Intervistë| Beqir Mezelxhiu: Kosova nuk është e rrezikuar nga radioaktiviteti

Autori:Gazeta Fjala

Qytetarët e Kosovës nuk janë të rrezikuar nga radioaktiviteti. Kosovaret po ashtu nuk duhet të ndihen të rrezikuar as nga mbetjet radioaktive të NATO-s.

Kështu të paktën bën të ditur në një intervistë për Gazetën Fjala, Beqir Mezelxhiu kryeshef i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Mirëpo, Mezelxhiu thotë se shteti ynë nuk disponon kapacitete të mirëfillta teknike dhe profesionale për vlerësimin e plotë radiologjik të Kosovës

Kryeshefi i AMRSB-së tregon se mbetjet radioaktive në Kosovë aktualisht ruhen nga poseduesit e tyre, pasi që nuk ka ende një depo për deponimin e sigurt të tyre.

“Ato janë në gjendje të paketuar dhe vazhdimisht inspektohen nga ana jonë në aspektin e sigurisë dhe sigurimit fizik të tyre. Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm me ndërtimin e një deponije”, tha Mezelxhiu

Në këtë intervistë Mezelxhiu duke folur për punën e Agjencisë kundër rrezatimit duke treguar se Kosova ka nevojë të ketë një Institut kërkimor i cili do të angazhonte apo do të krijonte stafin e nevojshëm profesional dhe kërkimor në këtë lëmi.

Gazeta Fjala:Qytetarët  pak dinë për institucionin tuaj, çfarë roli keni ju si agjenci?

Beqir Mezelxhiu: Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore është Agjenci ekzekutive në Qeverinë e Kosovës përkatësisht në Zyrën e Kryeministrit e cila ushtron fushë veprimtarinë dhe përgjegjësitë e saj në zbatimin e politika dhe standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore. Ky aktivitet nënkupton mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit në funksion të mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore si rezultat i përdorimit të burimeve të rrezatimit jonizues dhe jo-jonizues si dhe të materialeve radioaktive dhe bërthamore për qëllime mjekësore, kërkimore-shkencore, industriale dhe qëllime të tjera të parapara me konventat ndërkombëtare.
Gazeta Fjala:A janë të rrezikuar kosovarët nga radioaktiviteti dhe sa është shqetësuese shkalla e radioaktivitetit në Kosovë?|

Beqir Mezelxhiu: Vlerësimi i rrezikut të mjedisit dhe popullatës në Kosovë nga rrezatimi radioaktiv dhe siguria bërthamore është i domosdoshëm dhe bëhet nëpërmes Sistemit të Monitorimit radiologjik. Sistemi i monitorimit radiologjik realizohet nëpërmes matjeve të ajrit dhe analizave periodike të mostrave të dheut dhe ujit për përdorim njerëzor në gjithë Territorin e Republikës së Kosovës.

Agjencia gjatë hartimit të Strategjisë dhe Planit pesë vjeçar të Veprimit për Implementimin e Strategjisë për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore ka paraqitur si objektiv hartimin e Planit për ndërtimin e Sistemit të Monitorimit. Kjo është mënyra më e mirë e vlerësimit permanent të shkallës së rrezikut radiologjik në Territorin e Kosovës.

Zbatimi i Planit për vlerësimin radiologjik mund dhe duhet të realizohet nëpërmes institucioneve  profesionale vendore, të pajisura me aparatura të sofistikuara për analiza. Më duhet të theksoj se Kosova sot nuk disponon kapacitete të mirëfillta teknike dhe profesionale për vlerësimin e plotë radiologjik të Kosovës.

Gazeta Fjala:Në çfarë forme i siguroni qytetarët se nuk ka rrezik nga rrezatimi?

Beqir Mezelxhiu: Procesin e vlerësimit të rrezikut nga rrezatimi pjesërisht e realizojmë me ndihmën dhe financimin e Qeverisë Belge nëpërmes analizave të dheut dhe ujit në Institutin Kombëtar të Belgjikës për Radioelemente (IRE). Analizat e mostrave të dheut dhe të ujit për përdorim human të mbledhura në territorin e Kosovës, në mënyrë periodike i dërgojmë për analizë në Institutin IRE. Nga analizat e dala dhe nga vlerësimet e bëra nga ky Institut rezulton se dheu dhe uji në territorin e Kosovës është i pastër në aspektin radiologjik dhe është brenda parametrave dhe standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

Në aspektin e paketimit të mbetjeve radioaktive dhe të përcjelljes së shëndetit të përdoruesve të burimeve radioaktive apo përdoruesve të pajisjeve të cilat gjenerojnë rrezatim jonizues kemi angazhuar shërbimin teknik që është Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq. Instituti i Mjekësisë së Punës (IMP) në Obiliq është i vetmi shërbim teknik në Kosovë i cili ka kapacitetet, përvojën dhe stafin e specializuar për t’i kryer këto veprime.

Prandaj, është me rëndësi të theksohet se mbështetja teknike ndaj “Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi” të IMP-së dhe veçmas qartësimi juridik i pozicionit të IMP do të kontribuonte shumë në forcimin e kapaciteteve teknike të Kosovës në mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.

Përvojat e shteteve në regjion tregojnë se vlerësimi permanent radiologjik dhe gjithëpërfshirës realizohet nëpërmes Instituteve Shkencore Vendore për Kërkime Bërthamore siç është rasti me “Institutin e Fizikës Bërthamore” në Tiranë, Institutit “CETI” për kërkime Ekotoksikologjike në Podgoricë, Institutit për kërkime Bërthamore “Jozef Stefan” ne Lubjanë etj.

Prandaj, dua ta theksoj qartë nevojën dhe rëndësinë që Kosova të ketë një Institut të tillë kërkimor i cili do të angazhonte apo do të krijonte stafin e nevojshëm profesional dhe kërkimor në këtë lëmi.

Gazeta Fjala:A ka rrezik Kosova nga mbetjet e bombardimeve të NATOS?

Beqir Mezelxhiu: Në mars të vitit 1999, NATO për qëllime humanitare dhe në mbrojtje të popullatës shqiptare, bëri bombardime në territorin e Kosovës kundër forcave ushtarake dhe paramilitare serbe të cilët kishin për qëllim spastrimin etnik në Kosovë. Që atëherë, filluan të ngritën shqetësimet për rrezikun e shëndetit dhe  ndotjes mjedisore nga uraniumi brenda territorit të Kosovës.

Lidhur me përdorimin e Uraniumit të Varfëruar janë zhvilluar një numër i studimeve të cilat kanë pasur për qëllim vlerësimin e pasojave të përdorimit të uraniumit të varfëruar në kokat e predhave gjatë bombardimeve të NATO në territorin e Kosovës.

Vlerësimi i parë për këtë çështje është bërë nga Organizata për Mbrojtjen e Ambientit e Kombeve të Bashkuara (UNEP) e publikuar në vitin 2001. Gjatë vitit 2001 janë publikuar edhe 5 studime tjera të lidhura me përdorimin e uraniumit të varfëruar në predha të cilat kanë pasur të njëjtat konkluzione me Raportin e Vlerësimit të UNEP-it.

Vlerësimi i përgjithshëm i dalë nga Raporti I UNEP është se rreziku në territorin e Kosovës nga përdorimi i Uraniumit të Varfëruar gjatë bombardimeve është i parëndësishëm.

Në këtë studim vlerësues kanë marë pjesë 14 ekspertë ndërkombëtar nga UNEP-i, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike dhe Qendra Ushtarake e SHBA-së për Promovimin e Shëndetit dhe Mjekësisë Preventive. Për qëllimet e studimit janë mbledhur 161 mostra të cilat janë dërguar për analizë në 4 laboratorë kombëtare: AC-laboratori Spiez Zvicër, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Ambientit (ANPA) Itali, Departamenti për Shkencë në Universitetin e Bristolit të Angli dhe Institutin Suedez për Mbrojtje nga Rrezatimi.

Studimi i fundit lidhur me vlerësimin e situatës radiologjike në Kosovë është bërë nga autorët Fatlume Berisha dhe Ëalter Goessler nga Universiteti Karl-Franzens-Universität Graz, Austri me titull “Uraniumi në ujin e pijes në Kosovë” I cili është publikuar në një revistë shkencore në vitin 2013. Qëllimi I studimit ka qenë prezantimi I një pasqyre të qartë për përqendrimin e uraniumit natyral në ujin e pijshëm dhe të ujërave nëntokësorë të cilat përdoren për konsum nga popullata e Kosovës. Për këtë studim gjatë periudhës qershor 2009 deri mars 2010 janë mbledhur 951 mostra të ujit të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin e Austrisë. Në konkluzionin e këtij punimi thuhet: “Ne në përgjithësi mund të themi se popullata e Kosovës nuk është e rrezikuar nga ekspozimi i uraniumit në ujin e pijshëm”.

Përkundër studimeve dhe konkluzioneve të cilat tregojnë rrezik të parëndësishëm radiologjik nga përdorimi i UV gjatë bombardimeve, Agjencia me mundësitë që ka, vazhdon monitorimin e situatës në territorin e Kosovës nga rreziku i ekspozimit nga uranium nëpërmes mbledhjes së mostrave të dheut, ujit të pijshëm dhe ujit nëntokësor I cili përdoret nga popullata. Mostrat e mbledhura i dërgojmë për analizë dhe vlerësim në Institutin e Belgjikës, ky proces do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016.

Gazeta Fjala:Ku ruhen aktualisht materialet e rrezikshme?

Beqir Mezelxhiu: Aktualisht, mbetjet radioaktive ruhen nga poseduesit e tyre. Ato janë në gjendje të paketuar dhe vazhdimisht inspektohen nga ana jonë në aspektin e sigurisë dhe sigurimit fizik të tyre. Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm me ndërtimin e një deponije për deponimin e sigurte të tyre.

Lidhur me këtë çështje, gjatë implementimit të projektit IPA – 2013 “Në Mbështetje të Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore” është bërë përzgjedhja e lokacionit për deponinë e përkohshme të mbetjeve radioaktive. Vend ndodhja e deponisë do të ishte në Komunën e Obiliqit, brenda hapësirës së KEK-ut. Përzgjedhja e lokacionit është bërë në mënyrë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare nga ekspertët e huaj.

Duke qenë se procesi i përzgjedhjes së lokacionit për deponinë e mbetjeve radioaktive u bë pa konsultime me zyrtarët e Komunës së Obiliqit dhe KEK-ut, projekti dështoi. Nga ana tjetër zyrtarët e Obiliqit dhe të KEK-ut në mënyrë të padrejtë kundërshtuan ndërtimin e deponisë së përkohshme për mbetje radioaktive sepse ajo do të ndërtohej sipas standardeve të parapara ndërkombëtare me financimin e BE-së dhe si e tillë nuk do të paraqiste asnjë lloj rreziku për popullatën dhe për mjedisin. Nga ana tjetër ajo do të shkarkonte Kosovën nga mbetjet radioaktive të pozicionuara nëpër tërë territorin e Kosovës.

Gazeta Fjala:Në rast kërcënimi radioaktiv apo formë tjetër helmi, a ka në Kosovë strehimore për qytetarët dhe si duhet të rregullohet kjo?

Beqir Mezelxhiu: Ndërtimi I strehimoreve për mbrojtje nga rreziku eventual radiologjik është në kompetencë dhe mundësitë e Qeverisë së Kosovës. Në të ardhmen, me krijimin e kushteve Qeveria e Kosovës do të angazhohet në ngritjen e kapaciteteve për strehimin e popullatës nga rreziqet eventuale në rast të ndonjë aksidenti nuklear.
Gazeta Fjala:Sa është numri i Institucioneve shëndetësore të cilat janë në pritje për licencim AKMRrSB-ja?

Beqir Mezelxhiu: Procesi I licencimit të institucioneve shëndetësore të cilat përdorin burime radioaktive dhe pajisje të cilat gjenerojnë rrezatim jonizues është në kompetencë dhe fushë veprimtari të Agjencisë. Ne jemi duke përgatitur draftin e rregullores bashkë me udhëzuesit dhe procedurat për licencim. Në të njëjtën kohë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë jemi duke punuar në krijimin e një baze të të dhënave për të gjitha subjektet të cilat do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit, licencimit dhe inspektimit nga Agjencia. Drafti i rregullores për licencim do të shkojë për miratim në Qeveri. Me miratimin e rregullores dhe hartimit të udhëzuesit dhe procedurave për licencim, do ta zhvillojmë procesin e licencimit me standard të BE-së. Prandaj, presim që së shpejti të fillojmë me procesin e licencimit.

Gazeta Fjala:Cilat janë projektet në të cilat është duke punuar AKMRrSB?

Beqir Mezelxhiu: Projekt me rëndësi për Agjencinë është pjesëmarrja në Projektin “Në ngritje të mëtejme të kapaciteteve teknike të rregullatorëve nuklearë në regjion” I cili është i financuar nga komisioni Europian. Ka qenë shumë me rëndësi për ne që termat e referencës së projektit të përputhen me nevojat gjegjësisht me objektivat e Agjencisë. Sepse, praktika ka treguar që nëse termat e referencës së projektit nuk janë në përputhje me nevojat e Agjencisë projektet po thuajse se kanë dështuar. Pas insistimeve tona kemi rënë dakord me zbatuesin e projektit që fillimisht detyrat e projektit të jenë në asistimin e ekspertëve të huaj për hartimin e draftit të ri të Ligjit për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore i cili do të ishte në përputhje me standardet e BE-së.

Me ekspertët e huaj kemi rënë dakord që të ketë qasje holistike dhe gjithë përfshirëse gjatë procesit të ndërtimit të ligjit bazik për mbrojtje nga rrezatimi dhe rregulloreve suplementare, që do të thotë se Korniza Ligjore nuk do të jetë kopje e kornizave të shteteve tjera por do të ndërtohet krejtësisht mbi dispozitat ligjore të Bashkimit Europian në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.

Në këtë mënyrë, teknikisht do të bëhej transpozimi I plotë I BE acquis në legjislacionin e Kosovës në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore. Detyrimi për ta përafruar legjislacionin kosovar me legjislacionin e BE-së buron nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA-së).

Projekti është i paraparë të implementohet për një periudhë tre vjeçare, pritshmëritë tona për këtë vit janë që drafti i ligjit të ri për mbrojtje nga rrezatimi të fillojë procesin e miratimit në muajin maj. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe në një sërë draft rregulloresh të cilat do të ndihmojnë në implementimin e plotë të ligjit dhe të cilat do të shkojnë në procesin e miratimit në Qeveri pas miratimit të ligjit në parlamentin e Kosovës.

Është me rëndësi të theksohet edhe ndihma profesionale e ekspertëve ligjorë të Zyrës Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të cilët gjatë këtij procesi sigurojnë që Korniza Ligjore e Agjencisë të jetë në përputhje me Legjislacionin e Kosovës.

 

Gazeta Fjala:Sa është buxheti që AKMRrSB-ja ka dhe a është i mjaftueshme për të përmbushur nevojat e agjencisë?

Beqir Mezelxhiu: Buxheti i AKMRrSB-së për vitin 2016 është I njëjti me atë të vitit 2015, që do të thotë se nuk ka pasur ndryshim buxheti. Por, kjo nuk ka shprehur ndonjë pengesë në funksionimin e Agjencisë sepse gjatë vitit 2016 planifikojmë kryesisht veprimtarinë tonë ta shtrime në punët me hartimin e Kornizës Ligjore, inspektime dhe përgatitjen për fillimin e procesit të licencimit. Në vitin 2017 shpresojmë të kemi me kornizën e re dhe të plotë ligjore e cila kërkohet që të implementohet dhe të zbatohet. Prandaj, realisht do të ketë nevojë për shtesë të theksuar të buxhetit në raport me këtë vit e cila do të mundësonte kompletimin dhe trajnimin e stafit.

Gazeta Fjala:Cilat janë sfidat me të cilat përballet AKMRrSB-ja?

Beqir Mezelxhiu: Një prej sfidave kryesore të Agjencisë janë përfundimi dhe miratimi i Kornizës Ligjore. Kjo do ta funksionalizonte Agjencinë sepse sot Agjencia të vetmin instrument ligjor të cilin ka në dispozicion është Ligji për Mbrojtje nga rrezatimi dhe Siguria bërthamore i cili për shumë arsye nuk është i zbatueshëm.

Rëndësi për ne është anëtarësimi i Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike (ANEA), lidhur me këtë çështje jemi takuar me Drejtorin e Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme dhe kemi kërkuar që të iniciohet procesi i anëtarësimit në këtë organizatë me shumë rëndësi për mbështetjen e Kosovës në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria nukleare.

Për shkak të rëndësisë që ka, më duhet ta theksoj edhe një herë se inicimi për ngritjen e një Instituti për Kërkime Bërthamore do të ishte vërtet një sfidë për Agjencinë, Fakultetin e Shkencave dhe Qeverinë e Kosovës. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-beqir-mezelxhiu-kosova-nuk-eshte-e-rrezikuar-nga-radioaktiviteti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala