimi i favoreve i cili shpesh rezulton me përfitime për palët e përfshira në të. Ndërkaq, një formë e sofistikuar e korrupsionit në arsimin parauniversitar është përfshirja e nxënësve në kurse private e cila shpesh rezulton me zbutje të kriterit ose edhe falje të notave.

Gazeta Fjala: Sa janë të përgatitur studentët kosovar për tregun e punës?

Pupovci: Edhe ky është një problem i ndërlidhur me cilësinë. Studentët nuk janë të përgatitur sa duhet për tregun e punës dhe për këtë flasin ankesat e shumta të punëdhënësve që thonë se janë të detyruar t’i trajnojnë nga e para. Kuptohet, gjithnjë ekziston një përqindje e studentëve që posedojnë shkathtësi të cilat kërkohen nga tregu i punës, por ata përbëjnë pakicën dhe është gabim nëse në bazë të tyre nxjerrën përfundime. Në fakt, studentët tonë duhet të jenë të përgatitur edhe për tregun evropian të punës, sepse mundësitë e punësimit në Kosovë janë shumë të kufizuara dhe kjo gjendje nuk do të ndryshojë edhe për shumë vjet. Dhe, në këtë aspekt, sistemi i arsimit u mbetet borxh të rinjve.

Gazeta Fjala: Si i komentoni ndodhitë e fundit në Universitetin e Prishtinës, bllokimin e senatit, protestat e studentëve, zgjedhjet e  parakohshme ?

Pupovci: Të gjitha këto kanë qenë të orkestruara nga klanet që me ardhjen e rektorit Zejnullahu i kanë humbur pozicionet prej të cilave kanë bërë keqpërdorime në Universitet. Protestat ndaj rektorit të ri kanë filluar nga dita e parë, sepse klanet e kanë kuptuar se ai nuk është njëri prej tyre dhe nuk do t’i lejojë të regjistrojnë studentë pas afateve, të avancohen me punime false dhe plagjiate. Kjo ka qenë edhe arsyeja e bllokimit të Senatit.

Zgjedhjet e parakohshme janë rezultat i humbjes së legjitimitetit të organeve të Universitetit, duke filluar nga organet e përfaqësimit të studenteve e deri te Këshilli Drejtues. Personalisht, nuk besoj se këto zgjedhje do të sjellin ndonjë ndryshim domethënës. Universiteti tanimë është i kapur nga klanet, ndërsa shumica dërrmuese e profesorëve dhe e studentëve sillen me një konformizëm të pashpjegueshëm ndaj kësaj situate.

Gazeta Fjala: Si e vlerësoni shkarkimin e rektorit Zenjullahu, e më pas rikthimin e tij?

Pupovci: Shkarkimi i rektorit që donte ta bëj ndryshimin dhe t’ia rikthejë Universitetit autoritetin që gëzonte dikur ishte veprim normal nga ana e atyre që nuk plotësojnë asnjë kriter moral dhe akademik për të marrë vendime të tilla. Rektori i shkarkua me kërkesën e njerëzve të cilëve u prekej interesi personal, nga njerëz me biografi më se të dyshimtë akademike, në mesin e të cilëve ka edhe të tillë që u është ulur grada akademike për plagjiaturë. Arsyeja pse u anulua ky vendim ishte reagimi i fuqishëm i opinionit publik që e kuptoi se çfarë në të vërtetë po bënte rektori.  Mendoj se rektori bëri mirë që u rikthye sepse do të ishte e padinjitetshme t’ua linte në dorë Universitetin atyre që nuk lanë gjë pa bërë për ta shkatërruar.

Gazeta Fjala: Sipas jush a është i politizuar Universiteti i Prishtinës?

Pupovci: Një problem i madh i Universitetit të Prishtinës është klanizimi. Klanet përbëhen nga profesorë dhe studentë që veprojnë në përputhje me interesin e tyre dhe këto klane kanë, ndonjëherë, edhe mentorë në politikë. Nuk është që partitë mblidhen dhe caktojnë se kush do të jetë dekan fakulteti ose rektor i Universitetit. Këtë e bëjnë klanet, shpesh me ndihmën e profesorëve që, në opinion njihen si të ndershëm, e në fakt i shërbejnë secilit që ua kryen ndonjë favor. Këto klane rëndom mobilizohen në periudhën e zgjedhjeve, por janë aktive edhe kur duhet mundësuar ndonjë anëtari të vet të sigurojë ndonjë përfitim, si punësimin ose regjistrimin e ndonjë familjari, avancimin e pamerituar e të ngjashme.

Gazeta Fjala: A mendoni që organizata studentore janë pjesë e grupeve mafioze brenda universitetit ?

Pupovci: Një pjesë e mirë e përfaqësuesve studentorë janë përfshirë në veprimtaritë e klaneve edhe kjo është parë edhe nga koha e zgjedhjes së rektorit Zejnullahu. Ka pasur organizata studentore që me ditë e kanë bllokuar Rektoratin me urdhër nga klanet ose mentorët e tyre politikë me kërkesën  vetme për shkarkimin e rektorit. Të mos harrojmë se të gjithë anëtarët studentë të Senatiti kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e rektorit, ndërsa në ditën e shkarkimit disa prej tyre edhe kanë festuar para Rektoratit. E gjithë kjo tregon lidhjen në mes  të përfaqësuesve studentorë dhe klaneve.

Fatkeqësia e këtij Universiteti është se pikërisht këto organizata klanore, të përfshira në veprime të këqija, përsëri fitojnë në zgjedhje. Si duket, tek ne nuk ekziston vetëdija e ndëshkimit të dikujt për veprimet që i bën. Mbase kjo edhe është gjendja që e meritojmë.

Gazeta Fjala: A kanë kapacitete universitetet në Kosovë për të bërë punë kërkimore?

Pupovci: Kapacitetet për punë kërkimore nuk nënkuptojnë gjithnjë posedimin e pajisjeve të shtrenjta laboratorike. Për shembull, hulumtimet në shkenca shoqërore nuk kërkojnë shpenzime të mëdha, por më tepër bëhet fjalë për preokupimet e njerëzve me punë të tjera. Sistemi është i tillë që i mundëson stafit akademik të mbajë numër relativisht të madh të orëve të mësimit, si brenda Universitetit, ashtu edhe jashtë tij. Kur njeriu merr angazhime të kësaj natyre atëherë nuk i mbetet shumë kohë për punë kërkimore.

Gazeta Fjala: Apo mendoni së ka mungesë buxheti për hulumtime dhe e gjithë kjo po ndikon negativisht në cilësinë e programeve post-diplomike?

Pupovci: Puna kërkimore ka rëndësi të veçantë për studime të doktoratës dhe këto studime nuk kanë fare kuptim pa punë kërkimore. Për fat të keq, edhe në këto raste puna kërkimore nuk bëhet në mënyrë të organizuar, por është rezultat i angazhimit individual të ndonjë profesori ose studenti të doktoratës. Buxheti për punë kërkimore është i vogël, por ka edhe probleme të natyrës organizative. Tek ne nuk aplikohet për projekte ndërkombëtare kërkimore, të cilat financohet nga programe evropiane si Horizon 2020. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-dukagjin-pupovci-up-eshte-kapur-nga-klanet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala