Intervistë |Arian Zeka:Vështirë të besohet se u punësuan 17 mijë persona në vitin 2015

Autori:Gazeta Fjala

Të dhënave numerike të qeverisë së Kosovës se vitin e kaluar janë punësuar 17 mijë persona Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane thotë se u ka munguar një sqarim më i detajuar se në cilët sektorë ose nga cilat investime janë krijuar këto vende të punës.

Sipas tij viti 2015 ka bartur barrën e vitit paraprak [2014] që është karakterizuar me bllokadë institucionale, mungesë reformash, rënie të investimeve të huaja.

“Në terma praktikë duket e pamundur që 17.000 vende të reja të punës të jenë krijuar brenda një viti të vetëm. Do të doja të besoja që një pjesë e vendeve të punës nga kjo shifër të jenë së paku nga luftimi i informalitetit në punësim”, tha Zeka.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Zeka tregon për kompanitë e interesuara amerikane që të investojnë në Kosovë.

Ai thotë se përvec kompanisë amerikane “Contour Global”, e cila do të ndërtoj termocentralit “Kosova e Re” të interesuara për investime në Kosovosë janë edhe kompanitë “Envidity” dhe “Emberclear”.

Zeka në këtë interviste tregon se si ka ndikuar situata politike tek investitorët e huaj, ku gaboi qeveria e Kosovës me ekonominë, a kemi fuqi të kualifikuar punëtore dhe çështje të tjera.

Gazeta Fjala:Si ka ndikuar situata politike në Kosovë tek investitorët e huaj?

Arian Zeka:Faktorët politikë janë faktorë të rëndësishëm dhe me ndikim të madh si në të bërit biznes ashtu edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe në këtë aspekt është e natyrshme që investitorët i kushtojnë rëndësi të madhe edhe analizimit të mjedisit politik, i cili fatkeqësisht nuk është shumë i favorshëm për nxitjen as të investimeve të jashtme e as të brendshme.

Gazeta Fjala:Cilat janë pyetjet më të shpeshta të investitorëve amerikan për Kosovën?

Arian Zeka:Pyetjet e investitorëve potencialë amerikanë janë kryesisht të fokusuara në fuqinë punëtore, politikat fiskale, sundimin e ligjit, madhësinë e tregut dhe qasjen e lirë që Kosova mund të sigurojë në tregjet e tjera. Në këtë drejtim e kemi parë si pozitive edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian dhe eliminimin e kufizimeve në tregtinë e lirë, sepse kjo mund të jetë një pikë tërheqëse për investimet amerikane dhe investimet e tjera të huaja. Natyrisht secili investitor i cili ndodhet para një dileme nëse duhet të investojë në Kosovë ose në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, kërkon të gjejë elementet unike të ofertës tonë për investitorët e huaj dhe fatkeqësisht me gjithë kërkesat e shumta të asociacioneve të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë në këtë vend, nuk po arrijmë të bindim qeverinë që të sjellë ofertën tonë në nivel të ofertës së vendeve të tjera fqinje, e lëre më të flasim për ndonjë aspekt më unik që nuk ofrohet tashmë në vendet e tjera. Pyetje me shumë interes për investitorët, natyrisht mbetet funksionimi i institucioneve dhe shkalla e burokracisë në vend, ku është i nevojshëm vazhdimi i reformave sa për të eliminuar edhe më tej një pjesë të licencave dhe pëlqimeve të cilat mund të konsiderohen si të panevojshme.

Gazeta Fjala:A do të mbetet investimi më I madh amerikan Kosova e re, apo ka edhe plane tjera?

Arian Zeka:Për momentin marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë amerikane “Contour Global”, konsiderohet si investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Kosovë, dhe unë jam jashtëzakonisht i lumtur që një marrëveshje e tillë është arritur me një kompani amerikane dhe në të njëjtën kohë një kompani e cila ka përvojë në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike. Unë jam shumë optimist se prania e një kompanie të tillë në Kosovë, do të përçojë mesazhin e duhur tek investitorët e tjerë të cilët kanë pasur interesim për investim në Kosovë, por të cilët për arsye të ndryshme, përfshirë edhe vonesat burokratike, nuk kanë marrë vendim për shtrirje të investimeve të tyre në Kosovë. Më duhet patjetër të përmend këtu edhe kompaninë kanadezo-amerikane “Envidity”, e cila poashtu ka plane për investime qindramilionshe në sektorin e energjisë, e poashtu edhe kompaninë tjetër amerikane “Emberclear”, të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për investim në Kosovë tash e disa vite. Unë besoj që përveq sektorit energjetik, dhe këtu nuk mendoj vetëm për gjenerimin por edhe për zgjidhje që rrisin efiçencën energjetike, Kosova ofron edhe potenciale të tjera për kompanitë amerikane, përfshirë edhe sektorin e teknologjisë së informacionit.

Gazeta Fjala:Cilët janë sektorët me potencial zhvillimor në vend?

Arian Zeka:Nga ajo që thash më herët, pa dyshim se sektorët e energjisë dhe minierave mbeten sektorë të rëndësishëm që ofrojnë potencial të madh për tërheqjen e investimeve dhe rrjedhimisht edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Sektorë të tjerë janë natyrisht sektorët e lidhur me bujqësinë dhe agro-biznesin. Besoj që ka potencial të madh për investime në industrinë e përpunimit të ushqimit. E përmenda poashtu edhe sektorin e teknologjisë së informacionit si një sektor me potencial dhe besoj që së paku në këtë sektor, një kujdes më i shtuar për kualifikimin e mirëfilltë të fuqisë punëtore, do të na mundësonte të rrisnim kapacitetet për ofrimin e shërbimeve të ndryshme që kanë për bazë teknologjinë e informacionit, duke i hapur kështu vendit një perspektivë të re zhvillimore – atë të ekonomisë digjitale.

Gazeta Fjala:Ku gaboi Qeveria e Kosovës me ekonominë?

Arian Zeka:Gabimet janë shumëpalëshe dhe shumëdimensionale, por që natyrisht barra më e rëndë e përgjegjësisë bie mbi të gjitha Qeveritë, posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Mungesa e interaksionit me përfaqësuesit e sektorit privat dhe me ekspertët e ekonomisë, mungesa e një koordinimi më të mirëfilltë ndërmjet dikastereve të ndryshëm qeveritarë, moscaktimi i prioriteteve zhvillimore e me këtë edhe mungesa e një strategjie nacionale zhvillimore, ngathtësia në reduktimin e burokracisë, perceptimi i keq për korrupsionin që vendi i ka ndërtuar vetes ndër vite dhe aq më keq mungesa e përpjekjeve për eliminimin e tij, sundimi i dobët i ligjit dhe mosfunksionimi i gjykatave janë disa prej aspekteve që e kanë përcjellë vendin gjatë gjithë këtyre viteve. Dhe jo rastësisht e përmenda dialogun me sektorin privat të parin, sepse ka pasur aq shumë rekomandime dhe propozime të shëndosha të asociacioneve të biznesit, por edhe të organizatave të tjera të shoqërisë civile në vend, sa që Qeveria do ta kishte fare lehtë të ndërpriste disa nga gabimet e periudhës kur vendi administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ose të shmangte disa nga gabimet të cilat i kanë bërë vendet e tjera fqinje në fazën e tyre të tranzicionit. Në këtë aspekt, nuk bënë pa përmendur që politikat fiskale nuk kanë qenë aspak të favorshme për forcimin e bazës industriale dhe prodhuese në vend, si dhe rrjedhimisht përmirësimin e bilancit tregtar. Megjithatë, për të mos vajtuar shumë të kaluarën, tani duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë të përmirësojmë këto gabime. Vitin e kaluar, Qeveria ka nisur ndryshimin e legjislacionit fiskal duke marrë kështu në konsideratë disa prej kërkesave të kamotshme të sektorit privat, përfshirë këtu edhe Odën Ekonomike Amerikane. Viti 2015 shënon një moment të ri për prodhuesit vendor, me hyrjen në fuqi të lirimeve tatimore për makineritë, por edhe me një ligj të ri të të ardhurave në korporata i cili mundëson hyrjen në fuqi të pushimeve tatimore. Së fundmi është miratuar edhe ligji i ri mbi prokurimin publik, i cili do të ngrisë transparencën në shpenzimin e financave publike, e me këtë edhe të zvogëlojë mundësitë e korrupsionit. Megjithatë, të gjitha këto veprime nuk duhet të çojnë në vetëkënaqësi të institucioneve dhe eufori të tepruar, meqë mbetet ende shumë punë për të bërë. Duhet vazhdohet me kompletimin e reformës fiskale duke liruar nga detyrimet doganore të gjitha lëndët e para të cilat nuk prodhohen në vend. Gradualisht duhet të fillojmë të analizojmë ofertën e vendeve të rajonit për investitorët e huaj, dhe të fillojmë të integrojmë edhe ne elemente të këtyre ofertave në legjislacionin tonë, së paku për të barazuar ofertën tonë me atë të vendeve të rajonit, e pse jo edhe të sjellim diçka unike që nuk e kanë vendet e rajonit. Kam përshtypjen se gjithçka po ndodh në mënyrë të pastrukturuar dhe të pamenduar mirë. Le t’i kthehemi vendimit për themelimin në vitin 2013 të zonave të lira ekonomike dhe të shohim ku jemi sot – asnjëra prej tyre nuk është funksionalizuar. Për të gjitha këto çështje, unë besoj që Kosova tashmë ka edhe mekanizma të mirëfilltë ku këto mund të diskutohen dhe zgjidhen në mënyrë institucionale, siç është rasti me Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili megjithatë ka mundur të bëjë punë shumë më të mirë në këto 4 vite të funksionimit.

Gazeta Fjala:A kemi fuqi të kualifikuar punëtore dhe për çfarë duhet të përgatiten kosovarët më shumë?

Arian Zeka:Kapitali njerëzor është një ndër shqetësimet e sektorit privat dhe në veçanti i investitorëve të huaj. Dhe natyrisht që në të gjitha forumet e mundshme e kemi përcjellë një shqetësim të tillë, duke kërkuar një dialog më të madh ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat, ashtu që oferta të përshtatet më shumë me kërkesën. Duke i parë trendet globale të zhvillimit të ekonomisë  digjitale, dhe parashikimet se avancimet teknologjike do të eliminojnë mbi 80% të proceseve dhe produkteve momentale, atëherë një sugjerim për të rinjtë është që të arsimohen dhe përgatiten për profesionet e të ardhmes. Profesionet që janë të lidhura me teknologjinë e bazuar në internet, meqë deri në 2025 parashihet që vlera e kësaj teknologjie anembanë botës do të jetë mbi 6 trilionë dollarë amerikanë, derisa vetëm ndikimi i përgjithshëm ekonomik i konceptit të ri zhvillimor i njohur si “interneti i gjërave” parashihet ndërmjet 4 dhe 11 trilionë dollarë amerikanë. Në këtë aspekt, unë e shoh si më se urgjent edhe fillimin e zbatimit nga ana e institucioneve të Kosovës të Strategjisë për Informacion dhe Zhvillim të Teknologjisë.

Gazeta Fjala:A besoni në statistikat zyrtare se janë punësuar rreth 17 mijë kosovarë vjet?

Arian Zeka:Këtyre të dhënave numerike u ka munguar edhe një sqarim më i detajuar se në cilët sektorë ose nga cilat investime janë krijuar këto vende të punës. Këtë e them duke e ditur se viti 2015 ka pasuar një vit i cili është karakterizuar me bllokadë institucionale, mungesë reformash, rënie të investimeve të huaja, dhe në terma praktikë duket e pamundur që 17.000 vende të reja të punës të jenë krijuar brenda një viti të vetëm. Do të doja të besoja që një pjesë e vendeve të punës nga kjo shifër të jenë së paku nga luftimi i informalitetit në punësim.

Gazeta Fjala:Si e vlerësoni Strategjinë kombëtare të zhvillimit?

Arian Zeka:Strategjia Kombëtare Zhvillimore e aprovuar para disa javësh, do të shërbejë si një udhërrëfyes i mirë për drejtimin që institucionet duhet ndjekur, sa për të mundësuar një koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe për të eliminuar dyfishimin e përpjekjeve, meqë e thash më sipër se koordinimi ndërmjet institucioneve ka qenë gjithmonë i mangët. Në të kaluarën kemi pasur disa strategji sektoriale, të cilat, pa dashur të komentoj nëse janë zbatuar ose jo, nuk kanë qenë të harmonizuara njëra me tjetrën dhe nuk kanë pasur një dokument strategjik ombrellë, në të cilin do të mbështetshin strategjitë sektoriale. Dhe rrjedhimisht në një situatë të tillë edhe përpjekjet dhe veprimet e institucioneve kanë qenë jo të harmonizuara. Besoj që edhe fushat prioritare të identifikuara në strategji janë ato në të cilat vendi duhet të fokusohet në periudhën e ardhshme, dhe aty pashmangshëm bënë pjesë edhe kapitali njerëzor.

Gazeta Fjala:Cili do të jetë fati i Brezovicës dhe a prisni që të zgjidhet më shpejtë statusi I Trepçës?

Arian Zeka:Zhvillimi i ardhshëm i qendrës rekreative Brezovica, padyshim se do të jetë i lidhur dhe i mundshëm vetëm me përfshirjen e kapitalit privat, megjithatë nuk mund të japë një përgjigje se çfarë do të ndodhë në përfundim të afatit që i është caktuar konsorciumit të përzgjedhur. Duke i ditur përpjekjet që janë bërë në përgatitjen e projektit për privatizimin e qendrës rekreative Brezovica dhe një punë të mirë që kanë bërë konsulentët e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID), nuk do të ishte lajm i mirë anulimi i tërë procesit, e rrjedhimisht dështimi i procesit. Tashmë, kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me vonesat a vazhdueshme, megjithatë nëse projekti konkretizohet me marrëveshjen finale për investim, atëherë edhe vonesat dhe shtyrjet do të arsyetoheshin. Dhe kur flitet për përfshirjen e kapitalit privat atëherë padyshim se si në rastin e Brezovicës, e njëjta duhet edhe për kompleksin minerar “Trepça”. Me kapacitetet momentale të shtetit, nuk shoh asnjë mundësi që “Trepça” të zhvillohet me investime të cilat burim do të kishin financat publike. Vetëm ndërrimi i statusit të ndërmarrjes nga ndërmarrja shoqërore në publike ose tjetër nuk është zgjidhje për problemet me të cilat përballet “Trepça”, e as shfrytëzim maksimal i potencialeve të cilat ajo i ofron për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-arian-zekaveshtire-te-besohet-se-u-punesuan-17-persona-ne-vitin-2015/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala