Hetohet tenderi i kurdisur nga Agim Bahtiri

Autori:Gazeta Fjala

Kurdisja e një tenderi nga i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri është bërë subjekt i hetimeve të institucioneve kompetente.

Pas raportimit të Gazetës Fjala lidhur me përgatitjen e terrenit nga kryetari Bahtiri për të angazhuar si zyrtar për informim ish-zëdhënësin Hysni Syla, pasi ai kishte dalë në pension, mekanizmat shtetëror kanë filluar të merren me të. 

Në tenderin “Kryerja e shërbimit të informimit për Zyrën e Kryetarit”, Hysni Syla ishte shpallur fitues i tenderit në vlerë prej 2 mijë e 460 euro për kryerjen e shërbimeve të informimit për tre muaj.

Drejtori i Agjencionit Kundër Korrupsionit, institucioni që është krijuar për trajtimin e çështjeve korruptive dhe konfliktin e interesit, Hasan Preteni ka konfirmuar se pas informatave nga Gazeta Fjala është hapur ky rast.

Hasani ka thënë se shumë shpejtë do të dalin me një vendim.

“Informatat duhet trajtuar dhe vërtetuar, ato janë përcjellë për trajtim”, ka thënë Preteni.

Megjithëkëtë, Agim Bahtirit përveç që nuk ka hequr dorë nga tenderi i kurdisur atij nuk i ka pëlqyer as fakti që gazetarët të vazhdojnë të merren me këtë çështje.

Kur është kontaktuar nga Gazeta Fjala ai e ka mbyllur telefonin pasi ka thënë shkurt “se nuk ka asgjë të keqe në këtë rast” .

Gazeta ka kërkuar interpretim të rastit edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, mirëpo edhe pse ka pritur që nga 27 tetorit ende nuk ka marrë përgjigje.

Derisa, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile kurdisja e tenderit konsiderohet vepër penale korruptive.

“Nëse ka dyshime që ka pasur kurdisje në procedurën e tenderimit atëherë patjetër që kjo konsiderohet vepër penale korrupsioni”, thotë Fidan Kalaja nga Organizata FOL.

Sipas tij, është e çuditshme dhe rast shumë i veçantë që zëdhënësi i një institucioni të zgjidhet përmes procedurave të prokurimit kur dihet mirëfilli se zëdhënësi ka pozitën e shërbyesit civil dhe ai rekrutohet në bazë të konkursit publik.

Historiku i Tenderit

Që nga 20 gushti, komuna e Mitrovicës kishte mbetur pa zëdhënës pasi që Hysni Syla kishte dalë në pension.

Pas 12 ditëve Syla është kontaktuar prapë nga kryetari Bahtiri për të vazhduar më tej këtë funksion, duke i propozuar kontratë mbi vepër.

Por pengesa u doli pasi që drejtori i financave nuk ka lejuar këtë lloj të kontratës. Ai si të vetmen formë për angazhimin e Sylës e ka rekomanduar procedurën e tenderimit me tri oferta nga jashtë për punën e njëjtë.

Kur Gazeta Fjala ka kontaktuar për përfituesin e këtij tenderi, Hysni Syla ai e tregoi tërë procedurën nëpër të cilën u desh të kalonte, pasi që sipas tij veç kjo formë e pagesës ka qenë e mundur sepse drejtori i financave nuk ka lejuar ndryshe.

“Unë kam pyet në ministrit gjegjëse dhe më kanë thënë se ka qenë e mundur legalisht të angazhohem me kontratë mbi vepër, por drejtori si për inat nuk ka lejuar”, ka thënë Syla për Gazetën Fjala.

Pasi që kjo ishte forma e vetme se si do të mund të paguhej Hysni Syla nga komuna e Mitrovicës edhe u shpall tenderi “Kryerja e shërbimit të informimit për Zyrën e Kryetarit”.

Por për të marrë pjesë në këtë tender, Sylës iu desh të ketë kompani të veten.

Me 29 shtator të këtij viti ai regjistroi kompaninë e tij në agjencionin për regjistrimin e bizneseve me emrin “HYSNI SYLA B.I.”.  Kështu regjistrimi u bë pesë ditë para datës së dhënies së kontratës.

Syla u shpall fitues i tenderit në vlerë prej 2 mijë e 460 euro për kryerjen e shërbimeve të informimit për tre muaj.

“Me tri oferta, unë jam shpall ma i miri dhe nuk ka të keqe këtu asgjë”, ka thënë Syla.

Kryetari Agim Bahtiri, me qëllim të çrrënjosjes së dukurisë së mitos dhe korrupsionit, kishte premtuar se do të jap një shpërblim prej 5 mijë eurosh, për personin që eventualisht do të mund të argumentonte vetëm një rast të këtyre dukurive, në komunën e Mitrovicës.

“Jam shumë i vendosur që të çrrënjos tërësisht dukurinë e mitos dhe korrupsionit në Komunë e Mitrovicës. Për këtë arsyeje, kam vendos, që nga mjetet e mija personale, të jap një shpërblim prej 5.000 euro personit që do të argumentonte vetëm një rast të këtillë në të gjitha institucionet komunale që unë i menaxhoj”, pati thënë kryetari Bahtiri. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/hetohet-tenderi-i-kurdisur-nga-agim-bahtiri-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala