Institucionet e harruara

Autori:Gazeta Fjala

Vendimi për t`i dhënë të drejtë “monopoli” KEDS-it për distribuimin e energjisë në Kosovë, është i fundit që i ka mbledhur bashkë të gjithë anëtarët e bordit të Autoritetit të Konkurrencës.

Kjo ka ndodhur para dy vitesh, në prill të vitit 2013.

Ky institucion, i cili do të duhej të kujdesej për rregullimin e tregut në vend dhe të luftoj konkurrencën e padrejtë mes kompanive, është jo funksional që nga nëntori i vitit 2013.

I themeluar në vitin 2008, AKK sipas ligjit parashihet që vendimet t`i merr nga tri votat e pesë anëtarëve sa do të duhej t`i ketë për tu kompletuar. Por, tash e dy vjet nuk e ka asnjë anëtarë ta bëjë këtë punë.

Në fakt deri në muajin prill të këtij viti mandate ka pasur anëtari i vetëm i bordit Gani Asllani.

I kontaktuar nga Gazeta Fjala, Asllani tha se ka përfunduar edhe mandati i tij dhe se ky autoritet ka mbetur vetë me staf administrativ.

“Për hapat e mëtutjeshëm se çka ka ndodhur pasi e kam përfunuar unë mandatin nuk e di”, tha Asllani.

Në një pozitë të ngjajshme ndodhet edhe Agjencioni Kosovar i Privatizimit. Mungesa e bordit ka lënë një numër të madh vendimesh që duhen marrë, pasiqë asnjë shitje as blerje nuk mund të bëhet pa të.

Në mungesë të bordit është duke humbur para edhe Qeveria, të cilës do t’i transferohen automatikisht rreth 60 milionë euro nga fondi i AKP-së.

Ku bord duhet të funksionoj me 8 anëtarë, por mos kompletimi i tij, punëtorët e fabrikës së Tubave në Ferizaj i ka lënë në tenda, gati qe 500 ditë qëndrimi i të cilëve nuk dihet edhe sa do të vazhdojnë.

Edhe Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postale (ARKEP), është pa bord që nga shtatori i vitit të kaluar.

Institucionet tjera pa bord

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm funksionon me ushtrues detyre të Auditorit të përgjithëm pasiqë Lage Olofsson përfundoi mandatin në gusht të vitit 2014.

Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka tetë anëtarë nga 11 sa duhet t`i ketë gjithsej.

Zyra Rregullative e Energjisë funksionon me 3 anëtarë nga 5 sa do të duhej t`i kishte.

Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujëra dhe Kanalizim, Ylber Aliu i përfundoi mandati në qershor të vitit të kaluar.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka vetëm dy anëtarë të bordit nga gjashtë sa do të duhej të ketë për funksionimin normal të punës së tij.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore që nga viti 2010, ende funksionon pa bord.

Nga 5 anëtare sa duhet t`i ketë, Banka Qendrore e Kosovës është vetë më me dy anëtarë.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka 4 anëtarë me mandate deri në 2018 ndërsa është në mungesë edhe të 3 tjerëve.

Të gjithë anëtarëve të Bordit të Avokatit të popullit u ka kaluar mandate.

Vetëm 9 borde të emëruara deri tani nga qeveria Mustafa

Qeveria e Isa Mustafës që nga marrja e pushtetit në dhjetor të vitit të kaluar, nuk ka arritur të kompletoj të gjitha bordet e institucioneve publike- në mesine tyre ndërmarrje e agjencione.

Në këtë fillim vit konkursi ishte hapur për aplikim për drejtorë në bordet e 15 ndërmarrjeve publike. Por nga të gjitha këto vetëm 9 prej tyre janë të kompletuara me bord.

Kompania për menaxhimin e deponive, Ibër Lepenci, TrainKos, Posta e Kosovës, Aeroporti i Gjakovës, Inftakosi, KOSTT, RTK, Komisioni i pavarur për miniera dhe minerale janë të vetmet që u emëruan deri tash.

Megjithatë këto emërime u kritikuan ashpër për shkak se partitë e kualicionit “rehatuan” njerëzit e vet nëpër borde.

Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt nga radhët e PDK-së, u emërua anëtar i bordit të “Ibër Lepencit”. Anëtare e këtij bordi u emërua edhe Albiona Maloka motra e Vlora Dumoshit, shefes së stafit të kryeministrit Mustafa, raportuan mediat.

Naser Canolli i emëruar në bordin e Aeroportit të Gjakovës, është drejtor i Gazetës Zyrtare. Në këtë bord u emërua edhe Nuri Bahtjari, që ishte kandidat për asambleist në Komunën e Prishtinës, në zgjedhjet e fundit lokale.

Në bordin e Postës së Kosovës, anëtar u emërua Rushan Ceka i cili ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Kaçanikut nga PDK-ja. Drita Konxhelin, që ishte bërë pjesë e LDK-së më 2014, pak para zgjedhjeve nacionale anëtare e Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). / Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/institucionet-e-harruara/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala