Gekos rreth 300 mijë euro borxh shtetit

Autori:Gazeta Fjala

Kompania Gekos e cila është e thirrur për luftimin e evazionit fiskal në Kosovë, vet i ka borxh shtetit gati 300 mijë euro.

Kjo kompani e cila që nga viti 2009 është licencuar për të pajisur të gjitha bizneset në vend me arka fiskale, del të mos e ketë “përdorur” mirë arkën e saj.

Ajo nuk ka paguar obligimin që ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, që me ligj është e detyruar ta bëjë.

Në listat që ka bërë publike ATK në muajin nëntor të këtij viti lidhur me borxhet që bizneset dhe individët e caktuar kanë ndaj shtetit, Gekos figuron se ka një borxh prej afër 300 mijë euro.

Bazuar në këtë listë që e përfshinë periudhën që nga viti 2009-2014, baza e borxhit për kompaninë Gekos fillon nga 67 mijë e 527 euro.

Sipas një burimi të Gazetës Fjala, njohës i mirë i mënyrës së kalkulimit të obligimeve që bizneset kanë ndaj Administratës Tatimore ka treguar se për të dalur deri te shifra e 300 mijë euro, gjithsesi duhet të ketë pasur edhe borxh paraprak.

Mirëpo ky borxh paraprak nuk figuron askund, bazuar në listat e publikuara nga ATK.

“Sipas kalkulimit të Interesit dhe Ndëshkimeve, del se përafërsisht GeKos-it i ka lindur borxhi dikund pas vitit 2011. Baza e borxhit është 67 mijë e 527 euro dhe për shkak të mos pagesës deri tash atij i është rritur interesi për 119 mijë e 276 euro dhe 124 mijë e 678 euro ndëshkimi në total- atij do t`i falet një borxh prej 243 mijë e 954 euro”, ka shpjeguar ky burim.

Ky burim ka treguar se pa marrëveshjen me ATK biznesi nuk mund t`i ik në këtë mënyrë obligimeve.

Kompania Gekos përmes një përgjigje me shkrim ka konfirmuar se periudha kur ka filluar borxhi i saj ndaj Administratës Tatimore është pas vitit 2011.

Sipas kësaj përgjigje Gekos ka aplikuar për të shfrytëzuar mundësinë për faljen e borxheve, bazuar në vendimin që Qeveria e Kosovës ka marrë këtë vit, sipas të cilit nëse bizneset paguajnë borxhin që kanë ndaj shtetit nga viti 2009-2014 do tu falet borxhi që kanë më herët.

“Ne kemi aplikuar për falje të borxhit siç kanë bërë gjitha kompanitë pasi ligji iu ka mundësuar gjithëve pa dallim të aplikojnë për falje të borxhit. Aktualisht kompania “GEKOS” nuk ka asnjë obligim tatimor ndaj ATK-së”, shkruan në përgjigje e kompanisë Gekos.

Kjo kompani vazhdimisht është kritikuar për mbajtjen e monopolit në shitjen e paisjeve të fiskalizimit në Kosovë.

Borxhi mbi 300 mijë euro i bizneseve tjera

Në listën e borxhlinjve nga viti 2009 deri në vitin 2014, sipas listës së Administratës Tatimore të Kosovës figurojnë edhe shumë biznese tjera borxhi bazë i të cilave e kalon 300 mijë euro.

“BEN-AF” nga Suhareka ka borxhin bazë prej 1 milion e 5 mijë 745 euro. Gjithashtu  316 mijë ndëshkim 445 mijë interesin dhe 14 mijë euro gjobë.

“K. Regj. e Mbeturinave ” Ekoregjioni ” nga Prizreni 783 mijë e ,397.45 tatimi bazë  215,315.83 ndëshkimi 368,571.01 interesi  1,000.00 gjoba

,,NOTAbrillant” nga GJILANI e ka tatimin bazë ndaj ATK-së prej 390,070.05 tatimi bazë  262,540.33 ndëshkimi  251,880.37 interesi  250.00 gjoba

” CONSULTING.EU ” nga Prishtina  ka 415 mijë euro tatimin bazë, 471 mijë euro ndëshkim nga ATK-ja dhe 259 mijë interes.

“MC COMMUNICATIONS” nga Prishtina, ka 549 mijë euro tatimin bazë ,  448 euro ndëshkimin kurse interesin 394 mijë euro.

“DIMI” nga prishtina 300 mije euro tatimin bazë, 150 mijë euro ndëshkimin kurse 61 mijë euro interesin.

“ECO-HIGJIENA”  nga Gjilani,  413 mijë euro ka tatim bazë. 114 mijë ndëshkim kurse  101 mijë interes .

“New Co Mine and Industry of Magnesite Goleshi ” nga Lipjani   tatimin bazë e ka prej 458 mijë euro Ndëshkimin prej 148 mijë euro, interesin prej 244 mijë si dhe  gjobën prej 1 mijë e 125.

,,Swigh” nga Prishtina tatimin bazë ndaj ATK-së e ka 401 mijë euro, ndëshkimin prej 251 mijë euro, interesin prej 307 mijë euro si dhe gjobën 2 mijë euro.

“VICTORY”  nga Prishtina e ka tatinim bazë prej 322 mijë euro, ndëshkimin prej 154 mijë euro interesin prej 180 mijë euro si dhe 750 mijë. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/gekos-rreth-300-mije-euro-borxh-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala