Intervistë| Bajram Gecaj: Pasuritë e komunave nuk transferohen tek asociacioni

Autori:Avdyl Pajaziti

Bajram Gecaj zëvendësministër i Ministirisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal në një intervistë për Gazetën Fjala duke ju referuar krijimit të Asociacionit ka thënë se kompetencat e MAPL nuk reduktohen në asnjë rast kur krijohen organizata dhe shoqata që nuk janë pjesë e administratës shtetërore.

“Pasuritë e komunave janë dhe mbeten pasuri e komunave. Ato nuk transferohen tek Asociacioni. Prandaj janë dy gjëra të ndara qartazi”.

Sipas tij roli i Asociacionit do të jetë i rëndësishëm në avancimin e vetëqeverisjes lokale që është mision edhe i Ministrisë.

Për mos rrespektimi i ligjit sa i përketë gjuhësisë dhe simboleve Gecaj thotë se në disa raste komunat janë duke u ndeshur edhe me mungesë të kapaciteteve humane dhe financiare për të përmirësuar edhe më ndjeshëm respektimin e gjuhëve.

Gazeta Fjala – Çfarë do të ndryshoj në cilësinë e shërbimeve për qytetarët në komunat veriore me krijimin e asociacionit?

Bajram Grcaj – Asociacioni nuk do të jetë në pozitë të drejtpërdrejt që të bëj ndryshime të mëdha në kualitetin e shërbimeve për qytetarët, pasi që kjo nuk pritet të jetë përgjegjësia e Asociacionit. Por mund të ndihmojë shumë komunat në ngritjen e kapaciteteve të tyre në mënyrë që këto shërbime të përmirësohen.

Gazeta Fjala – Cili do të jetë simboli zyrtar i asociacionit të komunave serbe në veri, pasi me marrëveshje parashihet të ketë simbol të veçantë?

Bajram Gecaj- Simboli i Asociacionit do të jetë në pajtim me Ligjet e Kosovës në mënyrë që të përfaqësojë  natyrën e punës së organizatës, duke përfshirë respektimin e gjuhëve zyrtare.

Gazeta Fjala – A do të reduktohen kompetencat e ministrisë së pushtetit lokal karshi asociacionit?

Bajram Gecaj – Kompetencat e MAPL nuk reduktohen në asnjë rast kur krijohen organizata dhe shoqata që nuk janë pjesë e administratës shtetërore. Sigurisht që roli i Asociacionit do të jetë i rëndësishëm në avancimin e vetëqeverisjes lokale që është edhe mision edhe i Ministrisë.

Gazeta Fjala – Në shumë komuna të Kosovës vërehet mos zbatimi i ligjit sa i përket gjuhësisë dhe simboleve, a janë marrë masa ndaj tyre?

Bajram Gecaj – Në mënyrë permanente MAPL dhe Komisionari i Gjuhëve të Republikës së Kosovës punojnë me komunat që të përmirësohet edhe më tutje respektimi i gjuhëve zyrtare. Ka përparime të mira por në disa raste komunat janë duke u ndeshur edhe me mungesë të kapaciteteve humane dhe financiare për të përmirësuar edhe më ndjeshëm respektimin e gjuhëve. Ne po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim.

Gazeta Fjala – A pritet ndonjë ndryshim nëpër komuna sa i përket shfrytëzimit të pasurive, ashtu sikur edhe do të ketë të drejtë asociacioni në veri?

Bajram Gecaj – Pasuritë e komunave janë dhe mbeten pasuri e komunave. Ato nuk transferohen tek Asociacioni. Prandaj janë dy gjëra të ndara qartazi.

Gazeta Fjala – A po u ofrohen shërbime cilësore komuniteteve nëpër institucionet lokale?

Bajram Gecaj – Shërbimet komunale u ofrohen komuniteteve në baza ditore dhe nga palët e autorizuara me ligj. Kualitete i tyre nuk dallon shumë nga pjesët tjera ku jeton komuniteti shumicë.

Gazeta Fjala – Sa është prezent ndikimi i partive politike në administrimin lokal, në tender, konkurse punësimi e shërbime tjera komunale?

Bajram Gecaj – Në nivelin e zhvillimit të demokracisë që kemi në Kosovë nuk mund të themi me siguri që edhe nuk mund të ketë ndërhyrje arbitrare në raste të izoluara nga menaxhmentet në çështjet që ju keni ngritur; së paku përfolët që ka raste të ndërhyrjeve të tilla. Tani kjo është një luftë e gjatë dhe e vështirë për ta margjinalizuar si një tendencë shumë të keqe në punën dhe kualitetin e funksionimit të komunave por është e dënueshme edhe me ligj, dhe unë personalisht ju premtoi që kudo që ta hasi do ta luftoi.

Gazeta Fjala – Cilat janë telashet më të mëdha me të cilat përballen komunat në Kosovë?

Bajram Gecaj –  Problemi kryesor i komunave janë kapacitetet. Pra kapacitetet në rend të parë financiare e pastaj edhe humane e teknike. / Gazeta Fjala/

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-bajram-gecaj-pasurite-e-komunave-nuk-transferohen-tek-asociacioni/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala