Festë me barkun bosh

Autori:Avdyl Pajaziti

Gati gjysma e kosovarëve natën e ndërrimit të motmoteve nuk kishin çfarë të shtrojnë në tryezë. Mishin, pijet e shtrenjta e dekorimet festive i panë vetëm në ekran.

Një pjesë e tyre nuk kishin as ku ti shohin. Krismat dhe fishekzjarrët që ndriçuan qiellin, për qytetarët që jetojnë me 1.72 euro në ditë fishekzjarrët janë shenjë se ia dolën edhe një vit.

Të tillë nuk janë pak. Janë gati 30 për qind e 1.7 milion kosovarëve që çdo ditë zgjohen me frikën se të nesërmen nuk do të kenë bukë për të ngrënë, raporton Gazeta Fjala.

Këtë ndjenjë kishin edhe ditën e parë të vitit të ri. Me paratë që marrin nga asistenca sociale ata nuk mund të blejnë as produktet elementare për jetë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në nëntor mori vendim për përcaktimin e lartësisë së pagës mujore për ndihmë sociale, sipas numrit të anëtarëve të familjes.

Bazuar në vendimin e Qeverisë, një familje masatare 5 anëtarëshe do të marrë social prej 87 euro në muaj, nga 70 euro sa ka marrë më herët.

Në bazë të një kalkulimi të thjeshtë del se ajo i ka në dispozicion nga 0.58 euro në ditë në emër të ndihmës sociale, me të cilat mjete mund të blejnë vetëm bukë pa e shoqëruar me asgjë.

Sipas këtij vendimi, një familje 15 anëtarëshe për një muaj do të marrë vetëm 150 euro pagë mujore, përkatësisht 5 euro në ditë për të gjithë së bashku për dallim nga 130 sa ka marrë më herët. Përderisa për familjet që i kanë 10 anëtarë, në emër të ndihmës sociale u takojnë vetëm 118 euro në muaj e që më parë kanë marrë 95 euro.

Ndërkohë që shkalla e varfërisë në vend arrinë gati në 30 për qind, raporton Gazeta Fjala.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, raportit të fundit të Bankës Botërore dhe Agjensionit të Statistikave të Kosovës mbi varfërinë në Kosovë, rreth 29,3 për qind e familjeve jetojnë në varfëri të skajshme.

Sipas një raporti kjo përqindje e familjeve që jetojnë në varfëri të skajshme, kanë më pak se 1,72 euro në ditë, ndërkaq rreth 10,2 për qind jetojnë me më pak se 1,20 euro në ditë.

Numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në tre mujorin e fundit të 2015 ishte 27 mijë e 609. E që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i familjeve që kanë përfituar nga kjo skemë ka shënuar rënie për 1 mijë e 929 familje. Por pavarësisht se skema pensionale nuk u rritë sa do t`i duhej një familjeje për të plotësuar nevojat elementare, cimet e artikujve janë rritur.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë treguar se indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,1 për qind në muajin nëntor 2015 krahasuar me muajin tetor 2015./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/feste-me-barkun-bosh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala