Intervistë | Agron Demi: Liderët politik hisedarë edhe në biznese

Autori:Avdyl Pajaziti

Politika dhe biznesi në Kosovë janë të lidhur ngusht me njëri tjetrin. Liderët politik janë indirekt hisedarë edhe në biznese. Çfarëdo që u ndodh atyre, qoftë për mirë ose për keq, do të ndikoj në ekonomi.

Arrestimi eventual i shumë figurave të njohura të politikës në vend nga Gjykata Speciale, do të vë në rrezik shumë biznese të krijuara në krah të pushtetit.

Përveq kësaj, Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara – GAP, Agron Demi në intervistë për Gazetën Fjala, tërheqë vërejtjen se ajo çfarë mund të dëmtoj ekonominë dhe sidomos investimet e huaja është vazhdimi i praktikës ku zyrtarë të lartë publik qeverisin edhe pas akuzave të ngritura, edhe pas dënimeve të shqiptuara, madje edhe nga burgu.

Ai paralajmëron për një përkeqësim të gjendjes socio-ekonomike në vend me trendin aktual të angazhimit të institucioneve në këtë drejtim.

Sipas tij, fuqia blerëse e konsumatorëve kosovarë po bie, investimet e huaja po bien, papunësia është rritur, e gjitha këto probleme nuk do të zgjidhen vetëm përmes ndryshimit të shkallëve tatimore.

Demi thotë se Qeveria nuk po dëshmon gatishmërinë për të luftuar korrupsionin dhe po vazhdon të keqpërdorë paratë e taksapaguesve. Vetëm vitin 2014 në minimum 118 milion euro janë shpërndarë jashtë procedurave ligjore.

 Gazeta Fjala: Cili do të jetë ndikimi i Gjykatës Speciale në ekonominë e Kosovës?

Agron Demi: Është e vështirë të shpjegohen efektet e Gjykatës Speciale në ekonomi. Kjo edhe për faktin se ende nuk dihet se kush do të jetë i akuzuar nga kjo gjykatë. Mirëpo, ajo çfarë mund të dëmtoj ekonominë dhe sidomos investimet e huaja është vazhdimi i praktikës ku zyrtarë të lartë publik qeverisin edhe pas akuzave të ngritura, edhe pas dënimeve të shqiptuara, madje edhe nga burgu.

Gazeta Fjala: Në Kosovë shumë biznese janë të lidhura me politikën, cili do të jetë fati i tyre?

Agron Demi: Kur politikanët kanë hise të madhe ne ekonomi, ashtu sikurse në rastin e Kosovës, çfarëdo që u ndodh atyre, qoftë për mirë ose për keq, ka ndikim edhe në ekonomi. Për shembull, në kohën kur Suharto qeveriste në Indonezi, pas çdo sëmundje shëndetësore që përballej Suharto, bizneset e të afërmeve të tij pësonin rënie në bursë. Nuk dua të keqkuptohem, nuk po i krahasoj liderët politik kosovarë me regjimin e Suhartos, por Indonezia dhe vende tjera mund të merren si shembull se çfarë u ndodh bizneseve në rastet kur liderët politik kanë lidhje të ngushta me bizneset e mëdha. E në Kosovë, liderët politik janë indirekt hisedarë edhe në biznese.

Gazeta Fjala: Çfarë duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës tani, kur i tërë fokusi është kthyer kah Gjykata Speciale?

Agron Demi: Zgjedhjet e zhvilluan në atë fryme që qeverisja e pas zgjedhjeve të 2014 do të jetë qeverisja e parë në Kosovë e cila ekonominë do ta ketë fokusin kryesorë. Mirëpo, edhe pas 9 muajve të koalicionit qeverisës në mes të dy partive të mëdha, nuk e kemi parë atë energji për tu marr me problemet ekonomike, ashtu siç e shihnim në kohë fushate. Është e vërtetë se Ministria e Financave ka qenë një ndër ministritë më aktive gjatë kësaj kohe, duke sponsorizuar ligje, duke ndërmarrë reforma fiskale, mirëpo këto veprime nuk do jenë të mjaftueshme. Fuqia blerëse e konsumatorëve kosovarë po bie, investimet e huaja po bien, papunësia është rritur, e gjitha këto probleme nuk do të zgjidhen vetëm përmes ndryshimit të shkallëve tatimore.

Gazeta Fjala: Keni kritikuar politikat e reja fiskale të Qeverisë, sidomos TVSH-në. Cili është efekti i tyre tani që kanë hyrë në fuqi?

Agron Demi: Kemi mbështetur veprimin e Qeverisë për të ulur TVSH nga 16 në 8% për produktet bazë. Kemi kërkuar që lista e këtyre produkteve të zgjerohet edhe më shumë. Kemi kundërshtuar rritjen e TVSh për produktet tjera nga 16 në 18%. Kjo për dy arsye: bizneset do të përdorin këtë rritje si justifikim për të rritur çmimet; dhe, e dyta, edhe nëse nuk do të ketë rritje të çmimeve, vetë rritja e TVSh për 12% do të rrit koston e shportës bazë. Ngase, nëse bazohemi në shportën bazë e cila përllogaritet nga ASK, dhe i modifikojmë çmimet sipas ndryshimit të TVSh, del se çmimet do të rriten në përgjithësi për së paku 1%. Fatkeqësisht, disa biznese vetëm se kanë filluar të ndryshojnë çmimet dhe arsyen që po përdorin është ndryshimi i TVSh.

 Gazeta Fjala: A po i përmbahen premtimeve elektorale partitë në pushtet?

Agron Demi: Përgjigje e shkurtë: jo. Premtimi madhorë i dy partive në koalicion ka qenë krijimi i së paku 120 mijë vendeve të reja të punës. Ajo çfarë do të duhej të ndodhte është se krejt politikat qeveritare për këta 9 muaj do të duhej të orientoheshin në drejtim të asaj se si do të krijohen këto 120 mijë vende te punës. Por ky premtim madhorë nuk do të realizohet. Madje edhe vetë kryeministri Mustafa ka deklaruar se ky është një premtim i parealizueshëm. Rritja e projektuar ekonomike për 3 vitet në vijim nuk pritet të kaloj 3% të rritjes vjetore dhe kjo nuk do jetë e mjaftueshme.

 Gazeta Fjala: Cilat janë premtimet kryesore që i kanë harruar plotësisht?

Agron Demi: Punësimi është premtimi kryesorë. Nëse shikojmë të dhënat e fundit të papunësisë del se brenda një viti në tregun e punës janë shtuar mbi 17 mijë persona aktiv, kur në të njëjtën periudhë kohore kanë humbur 15 mijë vende të punës në sektorin privat. Marrë në përgjithësi, vetëm në vitin e fundit Kosovës i janë shtuar mbi 32 mijë të papunë. E rrija kaq e ulët ekonomike nuk do jetë e mjaftueshme që së paku të ruaj vendet ekzistuese të punës. Vlen të përmendet se nga premtimet zgjedhore, janë marr disa hapa për reformën fiskale, krijimin e Fondit për garantimin e kredive, e veprime tjera. Por intensiteti i punës është shumë i ulët. Nëse marrim si shembull vetëm vendimin për faljen e borxheve, sot bëhen saktësisht 6 muaj nga dita kur është dhënë lajmi për faljen e borxheve, por edhe më tej ne nuk kemi as listën përfundimtare se sa borxh do të falet, kush do të përfitoj dhe cili institucion do të pësoj më shumë nga ky vendim.

 Gazeta Fjala: A po luftohet korrupsioni sa duhet në vend?

Agron Demi: Në rastet kur korrupsioni nuk luftohet, ai inkurajohet. Mjafton që të përmendim vetëm të gjeturat e vitit të fundit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të audituara për 2014 dhe të shohim miliona euro keqpërdorime të parasë publike. Në kuadër të GAP jemi duke i kuantifikuar të gjitha keqpërdorimet e parasë publike dhe sipas rezultateve të gjertanishme del se mbi 15% e buxhetit të audituar është shpenzuar në mënyrë të jashtë ligjshme. Shprehur në vlerë monetare, minimum 118 milion euro janë shpërndarë jashtë procedurave ligjore. Në rast se një dëm kaq i madh bëhet vetëm në ekzekutim të buxhetit, mund të paramendohet dëmi në performancë apo rezultate të investimeve. Nëse një tender me vlerë miliona euro është dhënë në proces të parregullt, i tërë investimi apo implementimi i projektit nuk do të respektoj kriteret ligjore. Në shumë institucione publike, qoftë komuna apo organe qendrore, edhe më tutje vendime marrin zyrtarë të dënuar nga gjykatat ose me akuza të rënda.

 Gazeta Fjala: A po përmirësohet ambienti i biznesit?

Agron Demi: Ka përparim në disa fusha. Për shembull të dhënat e Bankës Botërore e rangojnë Kosovën gjithnjë e më mirë në ambientin e të bërit biznes. Por, një pasqyrë e tillë në letër, mund të na mashtroj. Kjo ngase në indikatorët kyç, Kosova ende nuk ka përparim. Një ndër ta është zbatimi i kontratave, apo funksionimi i gjykatave të cilat zgjidhen shpejtë dhe me efikasitet kontestet gjyqësore.

 Gazeta Fjala: Bizneset e mëdha në vend kanë paralajmëruar themelimin e klubit të bizneseve për të diktuar politikat e vendit. A është ky një hap drejt kapjes së shtetit nga oligarkët?

Agron Demi: Bizneset kanë të drejtë të themelojnë shoqata për të mbrojtur më mirë interesat e tyre. Por në anën tjetër, rregullatorët shtetërorë duhet të kujdesen që bizneset mos të arrijnë marrëveshje të cilat janë në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë dhe që dëmtojnë konkurrencën dhe shërbimin ndaj konsumatorëve. Një ndër këta rregullatorë shumë të rëndësishëm është Autoriteti i Konkurrencës. Mirëpo, fatkeqësisht ky organ është jo funksional. Por edhe në kohën kur ka qenë funksional, ka qenë jo profesional. Qeverisja aktuale duket si aleate e natyrshme e bizneseve të mëdha, duke ju krijuar lehtësira gjithnjë e më të mëdha në taksa, një veprim i arsyeshëm. Mirëpo, në anën tjetër, politikat qeveritare po bëjnë që fuqia blerëse e konsumatorëve të bie. Për shkak së tëra këto janë të ndërlidhura, rënia e fuqisë blerëse të qytetarëve, ndikon edhe në rënie të fitimeve tek bizneset e mëdha dhe në fund të fundit nuk do të jenë efektive as lirimet e vazhdueshme në taksa. Andaj, Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që të balancoj këto politika./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/interviste-agron-demi-lideret-politik-hisedare-edhe-ne-biznese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala