Grandi së shpejti në shitje

Autori:Avdyl Pajaziti

Hoteli Grand, në qendër të Prishtinës brenda muajit mund të nxirret në shitje. Nëse Kuvendi i Kosovës, e kompleton bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit siç është premtuar, kjo është ndërmarrja e parë në listë për privatizim.

Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala zyrtarët e AKP-së, të cilët thonë se Behgjet Pacolli, Zelqif Berisha dhe Remzi Ejupi e kanë humbur përfundimisht mundësinë e blerjes se hotelit, që dikur ishte simboli i Prishtinës.

Vendim për largim nga gara për blerjen e këtij hoteli të tre pretendetve të deritashëm e ka marrë javën e kaluar Gjykata Kushtetuese.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Hotel Grandi do të nxirret në shitje.

Por, ky proces siç thonë në AKP do të nis veç kur të formohet bordi.

“Grandi  është ne proces të likuidimit. Me formimin e Bordit ky organ do të vendos edhe për riprivatizimin e hotelit. Kushtet dhe kohën se kur do të behët kjo”, ka thënë Ylli Kaloshi zyrtar për informim në AKP.

Ai ka treguar për Gazetën Fjala se Grandi ka qenë nën AKP deri tash. Por,sipas Kaloshit gjatë kësaj kohe vetëm ish-blerësi ka pas të drejtë t’i shfrytëzojë të gjitha mundësit e ankesave.

“Ama s’ka qenë kjo pengesë për dalë në ritenderim Grandi. Por s’ka pas bord deri tash, sikur të kish qenë  bordi,  ka pas mundësi që të ritemnderohet edhe më herët”, thotë ai.

Kaloshi ka treguar se më zgjedhjen e bordit, që sipas tij mund të emërohet gjatë këtij maji edhe Grandi do të dalë në shitje menjëherë.

“Problem është bordi. Jo vendimet e gjykatës”.

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar ka shpallur të papranueshme kërkesën e parashtruesit NTP Union Comerce (Zelqif Berishës) dhe pretendimet e tij se ka pasur shkelje me vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme, ndërsa ka vlerësuar si të papranueshme po ashtu edhe kërkesën e parashtruesit Mabco Constructions (Behxhet Pacolli) dhe Eurokoha-Reisen (Remzi Ejupi), të cilët kishin kërkuar për të qenë ndërhyrës në anën e paditësit.

Por me vendimin e Gjykatës nuk është pajtuar Behgjet Pacolli president i firmës Mabco . Ai ka thënë se për Grandin do të kërkoj drejtësi ndërkombëtare.  Pacolli ka shpjeguar se me atë vendim është legjitimuar krimi që iu bëhet investitorëve të huaj në Kosovë

Ai ka thënë se është e pakuptimtë se si Apeli e ka kthyer në rigjykim rastin për Hotelin Grand dhe si rezultat i gjendjes së krijuar ky hotel vazhdon të jetë yrnek i së keqes në Prishtinë.

“Edhe në Gjykatën Kushtetuese u pa se dora e zgjatur e krimit duke u maskuar me hijen e spekulimeve ndikoi në këtë vendim skandaloz. Mabco mund ti humb paratë që ka paguar për Grandin dhe për të kjo humbje është relative, por asnjëherë nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi. Që nga sot, Mabco ka marrë rrugën ndërkombëtare të kërkimit të drejtësisë. Ky shkrim, thjesht ka karakter informimi për qytetarët e Kosovës, se sa I fortë është rrjeti I krimit të organizuar në këtë vend”, ka thënë Pacolli.

Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) vendosi më 31 maj të vitit 2012 që të tërhiqte aksionet e blerësit të hotelit “Grandit” në Prishtinë, pasi që privatizuesi dështoi që të përmbushte kontratën duke investuar mbi dhjetë milionë euro në të.

Kurse, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, paraardhësja e AKP-së, e shiti hotelin në vitin 2006 për një shumë prej 8.1 milionë euro. Ajo, atëherë e administruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kishte lidhur kontratë me privatizuesin “Unio Commerce”, pronë e Zelqif Berishës./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/grandi-se-shpejti-ne-shitje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala