Hakerët ia morën Vinex-it mbi 8 mijë euro në Bankën Ekonomike

Autori:Avdyl Pajaziti

Kompanisë “VINEX” nga Vitia, para një jave i ndodhi diçka e pazakonshme. Nga xhirollogaria e sajë gjatë një transaksioni dikush ia mori 8, 659 euro. Para këto të cilat firma do ti transferonte përmes Bankës Ekonomike në Kosovë në një firmë tjetër.

Basri Shabani, zyrtarë për financa në “VINEX” e ka konfirmuar për Gazetën Fjala rastin duke rrëfyer se si hakerët kishin depërtuar në llogarinë e tyre.

“Para një jave i kemi deponuar në Bankën Ekonomike. Ne kemi biseduar me (zyrtarët e bankës) Bankën Ekonomike. Ata thanë që ende nuk kanë mundur ta hetojnë rastin, sepse ai hakeri që ka ndërmjetësuar i ka ndryshuar shifrat dhe paratë kanë shkuar jashtë Kosovës. Mendojmë që në Angli kanë shkuar të hollat”, ka thënë Shabani.

Ai ka bërë të ditur se në adresën elektronike të firmës “VINEX”, ditë më parë ka shkuar një e-mail në të cilin kishin pasur qasje edhe hakerët.

“Në llogari neve na ka ardhur një email, në të cilën thuhej që firma po i kërkon ato të holla, por realisht atë email hakerët kishin ndërmjetësuar dhe kishin ndryshuar një shifër”, ka shtuar Shabani.

Shabani thotë se Banka Ekonomike është dashur që t’i vërtetoj së pari numrat dhe pastaj ta lejoj transaksionin.

“Atë shifër normalisht që banka është dashur ta hetoj që nuk është e atij shteti, por e kanë kaluar. Ne e kemi lajmëruar rastin në polici, tash të shohim”, ka thënë ai.

Gazeta Fjala, të premten ka raportuar duke u bazuar në konfirmimin e policisë se hakerët kanë vjedhë paratë nga llogaria e një klienti të kësaj banke në komunën e Vitisë.

Por ky nuk është rasti i parë kur kjo firmë ka rrezikuar t’i humbasë nga llogaria e saj një shumë të konsiderueshmë të parave. Shabani shprehet se atë herë për fatë të mirë kanë arritur që ta paralajmërojnë Bankën Ekonomike që ta ndali transaksionin.

“Edhe Banka Ekonomike thotë se lidhur me këtë rast nuk ka koment. Edhe një herë e kemi pasur një rast të tillë, mirëpo në atë kohë ne e kemi lajmëru bankën dhe i kemi thënë që ta ndaloj transaksionin”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj firma ‘VINEX”, ende nuk e di nëse do ti kthehen mjetet e humbura.

“Ende nuk e dimë nëse Banka Ekonomike do të nai kthej mjetet e humbura, po presim thash edhe nga hulumtimet e policisë”.

Gazeta Fjala, ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë rast edhe nga zyrtarët e Bankës Ekonomike por ende nuk ka marrë ndonjë sqarim se si ka ndodhur që hakerët të kenë qasje në llogari të klientit.

Llogaritë e pasigurta të klientëve në banka

Rastë të ngjashme kur klientëve u janë zhdukur paratë nga llogaritë, kanë ndodhur edhe në bankat tjera komerciale në vend.

Në Bankën për Biznes në mars të vitit të kaluar mbi 270 mijë euro dyshohet se u janë vjedhur klientëve në Kamenicë nga drejtori i degës së kësaj banke, Agim Hoda, bashkë me një agjent të kredive.

Gazeta Fjala raportoi se ata të dy, dyshohet se kanë keqpërdorur xhirollogaritë bankare të qytetarëve të cilët i kanë besuar ti ruajnë paratë në këtë bankë dhe në disa raste kanë manipuluar e kanë bërë biznes me kreditë.

Ndërkaq, Raiffaisen Bank është një tjetër nga institucionet financiare në të cilin shumë klient kishin adresuar ankesa vitin e kaluar për pasiguri.

Në një rast, klientit Lorenc Prlaskaj nga Fushë Kosova dikush ia kishte deponuar në llogarinë e tij 8,000 euro. Deponimi ishte bërë me para kesh nga dikush që banka asnjëherë nuk e zbuloi, ose së paku nuk e bëri publike as për klientin e as pas kërkesës së Gazetës Fjala.

Tjetër është M.GJ (emër i njohur për redaksinë), të cilit Banka Raiffaisen ia ka bllokuar llogarinë për tre muaj rresht. Ai ka thënë se i ishte pamundësuar qasja në konto, pasi dikush kishe ndërhyrë në llogarinë e tij private ku edhe ia kishte tërhequr pagën e muajit maj këtë vit.

Besnik Kada, zyrtar për informim në Bankën Qendrore të Kosovës pati thënë se klientët vazhdimisht kanë ankesa ndaj shërbimeve të bankave komerciale që veprojnë në Kosovë.

“Gjatë vitit 2015 ne BQK janë trajtuar 74 ankesa të klientëve ndaj bankave. Në të shumtën e rasteve, ankesat më të shpeshta janë të natyrës, rreth kredive dhe kategorizimit në regjistrin kreditor”, pati thënë Kada për Gazetën Fjala.

Sipas tij BQK të gjitha rastet e ankesave dhe shkeljet e pretenduara i adreson konform kompetencave ligjore./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/hakeret-ia-moren-vinex-it-mbi-8-mije-euro-ne-banken-ekonomike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala