Inspektorëve të naftës nuk u zihet besë  

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nuk po u beson më inspektorëve të vetë për ta kontrolluar cilësinë e naftës pikave të shitjes. Krejt kjo për shkak të dyshimeve se ata kanë lidhje me pronarët e kompanive që merren me tregti me naftë e derivate të saj.

Punën e inspektorë tash e tutje pritet ta bëjnë vetë qytetarët e Kosovës.

Drejtori i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë së naftëtarët nuk bënë të paralajmërohen për kontrollet që po ju bëhen. Kaçaniku që ka qenë pjesëmarrës në aksionin e fundit të MTI-së, për kontrollim të naftës ka thënë për Gazetën Fjala se cilësia dhe sasia e derivateve në Kosovë nuk duhet të kontrollohet më paralajmërime siç e kanë bërë deri tani inspektorët. Këto aksione sipas tij duhet të bëhen pa paralajmërim, dhe në çdo kohë.

“Nuk bënë të këtë keso paralajmërime. Ky veprimi i fundit i MTI ishte gabim i madh. Besoj se tash e tutje do të veprohet ndryshe. Kështu është  thënë se do të jetë, pra aksionet dhe kontrollet do të bëhen pa asnjë paralajmërim”, ka thënë Kaçaniku.

Kaçaniku tregon  se kontrolli i derivateve tash do të bëhet edhe nga ana e konsumatorëve. Sipas tij një marrëveshje e tillë do të bëhet edhe me MTI-në.

“Do të ketë kontrolla edhe nga ana e konsumatorëve të thjeshtë. Ata do të shkojnë në pika, do të mbushën me derivate dhe me pas do të kontrollohen nga inspektorët se a ka qenë në rregull sasia dhe cilësia e derivateve që është furnizuar ai qytetar/konsumator. Kjo do të bëhet për ta ncjerrur të vertetën në shesh”, ka shpjeguar Kaçaniku duke thënë se aksionet për kontroll të naftës do të vazhdojnë.

Ai ka thënë se me kontrollet e fundit që janë bërë nuk mund të thuhet se nafta në Kosovës është e cilësisë se mirë dhe se nuk ka plaçkitje në sasi.

“Kjo nuk mund të thuhet derisa janë kontrolluar vetëm tri pika. Në Kosovë janë mbi 700 pika të shitjes së naftës e benzinës. Si mund të thuhet që janë në rregull derivatet kur nuk është bërë kontroll në as një për qind të pikave shitëse”, ka treguar Kaçaniku.

Kurse, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka deklaruar se kontrollet nëpër pika të shitjes së derivateve bëhen pa kontrolle, ani pse MTI javën e kaluar ka njoftuar se po bëhen këto kontrolle.  Bajrami më këtë rast ka akuzuar mediat për publikim të njoftimit.

“Sot nuk u paralajmëruan operatorët ekonomik, por u ftuan mediat për të parë se si MTI kontrollon cilësinë dhe sasinë e karburanteve.Të gjitha atyre që kjo metodë nuk ju pëlqen i ftojmë që ta kryejnë punën e tyre dhe të bëjnë publike idetë e tyre nëse ata e dinë se cila do të ishte mënyra më e mirë për të siguruar cilësinë dhe sasinë e karburanteve ne treg dhe gjithashtu për të siguruar transparencë në punën e institucioneve”, ka thënë ministrja Bajrami.

Kritik ndaj veprimeve të MTI-së dhe ministrisë Bajrami ka qenë edhe Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Ai ka deklaruar për Gazetën Fjala se paralajmërimi për kontroll nga ana e MTI është veprim skandaloz. Ai ka thënë se me këtë gjest MTI u ka thënë hajnave “na pritni se po vijmë”.

“Inspektorët e MTI-së duhet të bëjnë kontrolle të paralajmëruara. Ky veprim është vetëm spektakël medial. Kështu MTI po iu thotë hajnave mos dilni me vjedh sot se jemi duke ardhur të ju kontrollojmë”, ka thënë Berjani për Gazetën Fjala.

Ai tregon se MTI nuk është e obliguar me ligj që ti paralajmëroj naftëtarë për kontrolle. Madje ai thotë se ka autoritet të plotë që kontrollet ti bëjë sa herë të dojë dhe pa asnjë paralajmërim.

Paralajmërimi nga ana e institucioneve shtetërore se do të kontrollohen pikat e derivateve të naftës për cilësi dhe sasi të litrit nuk po arsyetohen as nga a na e Jakup Gashit përfaqësuesi  i  laboratorit testues për derivate të naftës “ Sierra Lab”.

“Derisa ka paralajmërime me siguri edhe rezultatet duhet të dalin të mira, kontrollet bëhen pa paralajmërime derisa kontrolli i cilësisë gjatë kontrollit dhe monitorimit të brendshëm është nën 1% atëherë nuk e di edhe sa mund të vlerësojmë dhe të konstatojmë se gjendja është e mirë”, ka thënë Gashi për mediat në Kosovë.

Ai thotë se kontrollet duhet të bëhen më shpesh, të jenë të zakonshme dhe të bëhen ad hoc . Gashi madje thotë se edhe me hyrjen e derivateve në Kosovë nuk po praktikohen kontrollet e cilësisë ashtu siç parashihet me ligj./Gazeta Fjala/.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/inspektoreve-te-naftes-nuk-u-zihet-bese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala