Institucionet në “luftë” për Pallatin e Rinisë

Autori:Gazeta Fjala

Në mungesë të pronarit, “Pallati i Rinisë” për çdo ditë po e humb imazhin nga dëmtimet dhe mungesa e investimeve.

Statusi i Pallatit ende mbetet i pazgjidhur edhe pse që nga 28 prilli i vitit 2016 kjo ndërmarrje është vendosur në likuidim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kjo e fundit po thotë se e ka siguruar opinionin publik që ky vendim është nxjerrë me qëllim të normalizimit të operimit sa më funksional të NSH Pallatit i Rinisë duke mbrojtur edhe interesat e punëtorëve, duke i marr parasysh interesat e ndërmarrjes dhe të ardhmes së saj.

“Gjatë procedurës së likuidimit, Agjencia do të angazhohet në gjetjen e zgjidhjes për pagesën e kreditorëve duke u bazuar në shtojcën e ligjit të Agjencisë që i referohet procesit të likuidimit të një ndërmarrje shoqërore”, thuhet në përgjigjen e AKP-së dhënë Gazetës Fjala.

Mirëpo komuna e Prishtinës fajin për mos gjetjen e një zgjidhjeje për Pallatin e Rinisë po ia hedhë Qeverisë së Kosovës.

Komuna që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti vlerëson se autoritetet përgjegjëse nuk po punojnë për ligjin për kryeqytetin. Sipas saj qëllimi kryesor i Komunës së Prishtinës është që ta shndërroj Pallatin e Rinisë në ndërmarrje publike komunale, si pronë të Prishtinës dhe të qytetarëve të saj.

”..problemi që ka qenë dhe që mbetet të jetë është mos bashkëpunimi i shtetit për ta shtyrë përpara ligjin e kryeqytetit ashtu sic e do Kushtetuta, pasi që kjo gjë padyshim që do t’i jepte Prishtinës mundësinë për të themeluar ndërmarrje publike pa miratimin e Qeverisë. Pa funksionalizimin e këtij ligji Komuna do të duhet që vazhdimisht të kërkojë formimin e ndërmarrjeve nga ministria përkatëse e Qeverisë”, ka thënë Erzen Vraniqi, zyrtarë në komunën e Prishtinës.

AKP: Kryeministri është i njoftuar për hapat tanë

Në ndërkohë që AKP, thotë se e ka njoftuar kryeministrin Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës për vendosjen e Pallatit të Rinisë në likuidim.

“Agjencia do të bashkëpunoj me institucionet përkatëse deri në transformimin e NSH Pallati i Rinisë në ndërmarrje publike nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ëprgjigjen e AKP-së, dhënë Gazetës Fjala.

Ndërkohë që Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe drejtorin e Pallatit të Rinisë, Qaush Berisha, por ai ka thënë se nuk io lejohet nga AKP që të flas lidhur më këtë çështje.

“Për gjithçka që keni lidhur me këtë drejtohu nek AKP ose Qeveria. AKP më ka këshilluar që të mos flas lidhur me këtë”, ka thënë Berisha për Gazetën Fjala.

Ndërkohë që në Qeverinë e Kosovës kanë bërë të ditur se statusi i Pallatit do të qartësohet vetëm pas konsultave me komunat e rajonit të Prishtinës, prej nga më pas do të dihet saktë nëse njëra nga shenjtat identifikuese të kryeqytetit do të shndërrohet në ndërmarrje publike lokale apo qendrore.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka thënë se ky pallat duhet të transformohet në ndërmarrje publike. E në Komunën e Prishtinës kanë thënë se synojnë shndërrimin e Pallatit të Rinisë në ndërmarrje publike komunale, si pronë të Prishtinës dhe të qytetarëve të saj.

Qiradhënësit po i nënshkruajnë kontratat e reja

Ndërkohë që Bordi i Drejtorëve është zotuar se nuk do të zbritet numri i punëtorëve dhe se asetet e Pallatit të Rinisë nuk do të shiten nga Agjencia. Përderisa AKP thotë se të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive zhvillohen pa pengesë me qëllim të ngritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimeve.

“Autoriteti i Likuidimit i formuar për Pallatin e Rinisë i ka njoftuar punëtorët lidhur me fillimin e procesit të likuidimit, janë duke bashkëpunuar dhe janë në proces e sipër të nënshkrimit të kontratave të reja të punës me të gjithë punëtorët aktual të Pallatit të Rinisë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Ndërkohë që autoriteti i Likuidimit është duke bërë evidentimin e të gjitha qiradhënieve dhe është në proces e sipër të nënshkrimit të kontratave të reja të qirasë.

Ndërkohë që xhirollogaritë bankare të Pallatit të Rinisë, Sportit dhe Kulturës në Prishtinë, u bllokuan më 29 prill të këtij viti, ndërsa borxhi që u kanë pronarëve të lokaleve të djegura është më shumë se 4 milionë euro./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/institucionet-ne-lufte-per-pallatin-e-rinise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala