Gjysmë milioni euro për software jofunksional

Autori:Avdyl Pajaziti

Hiç më pak se gjysmë milioni euro janë paguar nga Ministria e Ambientit për një softëare i cili tash e një kohë është jashtë funksionit.

Software kompjuterit ishte blerë me qëllim që të lehtësojë punën e regjistrimit të te dhënave rreth pronave të shpronësuara që nga vitit 2010, dhe përveç Ministrisë së Ambientit, mendohej se do t’i kryente punë edhe asaj të infrastrukturës.

Por, tani kur ky software është jashtë funksionit, regjistrimin e këtyre pronave ata e bëjnë përmes paketës së programeve të Microsoft Office.

“Tani punojmë në microsoft office dhe nuk kemi software të veçantë,” ka thënë Fadil Maxhuni nga Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Ambientit.

Ky software ishte blerë në fund të vitit 2013 dhe kishte kushtuar buxhetit të shtetit 507.000 euro.  Siç tregon ministria, deri kur ka ndodhur prishja e këtij software, në të është arritur që të futen rreth 80% të pronave që janë shpronësuar deri më tani.

I pyetur se kush është fajtor që i gjithë ky investim ka mbetur pa u shfrytëzuar tash e një kohë, Maxhuni nuk ka dhënë detaje, po ka treguar se është duke u punuar në rregullimin e problemit.

Ai ka treguar se janë duke u marrë masa që të krijohet një rregullore që e sqaron shfrytëzimin e tij, duke lënë të nënkuptohet se presin që të tilla prishje të mos ndodhin edhe në të ardhmen.

“Është duke u diskutuar rreth futjes në funksion të tij dhe është duke u punuar që të krijohet rregullore për shfrytëzimin e tij (rregullore ligjore apo Udhëzim Administrativ për formën e shfrytëzimit).  Diskutimet janë me Qeverinë dhe Ministritë që janë të kyçur në këtë proces,” ka shtuar ai.

Në këtë software, përveç regjistrimit të pronave, është bërë edhe regjistrimi i vendimeve të qeverisë të lidhur me këtë proces, si dhe pagesat e realizuara gjatë këtyre viteve.

Njohës të çështjeve kompjuterike i kanë thënë Gazetës Fjala se në varësi të madhësisë së software-it zgjatë edhe koha e prodhimit të tij.

Por, sipas këtyre ekspertëve, të cilët kanë pranuar të flasin vetëm në kushte anonimiteti, zgjidhja e problemeve eventuale të këtyre probleme përgjithësisht nuk merr më shumë se disa javë duke lënë të nënkuptohet se ministria është dashur që këtë problem të zgjidhë deri më tani

“Përgjithësisht, zgjidhja e problemeve për këta softuerë nuk duhet të zgjasë shumë. Natyrisht kjo është çështje që bëhet edhe sipas marrëveshjeve edhe me kompaninë nga të cila e kanë blerë software-in por besoj se është çështje ditësh apo javësh që problemet zakonisht rregullohen.  Por ndonjëherë varet edhe nga madhësia e atij softueri,” ka thënë një burim i Gazetës Fjala, duke aluduar se më shumë bëhet fjalë për neglizhencë nga ana e ministrisë.

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Infrastrukturës për të marrë detaje se si prishja e këtij sovtferi ka ndikuar në punën e saj rreth shpronësimeve, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga kjo ministri.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore në Kosovë ka qenë një nga prioritetet kryesore të qeverive që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e deri më sot.  Rrjedhimisht, qeveria ka qenë e zënë më shpronësimin e shumë pronave për të hapur rrugën për këto investime./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/gjysme-milioni-euro-per-software-jofunksional/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala