Intervistë| Besnik Bislimi: Liderët politik hisedarë edhe në biznese

Autori:Gazeta Fjala

Politika dhe biznesi në Kosovë janë të lidhur ngusht me njëri tjetrin. Liderët politik janë indirekt hisedarë edhe në biznese.

Angazhimi i qeverisë së tanishme jo vetëm që nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të ndjeshëm në raport me qeverinë e mëparshme si kishte proklamuar në start, por përkundrazi vetëm e ka vështirësuar terrenin e të bërit biznes.

Kështu thotë në një intervistë për Gazetën Fjala ish-deputeti i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.

Ai para disa ditësh ka hequr dorë nga mandati i deputeti të Kuvendit.

Pavarësisht se u largua, Bislimi thotë se si deputet ka ushtruar një funksion mjaftë të mirë në Kuvend ku si opozitë kanë qenë të suksesshëm në parandalimin e dëmeve që i janë parapërgatitur vendit, si në rastin e demarkacionit apo edhe krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por Bislimi ka një amanet për qeveritarët tanë. Ai u tërheq atyre vërejtjen nga hapat që mund ta dëmtojnë ekonominë e Kosovës.

Ai thotë se kosovarët kanë mungesë të perspektivës për punë. Sipas ish deputetit të Kuvendit të Kosovës Besnik Bislimi, instituvionet ‘vlojnë’ nga nepotizmi.

“Në një ceremoni diplomimi për studentët e një kolegji privat në Kosovë, edhe ambasdori amerikan në Kosovë me shumë indinjatë foli mu për këtë mungesë perspektive dhe për krijimin e një terreni ku del praktikisht e pamundur të sigurosh një vend pune pa demonstruar lidhje të fuqishme me establishmentin politik”, ka thënë Bislimi për Gazetën Fjala.

Gazeta Fjala: Cili është vlerësimi juaj për situatën socio- ekonomike në vend?

Besnik Bislimi: Në rrafshin ekonomik vërehet një dallim i madh mes pritjeve apo nevojave të qytetarëve; mundësive që ofron vendi, zhvillimeve reale dhe shkallës së prioritizimit nga ana e qeverisë. Rritja e së ardhurës kombëtare apo të ardhurës për kokë banori është shumë e ulët për të lejuar sado pak optimizëm për një konvergjencë eventuale qoftë me vendet e rajonit apo me Bashkimin Evropian. Rritja e evidentuar, edhe nëse i besojmë statistikave zyrtare, vie nga burime të paqëndrueshme dhe në asnjë rast nuk mund t’i atribuohet suksesit të ndonjërës prej politikave qeveritare. Në fakt do të mund të konkludohej se ekonomia ka shënuar një rritje modeste përkundër intervenimit politik.

Angazhimi i qeverisë së tanishme jo vetëm që nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të ndieshëm në raport me qeverinë e mëparshme si kishte proklamuar në start, por përkundrazi vetëm e ka vështirësuar terrenin e të bërit biznes. Dy indikatorët kryesor të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, ulja e papunësisë dhe zbutja e varfërisë nuk po arrihen në terren, por po përmirësohen përmes falsifikimit të statistikave. Adresimi i këtyre problemeve fatkeqësisht ka qenë shumë i fragmentuar dhe asnjëherë si pjesë e një strategjie të mirëmenduar. Madje në shumë raste vendimet e qeverisë kanë vepruar kundër njëri tjetrit duke mos patur asnjë ndikim pozitiv.

Gazeta Fjala: A besoni në statistikat zyrtare se janë punësuar rreth 17 mijë kosovarë vitin e kaluar?

Besnik Bislimi: Nuk mendoj se është shumë me rëndësi a besojmë në këto statistikat e fundit apo jo. Edhe sikur qeveria të kishte të drejtë me konstatimin se njëmend 17.000 persona janë punësuar, kjo nuk e ndryshon kualitetin e politikave të saj. Një analizë bukur sipërfaqësore e materialeve të publikuara shumë lehtë mund të sjellë deri te konkludimi se në fakt ka zvogëlim të punësimit gjatë vitit 2015. Një dobësi e shifrave të publikuara qëndron edhe në vetë metodologjinë e kalkulimit qoftë të popullsisë aktive, qoftë të të atyre që trajtohen si të punësuar. Krahas kësaj imazhi i krijuar për mungesë të alternativave për punësim, apo për punësim vetëm me nepotizëm ka rezultuar në një pjesë bukur të madhe të të papunëve të zhgënjyer të cilët mbesin jashtë çdo statistike zyrtare. Nëse kësaj i shtojmë edhe atë kontigjent të fuqisë punëtore që ka lëshuar Kosovën në fillim të vitit 2015, shumë lehtë, qeveria mund të publikojë ulje të normës së papunësisë edhe nëse numri i vendeve të reja të punës të ketë shënuar rënie. Në një ceremoni diplomimi për studentët e një kolegji privat në Kosovë, edhe ambasdori amerikan në Kosovë me shumë indinjatë foli mu për këtë mungesë perspektive dhe për krijimin e një terreni ku del praktikisht e pamundur të sigurosh një vend pune pa demonstruar lidhje të fuqishme me establishmentin politik.

Gazeta Fjala: A kemi fuqi të kualifikuar punëtore dhe për çfarë duhet të përgatiten kosovarët më shumë?

Besnik Bislimi: Kosova dominohet nga kompanitë mikro dhe të vogla tek të cilat nuk shpërfaqet shumë mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Problemet fillojnë të paraqiten në momentet e zgjerimit të kapaciteteve apo kalimit nga ndërmarrje e vogël në të mesme, dhe nga një ndërmarrje e mesme në një të madhe. Këtu identifikohen deficite të tri natyrave të ndryshme. Vetë kompanitë kanë vështirësi në menaxhimin e resurseve humane, mbase si rrjedhojë e mosekzistimit të asnjë institucioni të edukimit superior që përgatitë kuadro për menaxhim të resurseve humane. Kompanitë poashtu ankohen në mungesën e një harmonizimi mes nevojave të tyre dhe kualifikimeve që ofrohen nga sistemi ynë i edukimit. Dhe së fundmi, edhe nëse kualifikimet janë të duhurat, spektri i njohurive të barten tek studentët jodomosdoshmërisht reflektojnë ato që kërkohen në treg.

Edukimi në përgjithësi lëngon nga një e metë iniciale që buron nga vetë natyra e produktit që fitohet në institucione të arsimit. Diploma universitare ka tipare të një “malli të besueshmërisë” që nënkupton se regjistrimi i një studenti për një drejtim të caktuar profesional nuk mund të mbështetet në përvojat personale në të kaluarën, por detyrimisht duhet të shfrytëzojë informata të besueshme nga të tjerët. Në një mjedis të tillë, sektori publik mund të asistojë si tregun e punës ashtu edhe atë të dijes përmes përcjelljes dhe publikimit të vazhdueshëm të trendeve të punësimit dhe lëvizjes së të ardhurave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Këto informata pastaj mund të shërbejnë si input në vendimmarrjen e kandidatëve potencial për ngritje profesionale.

Gazeta Fjala: Qeveritë e kaluara janë kritikuar për mungesë strategjie. Tanimë kemi një strategji më afatgjatë. Si e vlerësoni Strategjinë kombëtarë të Zhvillimit?

Besnik Bislimi: Në fakt asnjë qeveri e deritanishme nuk është ankuar për mungesë strategjia, përkundrazi, vendi ka vuajtur nga prezenca e shumë “strategjive”, apo dokumenteve që përpiluesit kanë preferuar ti trajtojnë si strategji. Madje edhe qeveria e fundit , apo Thaqi II që është vlersuar si koplet e pa vizion, ka patur strategjinë e famshme të Banskos. Ajo që neve na mungon dhe ka munguar deri më tani, është një dokument konsensual i gjithë spektrit politik mbi kahjet e zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit. Çdo ndërtim i planifikimit afatgjatë që tejkalon mandatin e një qeverie të vendit, imponon krijimin e konsensuzit mbipartiak, në rast se mëton edhe të implementohet deri në fund. Poashtu duhet kuptuar që strategjitë nuk implementohen vetvetiu, porse nevojiten mekanizma të aftë për implementim dhe monitorim të gjithë procesit. Në këtë kontekst, pronësia vendore e strategjisë del imperativ.

Personalisht çdo strategji e shoh si instrument me peshë për të mundësuar arritjen e objektivave kryesore ekonomike apo shoqërore. Por të mos harrojmë se edhe instrumentet më të mira bastardohen në duart e një qeverie jokompetente apo të korruptuar. Përshembull, krijimin i një fondi investiv mund të jetë shumë i dobishëm nëse themelohet dhe administrohet nga jë qeveri leviatane, porse mund të ndihmojë në forcimin e korrupsionit dhe zhyt vendin në obligime shtesë financiare.

 Gazeta Fjala: Ku gaboi Qeveria e Kosovës me ekonominë?

Besnik Bislimi: Për një mjeshtër i cili gjithë kohën përdorë vetëm çekanin, thuhet se me kalimin e kohës, të gjitha problemet i duken si gozhda. Njejtë edhe kjo qeveri, e mësuar vetëm më asfalt dhe me ndryshime tatimore, secilin problem synon ta zgjedhë vetëm me intervenime fiskale dhe investime në infrastrukturë. Njësoj edhe me politikat e puënsimit, të cilat nuk janë reviduar asnjëherë përkundër mungesës së çdo suksesi eventual. Është e logjikshme që nuk mund të ketë ndryshime thelbësore, nse në vazhdimësi aplikon politika të njejta, vetëm e vetëm pse të tillat nuk kërkojnë ndonjë ekspertizë të veçantë. Secili, ama secili politikan në Kosovë, pa marrë parësysh nivelin dhe fushën e profesianlitetit, mund të marrë vendim për numrin e kilometrave që duhet të asfaltohet; për caktim të normave tatimore; apo për vazhdim me politikat e njejta të punësimit. Nëse vazhdimisht japim të njejtin input, nuk e di pse çuditemi edhe kur dështimet në vazhdimësi dalin të njejtat.

Qeveria e z. Mustafa në rrafshin ekonomik është treguar shumë e pavlerë, e paradoksi në politikë është se sa më e pavlerë të jetë qeveria, aq më e kushtueshme rezulton. Hiq ministren e tregtisë e cila mund të dokumentojë mbështetetje profesioale për fushën që e mbulon, cili ministër tjetër i dikastereve ekonomike mund të dëshmojë se disponon qoftë me njohuri bazike të lëmisë ku është i angazhuar. Nga kjo perspektivë nuk duhet të na befasojë as dështimi maestral që po i ndodh Telekomit me performancën e dy viteve të fundit, as projekti i Brezovicës, as Kosova e Re e as loja me Trepçën.

Gazeta Fjala: Si ka ndikuar situata politike në Kosovë tek investitorët e huaj?

Besnik Bislimi: Nëse mendoni në situatën politike të nëntë muajve të fundit, atëherë konstatimi im është se ka patur zero ndikim të investitorët e huaj. Ikja e investitorëve nga Kosova apo mosgatishmëria e tre për të ardhur tek ne është ndikuar nga imazhi i endit tonë si shtet i korruptuar dhe si fole e politikanëve të kyçur në krim të organizuar. E ne jemi kujdesur për më shumë se një dekadë që t’i bindim ata se ky nuk është vetëm percepcion por realitet. Sa shumë raste të kompanive mund të përmendim, që kanë ardhur në Kosovë e kanë ikur me të katërtat, kur eksponentë të lartë të qeverisë ende pa u narë licenca u kanë kërkuar përqinjë në aksione, punësime familjarësh apo ryshfete të majme.

Asnjë vendimmarrës tek ne nuk mund të del dhe flet me kompetencë për identifikim të barrierave pë tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për hapat e ndërmarrë drejt eliminimit të tyre. Krejt çka kemi qenë në gjendje tu themi të huajve është se kemi pozitë gjeostrategjike (edhe pse kurrë se kam kuptuar domethëinien e saj), dhe fuqi të lirë punëtore, fakt ky që në sytë e investitorëve me automatizëm përkthehet në terma si fuqi punëtore e pakualifikuar, apo fuqi blerës e pamjaftueshme.

Gazeta Fjala: Cilët janë sektorët me potencial zhvillimor në vend?

Besnik Bislimi: Sektorët ekonomik ku vendi mund të dëshmojë përparësi komparative nuk janë domenë e debateve akademike, por të njejtit identifikohen nga vetë mjedisi i biznesit përmes tentimeve e gabimeve. SI orientim, mund të them se Kosova ka përparësi komparative në ata sektorë që kërkojnë prezencë intenzive të fuqisë punëtore gjysëm të kualifikuar, apo edhe kushte klimatike të caktuara. Sektori i teknologjisë informative, përpunimi i drurit, përpunimi i produktee ushqimore, kultivimi i produkteve të caktuara bujqësore si sh mjedrat e të ngjashme, janë identifikuar nga vetë komuniteti i biznesit si sektorë potencial ku Kosova mund të eksploatojë përparësitë e saj krahasuese si për depërtim në tregjet e rajonit si për zëvendsësim të importeve nga jashtë.

Gazeta Fjala: Cili do të jetë fati i Brezovicës dhe a prisni që të zgjidhet më shpejtë statusi I Trepçës?

Besnik Bislimi: Për Brezovicën mund të pritet relativisht shpejt të definohet ecuria e procesit, meqë shumë shpejt kalon afati i dhënë konzorciumit francez për të dokumentuar sigurimin e kapitalit të mjaftueshëm financiar për implementimin e fazës së parë të projektit. Tash i gjen apo jo këto 170 milionët e parë, reputacioni i kësaj iniciativë është lënduar pariparueshëm, dhe shumë lehtë mund të ketë jo vetëm devalvim të gjithë projektit por edhe bastardim dhe fragmentim të pakontrolluar të tij. Në rastin e Brezovicës janë bërë gabime përmbajtësore që në start kur është vendosur që i gjithë procesi të finalizohet me një monopol, meqë një opsion i tillë përveç se imponon investitor më të fuqishëm, poashtu edhe nuk ofron garancione për kualitet të shërbimeve.

Te rasti i Trepçës problemi është shumë më i ndërlikuar. Ky ndërlikim vjen kryesist si rezultat i përzierjes së katë faktorëve problematik. Nuk ka asnjë rast tjetër në Kosovë ku për një projekt aq të rëndësishëm si rasti i Trepçës të gërshetohen njëherazi vështirësitë politike që vijnë si nga trajtimi etnik i një problemi ekonomik por edhe nga mungesa e vizionit të qeverisë për hapat e mëtejmë, përzierja e strukturave të dyshimta parapolitike në menxhim të kompleksit, por edhe interferencat e interesave të vetë vendeve mike të Kosovës. Kam frikë se qeveria do të ketë nevojë për shumë dije por edhe guxim për të nxjerrë një vendim që përfundimisht e fut Trepçën në lëvizje. Fatkeqësisht guximi për qeverinë tonë në vazhdimësi ka treguar tipare të ombrellës, e dihet se ombrella zakonisht na mungon atëherë kur na duhet më së shumti.
Gazeta Fjala: Ju gjatë javës së kaluar dhatë dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Cilat janë arsyet e dorëheqjes?

Besnik Bislimi: Në versionin e gjatë arsyet e dorëheqjes i kam bërë të ditura në shkresën drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Ymerit, dhe shefit të grupit parlamentar, z. Konjufca. Ka qenë një periudhë e angazhimit tim politik, ku mendoj se si opozitë kemi qenë bukur të suksesshëm në parandalimin e shumë dëmeve që i janë parapërgatitur vendit, si në rastin e demarkacionit apo edhe krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Jo vetëm që kemi stopuar këto dy iniciativa të qeverisë, por edhe kemi kontribuar në një vetëdijësim komplet të qytetarëve për dëmet dhe rreziqet që burojnë nga këto dy projekte. Mirëpo në sferën ekonomike, ku unë kam shpresuar të ndihmoj me mundësitë e mia, fatkeqësisht nuk është lejuar aspak hapësirë për kontribut, Të gjitha përpjekjet tona për të ndihmuar sadopak në marrjen seriozisht të rëndësisë së buxhetit qëndror të vendit, në forcimin e sektorit lokal si faktor me peshë për zhvillimin ekonomik, në evitimin e gabimeve gjatë ndryshimeve në legjislacionin tatimor, janë ngulfatur pamëshira nga “tirania e numrave” të shumicës. Kjo kokëfortësi e numrave që ka qenë motori i vetëm shtytës i koalicionit qeverisë relativisht shpejt u avancuar në burimin kryesor të energjisë së tyre. Është fakt se gjërat duhet t’i marrim ashtu si vijnë, por si deputet e kemi patur obligim që të mundohemi që gjërat të vijnë ashtu si ne mendojmë se i konvenojnë qytetarëve më shumë.  Unë kam hyrë në parlament me bindje të forta ekonomike, dhe kam qenë i gatshëm të rrezikoj për to. Qëndrimi i mëtejmë aty do të kishte nënkuptuar osë devalvim të këtyre bindjeve ose timin personalisht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-besnik-bislimilideret-politik-hisedare-edhe-ne-biznese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala