Intervistë | Alfred Moisiu: Kosova rrezikohet nga  ata që kthen nga Siria!

Autori:Gazeta Fjala

Bashkimi Evropian po përdor standarde të dyfishta duke u dhënë më shumë të drejta  serbëve në veriun e Mitrovicës se sa shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Unë e kam parë këtë situatë e cila nuk është aspak e drejtë.  Politikanët tanë për këtë gjë duhet të luftojnë. Brenda të gjitha normave demokratike, mirëkuptimit pa shkelur faktin se ne duhet të jemi mirënjohës ndaj SHBA-ve”, tërheqë vërejtjen ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ai vlerëson se situata politike në Kosovë nuk është e qetë. Sipas tij politikanët në Kosovë duhet të bashkojnë forcat dhe shqyrtojnë  mundësitë se si të kalohet kjo situatë.

Moisiu, edhe si njohësi i çështjeve të sigurisë, ka theksuar se Kosova e Shqipëria duhet të kenë kujdes nga sulmet e mundshme terroriste. Sipas tij rreziku më i madh i vjen Kosovës nga të rinjtë që janë kthyer në vend nga Siria.

“Ata janë armatosur  me ideologjinë e ISIS-it, por edhe me metodat  e tyre të luftës dhe ata bëjnë një punë të çuditshme, bëjnë një shpëlarje të paparë të trurit për mendimin tim. Duhet të jemi të gatshëm që të mos kapemi në befasi nga këto sulme”, ka deklaruar ish-presidenti Moisiu.

Ai ndër të tjerash thotë se Kosova duhet patjetër që sa më parë të ketë ushtrinë e saj.

“Kemi disa pengesa të konjukturave ndërkombëtare por ama ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për ta bërë Kosovën zyrtarisht me ushtri”, ka thënë Moisiu.

Ish-presidenti ka qëndruar dy ditë në Kosovë ku edhe ka mbajtur një ligjëratë me studentët e kolegjit ISPE ku edhe është dekoruar me medaljen ‘HonoriseCauza”.

Gazeta Fjala: Zt. Moisiu, si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Alfred Moisiu: Në një demokraci të re siç është Kosova  po edhe Republika e Shqipërisë, ka probleme. Unë zakonisht e quaj demokracinë tonë infantile, pavarësisht se ka 25 vjet ne akoma jemi në kopsht. Këtu është historia e zhvillimit politik të dy vendeve tona. Duhet shumë kujdes nga ana  e politikanëve kosovarë, sepse për të bërë diçka duhet shumë kohë, por për ta prishur është shumë kollaj, shumë lehtë. Ne nuk duhet të ndjekim gojëdhënat e Rozafës që ndërtojnë ditën  prishin natën. Pra unë shpresoj që politikanët kosovarë do të gjejnë forcat dhe mundësitë që ta kapërcejnë këtë krizë sa më parë. Partitë duhet menduar në radhë të parë për Kosovën, për popullin për një të ardhme sa ma të mirë për këtë vend.

Gazeta Fjala: Keni thënë se Kosova është krahinë e Shqipërisë, sa larg është bërja realitet e kësaj?

Alfred Moisiu: Ky është një realitet që historikisht i ka takuar të dy shteteve. Për fat të  keq ne shqiptarët si komb kemi pësuar shumë tundime nga padrejtësitë që na janë bërë. Jemi një komb që nuk kemi pas miq, sllavët e kanë Rusinë dhe ata si vend ku është zhvilluar antikiteti i lashtë grek. Por sot është mirë se kemi një mik të madh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në sajë të ndihmës dhe mbështetjes së tyre u arrit edhe pavarësia e Kosovës.  Kjo sigurisht edhe me ndihmën e UÇK-së. Pra ne gjithë këto fakte duhet ti kemi mirë parasysh. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe pavarësisht që disa gjëra nuk na pëlqejnë duhet t’i pranojmë.

Gazeta Fjala: Keni dhënë kritika ndaj Bashkimit Evropian lidhur me qasjen e  tij ndaj Kosovës, për çka saktësisht e keni pasur fjalën?

Alfred Moisiu:  Unë kam kritikuar hapur Bashkimin Evropian për standarde të dyfishta sepse tjera të drejta ju jep serbëve në Mitrovicë të Veriut, dhe aspak  të drejta nuk kanë shqiptarët tanë në Luginën e Preshevës. Unë kam qenë atje dhe e kam parë  mirë situatën që është diametralisht e kundërt gjë e cila nuk është e drejtë. Politikanët tanë për këtë gjë duhet të luftojnë. Brenda të gjitha normave demokratike, mirëkuptimit pa shkelur faktin se ne duhet të jemi mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe Evropës për atë që kanë bërë për shqiptarët deri tani. Politikanët kosovarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm që këto situate që mos t’i keqpërdorin për një zhvillim të vendeve tona.

Gazeta Fjala: Vetëvendosje është e vetmja parti që e promovon Bashkimin Kombëtarë në Kosovë. A e shihni si alternativë politike në Qeveri?

Alfred Moisiu: Unë i përkas një brezi që është rritur me një këngë që e kemi kënduar në vitet 19937-38. “Për Kosovë e Çamëri ja vdekje ja liri”, kështu thonë vargjet e këngës. Sot ka ikur koha nuk  themi më ja vdekje ja liri, se kjo i bie që luftë, por ne kemi arritur shumë gjëra. Kosova tashmë është vend I lire, i pavarur, por edhe një shtet i BE-së.

Gazeta Fjala: Si e vlerësoni zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës?

Alfred Moisiu: Unë e kam ndjekur këtë situatë.  Për zgjedhjen e Thaçit është ndjekur Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës dhe unë shpresojë që zoti Thaçi ta ushtrojë detyrën e tij ashtu siç e kërkon kushtetuta dhe interesat e popullit të Kosovës.

Gazeta Fjala: A rrezikohet Kosova dhe Shqipëria nga terrorizmi?

Alfred Moisiu: Unë mendoj që ne nuk jemi objekti sulmeve terroriste në Kosovë.  Kosova e Shqipëria nuk paraqet interes për shtetin islamik për këtë punë. ISIS do qendrat kryesore që të ketë mediatizim maksimal për të treguar forcën dhe  servilitetin e tyre për të arritur objektivat që ata kanë. Por kjo nuk do të thotë që ne jemi të  pa rrezikuar. Mendimi im është që rreziku kryesor vjen nga shqiptarët që kanë shkuar nga Shqipëria e nga Kosova në Siri e që janë kthyer në Kosovë. Ata janë armatosur  me ideologjinë e ISIS-it, por edhe me metodat  e tyre të luftës dhe ata bëjnë një punë të çuditshme, bëjnë një shpëlarje të paparë të trurit të paparë për mendimin tim, që të shkojë djali dhe vajza 20 vjeçe dhe të hedhin vetën në erë kjo është një diçka e pakuptimtë. Duhet të jemi të gatshëm që të mos kapemi në befasi nga këto sulme.

Gazeta Fjala: A duhet që Kosova ta ketë ushtrinë e saj?

Alfred Moisiu: Kosova duhet patjetër që sa më parë të ketë ushtrinë e saj. Kosova është në fazat e hershme të zhvillimit të saj. Kosova është një shtet i mirë i Evropë. Ka ato fazat e saja të kalimit. Kemi disa pengesa të konjukturave ndërkombëtare, por ama ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për ta bërë Kosovën zyrtarisht me ushtri./GazetaFjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-alfred-moisiu-kosova-rrezikohet-nga-ata-qe-kthen-nga-siria/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala