Humbjet milionshe të Serbisë nga bllokada e Kosovës

Autori:Zekirja Shabani

Rreth 21 mijë euro në ditë i humbë Serbia nga bllokada e naftës dhe gazit, pas vendimit të Ministris së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për reciprocitet me këtë shtet.

Bazuar në të dhënat e doganës, vitin e kaluar Kosova ka importuar në rrugë legale 33 milion litra gaz dhe 708 mijë litra naftë, në vlerë mbi 8 milion euro, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas këtyre të dhënave mesatarisht 2 milion litra gaz gjatë një muaji vinë në Kosovë nga shteti fqinjë. Llogaritur në para i bie se gjysmë milioni euro janë paguar çdo muaj për blerjen e kësaj sasie.

Sasia më e madhe e gazit është importuar në muajin shtator që është plotë 4.2 milionë litra. Kurse sasia më e vogël është importuar në muajin dhjetor 136 mijë litra.

importi - GAZ

Vendimi për reciprocitet kundër Serbisë në fushën e transportit të naftës dhe gazit, kishte ardhur pasi Serbia ka refuzuar të njohë certifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme.

Lajmi u bë i ditur të martën me 22 mars të këtij viti.

Kurse një ditë më vonë Kosova ka vënë në praktikë vendimin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Pak naftë nga Serbia

Por, në krahasim me produketet tjera të konsumit të gjerë importi i derivateve të naftës nga Serbia, sipas statistikave është shumë më i vogël se nga vendet tjera.

Nga 372 milionë euro sa është vlera e importit të përgjithshëm nga Serbia gjatë vitit të kaluar, Kosova ka importuar 708 mijë e 479 litra naftë në vlerë 335 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Sasia më e madhe e naftës është importuar në muajin dhjetor në sasinë prej 103 mijë litrash.

importi - Nafte

Pjesa tjetër e importeve, sipas të dhënave të doganës janë produkte ushqimore dhe të ndërtimit.

Madje në vitin e fundit Serbia e ka rritur dominimin në tregun e Kosovës me produktet e saja, me katër për qind, raporton Gazeta Fjala.

Adriatik Stavileci, zyrtarë për medie në Doganën e Kosovës ka thënë për medie se për dy muajt e parë të viti 2016, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 45 milio në euro. Kurse, Kosova për këta dy muaj eksportoi në Serbi mallra në vlerë 2.5 milionë euro.

Këto të dhëna përfshijnë importet përmes pikave doganore të rregullta me shtetin serb. Ndërkaq, llogaritet se mbi 100 milion euro është vlera e mallrave që futen ilegalisht, përmes rrugëve dytësore, nga ky shtet të cilat nuk arrijnë ti kontrollojnë autoritetet vendëse. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/humbjet-e-milioneshe-te-serbise-nga-bllokada-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala