FMN kërkon ndërhyrje urgjente në Kosovë

Autori:Zekirja Shabani

Fondi Monetar ndërkombëtar i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kosovës për një numër të madh shqetësimesh serioze për të ardhmen e vendit. Orientimi i gabuar i investimeve të huaja direkte, planifikim i keq i buxhetit e shpenzime të orientuara politikisht gabim janë disa nga veprimet që i vuajnë taksapaguesit.

Planifikimet buxhetore, sipas raportit të fundit të FMN-së, nuk janë në harmoni me nevojat e Kosovës dhe është kërkuar ndërhyrje urgjente në këtë çështje.

“Që nga shpallja e pavarësisë, pagat e sektorit publik janë më shumë se dyfishuar, duke lënë pas në masë të madhe produktivitetin, pagat e sektorit privat, ose pagat publike në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për të akomoduar këtë rritje të mprehtë në shpenzimet e tanishme, shpenzimet kapitale janë ulur ndjeshëm gjatë së njëjtës periudhë (4 pikë përqindje GDP), pavarësisht nga nevojat urgjente të zhvillimit të Kosovës”, thuhet në raport.

Në këtë raport thuhet shumë direkt se në Kosovë, rritja e pagave në sektorin publik ka qenë kryekëput për arsye politike, duke rezultuar në pasoja negative ekonomike.

Përveq kësaj, shpenzimet në arsim kanë mbetur të ulëta në krahasim me shpenzimet tjera dhe sipas zyrtarëve të Fondit ato gjithnjë e më tepër janë në rënie.

“Pas premtimeve parazgjedhore, është e nevojshme rregullimi gradual fiskal në mënyrë që të ruhet kredibiliteti i rregullave fiskale dhe ruajtjen e nivelit të ulët të borxheve fiskale. Masat duhen të fokusohen në ndaljen e rritjes së shpejtë të shpenzimeve joproduktive, gjithashtu të ulet deficiti përderisa krijohet hapësirë për zonat si infrastruktura, edukimi, dhe shëndetësia”.

Përmirësimi i infrastukturës energjetike, duke përfshirë ndërtimin e një centrali të ri elektrik, sipas FMN-së është i rëndësishëm në largimin e krizave energjetike në të ardhmen.

Por kjo duket se do të jetë një sfidë kogja e madhe e Qeverisë së Kosovës, e cila sipas fondit ka shumë punë për të bërë para vetes.

Ndër to është edhe sigurimi i mjeteve të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e planifikuara për vitin 2015.

“…sfida të thella vazhdojnë të mbesin në eksport dhe bazën e ngushtë të produktivitetit të Kosovës, normat e larta të papunësisë dhe paga të cilat janë ndër më të voglat në Evropë”.

Deri më tani, në raport shihet se institucionet e vendit kanë ndjekur politika të gabuara për rritjen e produktivitetit dhe orientimit të remitencave e investimeve të huaja direkte.

“Në Kosovë, më shumë se 80 për qind e investimeve të huaja është e drejtuar kah tregu, llogaritë e prodhimit zënë për më pak se 12 për qind të PBB-së, dhe deficiti tregtar vitin e kaluar tejkaloi 30 për qind të GDP”.

Përveq kësaj, fakti që sektori publik tani ofron edhe siguri më të madhe të punës dhe paga më të larta sesa në sektorin privat e bën shumë të vështirë për firmat që të tërheqin kah vetja talent dhe punëtorë të lualifikuar.

Por bizneset në vend përballen edhe me një telash tepër të madh. Mungesa e qasjes në financa pavarësisht sektorit stabil bankar.

“Duke pasur parasysh qasjen e ulët në kredi, sfida kryesore është shfrytëzimi i likuiditetit në dispozicion në mënyrë që bankat të mbështesin më tej investimet e veta dhe rritjen ekonomike”, thuhet në raport.

Por, sipas FMN-së kjo do të kerkojë përmirësime në sistemin e dobët juridik si dhe luftimin e ekonomisë joformale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se deficiti buxhetor këtë vit do të jetë i lartë dhe mbi nivelin e lejuar për shkak se buxheti është aprovuar vetëm “teknikisht” pa u analizuar si duhet.

Ndërkaq, kërkon nga Qeveria e Kosovës që pavarësisht shkallës së lartë ttë remitencave që ka vendi të mos i amrr shumë parasyshë këto në planifikimet e veta për shkak të ndikimeve që mund të kenë në to zhvillimet botërore.

Fondi pret që këto remitenca këtë vit të ulen për shkak të ndikimeve indirekte në vendet ku jeton diaspora kosovare nga konflikti Rusi-Ukrainë dhe paqëndrueshmëria në Greqi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/fmn-kerkon-nderhyrje-urgjente-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala