Hadjanët, milionerë me ndërtime ilegale

Autori:Avdyl Pajaziti

Latif Bërbatovci nuk e din as sa tokë ka në kodrinën përskaj minierës së thëngjillit në Hade të Obiliqit. As themele të shtëpisë këtu nuk para një viti.

Por tani Latifi çdo ditë e kalon duke u kujdesur për tri shtëpi luksoze, të cilat shumë shpejtë do t’ia përpijë toka.

“Më ka zanë taksirati, po duhet të qëndroj tash këtu”, thotë me shaka ai për Gazetën Fjala.

Të sapo ndërtuara, me arkitekturë moderne që bien në sy nga të gjitha anët e fshatit, shtëpitë  lagjes Mirena janë karta e banorëve për tu bërë “milioner”.

hade6

Banorët e këtushëm kanë investuar me shpresën se një ditë do të kompensohen majmë nga qeveria kur ti vijë rendi të shpronësohen për shkak të zgjerimit të mihjes për të furnizuar me thëngjill termocentralet që prodhojnë energji elektrike.

Nga 10-15 shtëpi sa ishin para një viti, këtu tani numërohen mbi 120 objekte të reja të fasaduara bukur nga jashtë, e bosh nga brenda. Shumica janë të pa banueshme dhe shumë rrallë takon banorë në godinat shumëkatëshe.

Fatmir Mirena, është njëri nga ta që bashkë me familjen pret ditën kur me institucionet e shtetit të nënshkruaj marrëveshjen për ti lëshuar shtëpitë në kompensim të një shume të majme parash, një vendi pune e disa kushteve tjera të cilat thotë se nuk mund ti bëj të ditura.

“Nuk mundem me ju tregu çfarë marrëveshje po kërkojmë”, thotë Mirena duke mos dashur të bëjë të ditur kërkesat.

Ai bashkë me banorët e tjerë disa herë ia kanë zënë rrugën dhe nuk i kanë lejuar të futen në lagjen e tyre zyrtarët e komunës së Obiliqit, të cilët janë përgjegjës për vlerësimin e pasurive që do të shpronësohen.

“Unë bashkë me familje kam me u hedhë në minierë e nuk ua lëshoj shpin qysh donë ata”, shprehet Mirena, që thotë se në këtë vend ka 40 vite që jeton.

hade9

Ngjashëm janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe bashkëfshatarët e tjerë, të cilët shihen duke meremetuar gjatë ditës objekte të ndryshme, për t’ua rritur vlerën.

Mbetjet e materialit ndërtimor, fasadat e sapo vëna dhe vetë objektet gjigante nuk dëshmojnë për vjetërsinë siç thonë edhe banorët.

Këtë e pohon edhe Sabit Shala, i cili ka ardhur në Hade nga Gjermania për të parë nëse gjithçka është në rregull me shumëkatëshen e tij.

“Qe shtatë muaj ja kanë nisë tu ndërtu me të madhe. Po shpresojnë që kanë me u kompenzu mirë kur të shpronësohen”, thotë ai për fqinjët, derisa pranon se pret të marr para të majme nga shteti për pasurin e tij.

Shala ka një shtëpi rreth 400 metra katrorë në pronësi.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për kompensimin e të zhvendosurve nga ky fshat, çmimi për metër katror i banesave për shpronësim është 370 euro, ndërsa për lokalet afariste 520 euro.

hade7

Shtëpitë pa leje

Por, ekziston një problem i madh. Ndërtimi në këtë vend është i ndaluar dhe shtëpitë janë pa leje ndërtimi.

Për këto ndërtime në Komunën e Obiliqit kanë konfirmuar se nuk është marrë leje ndërtimi nga banorët.

“Sa i përket pyetjeve lidhur me fshatin Hade, komuna e Obiliqit nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi. Kjo është çështje e Ministrisë së Ambientit”, ka deklaruar për Gazetën Fjala, Zarife Behluli, Drejtori i Ekonomi Financa dhe Zhvillim.

hade3

Ndërtimet në fshatin Hade janë të ndaluara që nga viti 2004 me Vendimin nr 4/119 i datës 3 Nëntor, i cili ka shpallur fshatin Hade zonë të interesit të veçantë ekonomik, dhe sipas të cilit ndalohet ndërtimi në atë pjesë.

Në mars të 2009, Qeveria e Kosovës me vendimin 02/57 ka zgjeruar zonën e interesit të veçantë ekonomik, ku përveç Hades tani në këtë zonë përfshihet pjesa më e madhe e Komunës së Obiliqit, një pjesë e Komunës së Vushtrrisë, Drenasit dhe Fushë Kosovës.

Edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është në dijeni për këtë.

“Po jemi në dijeni. Sipas Ligjit të Ndërtimit Nr. 04/L-110 kjo kategori e ndërtimeve hyn në kompetenca të Komunës”, ka thënë për Gazetën Fjala, Fadil Maxhuni, nga zyra për informim në këtë ministri.

Sipas tij, inspektorati i MMPH-së në kuadër të kompetencave ligjore që ka, ka bërë vizita inspektuese të herë pas hershme në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Obiliqit dhe në formë të shkruar e ka njoftuar këtë Drejtori për obligimet ligjore që ka dhe nga e njëjta ka kërkuar që të marrë masa sipas kompetencave ligjore që ka.

Vizita të tilla Inspektorati i MMPH-së ka bërë që nga viti 2012 dhe ka kërkuar nga Komuna e Obiliqit që të zbatoj  Vendimet e miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës të cilat shpallin Zonë me Interes të Veçantë Ekonomik “Fushën e Mihjes së Re“.

“…ndërtimi në Zonën me Interes të Veçantë Ekonomik “Fushën e Mihjes së Re“ është i ndaluar. Meqenëse ndërtimet në këtë zonë janë objekte individuale-shtëpi banimi, për ndalimin e këtij lloj ndërtimi sipas Ligjit të Ndërtimit Nr. 04/L-110 kompetente është Komuna”, thotë Maxhuni.

hade2

Refuzohen paratë e shpronësimit

Maxhuni tregon se MMPH ka bërë shpronësimin e zonës emergjente, fshati Hade, sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës nr. 4/119 dhe 5/119 datë 03.11.2004, gjatë periudhës kohore 2005 -2009.

“Gjatë këtij procesi është bërë pagesa e shpronësimit të pronave për 98.45% të pronarëve, ndërsa kanë mbetur pa u kompensuar një numër i vogël prej 55 pronarëve (me vlera të vogla financiare), të cilët nuk kanë pranuar të marrin mjetet  financiare me arsyetimin se nuk pranojnë që toka e tyre të paguhet si tokë bujqësore por kanë kërkuar që toka të paguhet si tokë ndërtimore”.

MMPH, sipas tij, një kompensim të tillë në këtë mënyrë nuk ka mundur ta bëjë për shkak se në Fletat Poseduese toka figuron vetëm si tokë bujqësore e jo tokë ndërtimore.

“Për këtë arsye MMPH këtë vit ka në dispzocion 70.000.00 euro për kompensimin e këtyre pronarëve, nëse pronarët pranojnë që të kompenzohen”./Gazeta Fjala/

hade1

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/hadianet-milionere-me-ndertime-ilegale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala