Gratë më të forta në Kosovë

Autori:Zekirja Shabani

Kur takohej Hashim Thaçi me përfaqësuesit e shteteve të Quintit, pjesën më të madhe të kohës të gjithë ambasadorët ishin meshkuj. Por, tashmë kjo situatë ka ndryshuar. Nga pesë sosh, tri janë femra. Përfaqësesja e Francës në Kosovë, Marcye Daviet  ‘e ngrehu këmbën zhag’. Pas saj, edhe Amerika e Gjermania  dërguan përfaqësuese të tyre femra. Përderisa Amerika ishte e përfaqësuar edhe më herët, dy shtetet tjera e bënë këtë për herë të parë. Ato, në Kosovë e gjetën të udhëheq vendin sërish një femër.

Ardhja e tyre ndryshoi komplet situatën. Të mësuar që të përziheshin në punët e shtetit sa herë ndonjëri nga ta kishte nevojë që t’i përdorte si armë për ti mposhtur kundërshtarët, liderët kosovarë mbetën në mjegull. Krijuan bllokun opozitar, ndërsa partia fituese ishte kokëfortë të mos lëshonte pe. Të dy palët prisnin në vazhdimësi  ardhjen e sugjerimeve ‘nga lart’. Por, kur iu bë e qartë se zonjat e hekurta në vend se kanë ndërmend të përzihen, atëherë liderëve kosovarë u humbi rruga në oborr. U mundua vetëm ambasadori britanik të bënte dicka, por nuk e kishte fuqinë e vendeve tjera. Femrat nuk ishin si meshkujt, kërkonin me çdo kusht që të respektohej demokracia dhe vendi të ecte vet, të paktën në atë copë të rrugës që e kishte obligim.

Gazeta Fjala ka analizuar benefitet e vendit nga prania e tyre këtu.

930-tracey-ann-jacobson9

Tracey Ann Jacobson

Ardhja e saj në Kosovë ishte e furishme. Jacobson, si një diplomate e rryer e karrierës bëri atë që nuk ia kishin arritur paraardhësit e saj. Përderisa Chris Dell u ballafaqua me votim 120 për qind në Skënderaj, një deklaratë e saj para zgjedhjeve bëri që ‘vjedhja industriale e votës’ të mos përmendej më si togfjalësh. Njëjtë vazhdoi edhe në zgjedhjet pasuese, përderisa vendi fal saj arriti të organizojë zgjedhjet më të mira nga paslufta.

Sërish, ishte deklarata e famshme e Jacobson ‘mos e dhini punën’ ajo që bëri të krijoheshin institucionet e Kosovës.

angelica viets

Angelica Viets

Ambasadorja e shtetit të dytë më të rëndësishëm për Kosovën, Gjermanisë ka shumë punë në Kosovë. Ajo është duke luftuar në dy fronte- atë të zhvillimit ekonomik përmes aktiviteteve të shumta të spektrit social dhe të migrimit.

Vietz, si përfaqësuese e ekonomisë më të madhe të Evropës është parë mjaft e angazhuar në cështjet ekonomike. Ajo vazhdimisht dërgon ‘selame’ nga takimet e Odës Ekonomike Gjermane rreth drejtimit ekonomik që po merr vendi. Rasti i fundit erdhi pas mosnjohjes së dokumenteve shtetërore gjermane nga Doganat e Kosovës dhe Ministria e Finnacave disa ditë pasi kishte raportuar Gazeta Fjala për këtë fakt. Sinjalet e saj ishin të qarta- bashkëpunimi ndërtohet me respekt të ndërsjellë.

Nën përfaqësimin e saj është vërejtur se investitorët gjerman kanë filluar të vijnë në Kosovë. Dy gjerman vecse kanë paralajmëruar investimin e mbi 20 milionë eurove në Kosovë.

Por, Vietz, jo për faj të vetin, por të Qeverisë së Kosovës, e humbi betejën me migrimin. Nuk arrit t’i bind ata se rruga për Gjermani përmes Hungarisë është më e keqe se qëndrimi në Kosovë.

Por, lufta është e gjatë dhe me angazhimin e saj në sektorin ekonomik dhe të arsimit, ku çalon vendi edhe më shumë e ku ajo ka përvojë të gjatë, mund të fitohet. Drita po shihet në fund të tunelit.

Maryse

Marsye Daviet

Ambasadorët e mëhershëm franceze ishin të fokusuar kryesisht në cështje kulturore dhe politike. Davied i ka tejkaluar ata. Në kohën e saj është duke ndodhur investimi më i madh i jashtëm në Kosovë. Një konzorcium i udhëhequr nga francezët, MDP Consulting – Compagnie des Alpes – PGI Management tashmë ka nënshkruar kontratë për investimin e mbi 400 milionë eurove në Brezovicë. Daviet ka qenë mjaft aktive në këtë drejtim, duke marrë pjesë së fundmi edhe në negociata me përfaqësues të Shterpcës për t’i bindur se kjo po bëhet për të mirën e tyre.

largea_atifete-jahjaga-645-fb11364581233

Atifete Jahjaga

Përkundër kontestimit në zgjedhjen e saj dhe nivelit jo edhe aq akademik të prezantimit, presidentja e vendit është duke kryer punën e vet. Ajo nuk rri duarkryq në kohë krizash. Ishte e vetmja që tregoi rol të rëndësishëm konstruktiv në kohën e ngërçit politik, duke e udhëhequr procesin.

Disa muaj pas, ishte e vetmja që u ballafaqua me qytetarët. Përderisa kryeministri Mustafa deklaronte se nuk e kishte parë të arsyeshme të shkonte as në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, Jahjaga bëri të kundërtën. Shkoi qytet me qytet. Ku shkonte, ballafaqohej me fjalë të rënda dhe aspak të këndshme. Por, e përkushtuar ta kryente këtë mision, të komunikimit direkt me qytetarët për cështjen e ndishme të migrimit, ajo nuk u ndal dhe luajti rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/grate-me-te-forta-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala