Fuqia sllovene në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Më shumë se 1,881 slloven e kanë vizituar Kosovën vitin e kaluar. Shumica e tyre kanë ardhur për biznes. Ndërsa të shumtë janë ata që tashmë kanë hapur bizneset e tyre këtu.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se numri i këtyre mysafirëve gjithnjë e më shumë po rritet ashtu sikur edhe vlera e investimeve të tyre direkte. Sllovenia është njëri ndër investitorët më të mëdhenj direkt në Kosovë me 217 milion euro investime deri në fund të vitit 2014.

Aktualisht janë 250 kompani me kapital slloven të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë që punojnë mbi 2000 punëtorë, raporton Gazeta Fjala.

Ndërkaq, qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet, vitin e kaluar kanë sjellë në vendlindje 2.2 milion euro.

E, kosovarët, më së shumti e njohin Slloveninë përmes qumështit Alpsko dhe investimeve në kompaninë telekomunikuese IPKO. Ndërkaq, politikanët vendës në deklaratat e tyre publike e  quajnë vend mik dhe shumica e tyre i kanë të deponuara paratë në bankën me kapital slloven NLB.

Por, këto raporte ekonomike janë vënë në pikëpyetje javën e fundit, pas arrestimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në aeroportin e Lublanës, bazuar në një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Qytetarët e revoltuar kanë sulmuar dy nga objektet e kompanive të këtij shteti dhe bashkë me përfaqësues të komunitetit të biznesit e politikës kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve sllovene.

Njohës të ekonomisë, vlerësojnë se pala kosovare po merr vendime të ngutshme në raport me këtë vend të Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Fjala.

Drejtoi i Qendrës për Hulumtime Strategjike, Ibrahim Rexhepi, ka shkruar se është për keqardhje kur arrestimi i tij (Ramush Haradinajt) përdoret si pretekst për të treguar sa e duam gjeneralin dhe Kosovën.

“Pse pikërisht tash na u kujtua se “Alpsko” është mall nga Sllovenia, se IPKO dhe NLB-ja qenkan sllovene? Më herët nuk e ditëm këtë? Po na ishim ata që morëm 252 milionë euro kredi nga NLB-ja, e forcuam IPKO-n që të merr 36,2 për qind të tregut të telefonisë mobile, apo që përmes konsumit ndikuam që importet nga Sllovenia të jenë 65 milionë euro, kurse të eksportojmë vetëm dy milionë euro!”, shkruan Rexhepi në facebook.

Sipas tij, duhet të kundërshtohet dhe të protestohet për shkak të arrestimit të Haradinajt.

“Por, Kosova gjithmonë është e jona, si janë tonat edhe produktet që prodhohen. Pra, ta mbajmë qëndrimin ndaj asaj që na ofrohet nga jashtë përgjatë tërë jetës, e jo vetëm atëherë kur nga i arrestojnë gjeneralët ( sot Ramushin, dje Cekun). Frikësohem se deklaratat dhe veprimet ndaj mallrave dhe shërbime që marrim nga Sllovenia bëhen vetëm sa për të mos e humbur shansin “që të kundërshtojmë”, e jo pse kemi bindje se kështu do të sillemi edhe nesër”, thekson Rexhepi.

Edhe drejtori i Institutit për Hulumtime Zhvillimore, “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, ka kundërshtuar sulmin ndaj bizneseve sllovene në Kosovë.

“Bizneset që punojnë në Kosovë, hapin vende pune në Kosovë, paguajnë taksa në Kosovë, investojnë në Kosovë – janë biznese të Kosovës. Secili sulm primitiv ndaj tyre është i njëjtë e barabartë me sulmet ndaj bizneseve tjera në Kosovë; në pronësi të kudo qofshin ato”, ka shkruar Abdixhiku.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se për tre muaj të parë të vitit 2015, biznesmenë nga Sllovenia kanë investuar në Kosovë 1.3 milion euro.

Megjithatë, ky shtet në dy vitet e fundit ka mbetur mbrapa sa i përket investimeve direkte në raport me Turqinë e Gjermaninë./Gazeta Fjala/

 

Investimet e huaja direkte në tremujorin e parë 2015

Gjermania – 11.4 milion euro

Zvicra – 19.5 milion euro

Turqia – 20.1 milion euro

Shqipëria – 9.7 milion euro

 

Investimet e huaja direkte deri në fund 2014

Sllovenia – 217 milion euro

Gjermania – 253 milion euro

Turqia – 291 milion euro

Zvicra – 178 milion euro

 

Vizitorët nga Sllovenia në Kosovë

Gjatë vitit 2008 – 1.289 vizitorë

Në vitin 2009 – 1.481 vizitorë

Në vitin 2010 – 1.166 vizitorë

Në vitin 2011 – 1.707 vizitorë

Në Vitin 2012 – 461 vizitorë

Në 2013 – 1.467 vizitorë

Në vitin 2014 – 1.881 vizitorë

Shkëmbimet tregtare Kosovës – Slloveni

Eksporti i Kosovës drejt shtetit Slloven gjatë prillit të vitit 2014 ka qenë në vlerë të vetëm 3 mijë eurove. Kurse, në prill të këtij viti ai është 15 mijë euro. E krejt kjo vlerë në total është 0. 1 për qind e eksportit të përgjithshëm.

Importi i Kosovës nga Sllovenia për muajin prill të vitit të kaluar ka qenë 458 mijë euro. Derisa në muajin prill të këtij vi kjo shumë ka shkuar në 506 mijë euro. Në vlerë totale është 2 për qind.

Importi nga Sllovenia: viti 2005 deri në 2013

2005- 54.998 euro

2006-56.001 euro

2007- 62.420 euro

2008-66.762 euro

2009- 66.378 euro

2010- 65.738 euro

2011 71.614 euro

2012- 68.385 euro

2013- 61.314 8 euro

Eksporti për në Slloveni nga viti 2005 deri në 2013

2005-1.231 euro

2006- 4.515 euro

2007-4.290 euro

2008- 6.304 euro

2009- 2.882 euro

2010-6.203 euro

2011- 6.001 euro

2012-1.417 euro

2013-1.434 euro

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/fuqia-sllovene-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala