Gjykatësit nuk guxojnë ta shesin pasurinë e fituar paligjshëm

Autori:Gazeta Fjala

Prokuroria e Kosovës gjatë vitit të kaluar ua ka vërë drynin 13 pikave të shitjes së derivateve, ka sekuestruar tokë në vlerë 8 milionë euro e disa vila luksoze. E gjithë kjo pasuri e krijuar kundërligjshëm nga aktivitete të cilësuara si kriminale.

Por, asnjë gjykatës ende nuk ka marrë guximin të vendosë se çfarë do të bëhet me to, nëse do të shiten apo t’u kthehen “bosëve” të fuqishëm siç quhen pronarët e tyre në raportin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar të publikuar nga Këshilli Prokuroria i Kosovës.

Kështu “Kosova ka dështuar…”, thuhet aty pasi tash e dy vite vlera e pasurisë së sekuestruar është 50 milion euro me të cilën nuk merret askush.

Fajtor për këtë sipas këtij raporti, të cilin e posedon Gazeta Fjala, del të jenë edhe prokurorët edhe gjykatësit.

“Nuk mund të thuhet asgjë pozitive sa i përket reagimit të gjykatave në lidhje më këto raste që me të drejtë konsiderohen si rastet më të ndjeshme ngase po preket pasuria  e personave që kanë kryer vepra penale dhe se marrja e pasurisë së tillë është gjëja që u dhëmb më së shumti  kryesve të veprave penale”, thuhet në raport.

dok 1

Sfidat në sekuestrimin e pasurisë

Vetëm vitin e kaluar, në 55 raste janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri në vlerë mbi 20 milionë euro. Ndërkaq, nga to janë konfiskuar vetëm 6 mijë euro vlerë.

Kjo ka ngritur dyshimet për mundësinë e korrupsionit dhe mungesës së guximit te vetë prokurorët, shkruan Gazeta Fjala.

“Prokurorët nuk kanë kërkuar as sekuestrimin e veturave me të cilat janë bartur  10,20,30 e më shumë kilogramë drogë, pra nëse këta prokurorë nuk kanë aplikuar për konfiksimin bazë të mjetit me të cilën është bartur droga, atëherë çka mund të pritet nga të njëjtit në aplikimin e dispozitave e zgjeruara të konfiskimit”, tregojnë të dhënat në raport, shkruan gazeta Fjala.

Përveç kësaj thuhet se në të gjitha rastet e botës praktika dëshmon se rastet kur mund të aplikohet konfiskimi i zgjeruar është pikërisht në rastet me narkotikë, por që nuk ndodhë në Kosovë.

Përveç që gjykata vazhdon t`i zvarrisë lëndët që lidhen me pasurinë e sekuestruar sipas raportit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, sfidë tjetër është edhe mos dallimi mes sekuestrimit  dhe konfiskimit.

Sipas tyre sistemi gjyqësor vazhdon të raportojë për shuma të mëdha të rasteve  të sekuestruara dhe fatkeqësisht fare pak shuma të konfiskuara.

Pasuritë tjera të konfiskuara

Gjatë vitit 2015  në 55 raste janë sekuestruar 59 vetura  të tipeve Porche, Ferrarri, Mercedes, BMË, me një vlerë prej 591 mijë eurosh.

Përveç veturave janë sekuestruar edhe 3 shtëpi, vlera e të cilave arrin në 1 milion euro.

Ndërkohë që janë marrë edhe dy vila që kanë koston  150 mijë euro, dhe 2 banesa në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Gjithashtu ka ngrirë pasurinë për 7 lokale, ku vlera e tyre shënon 350 mijë euro derisa janë sekuestruar para të gatshme në vlerë  977 mijë euro.

Ndërkaq në grupin  e aseteve të tjera në raportin e prokurorisë  shënon vlera e 2 milion eurove./Gazeta Fjala/

(Natyra Rushiti)

dok 2

dok 3

dok 4

dok 5

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/gjykatesit-nuk-guxojne-ta-shesin-pasurine-e-fituar-paligjshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala