Fëmijët punëtorë të zorit

Autori:Avdyl Pajaziti

“Cigare, shkrepësa, krem-banane”, thërret tavolinë më tavolinë 15 vjeçari nga Podujeva, K.G.

Nga ora tetë e mëngjesit deri në njëmbëdhjetë të mbrëmjes, ai endet kafeneve të kryeqytetit me pakon specialë nën sqetull, në të cilën ka radhitur me kujdes të gjitha llojet e cigareve.

Puna që bënë është e ndaluar me ligj, madje edhe produktet që ai shet. Por atë nuk e pengon askush, e as nuk e ndihmon të zëvendësoj zanatin.

Bashkë me vëllaun më të ri në moshë, ata sigurojnë paratë për të ushqyer pesë anëtarët e tjerë të familjes.

“Punoj me vëllain kaniher, me këtë e mbajmë edhe familjen gjallë”, thotë ai për Gazetën Fjala.

Vëllau i tij ka zgjedhur të fitoj para duke larë xhamat e veturave në semafor.

Ngjashëm veprojnë edhe qindra moshatarë të tij, të cilët mund edhe t’i takosh në çdo cep të Prishtinës.

Për Gazetën  Fjala ata tregojnë se nuk e kanë të lehtë këtë punë, por thonë se është e vetmja zgjidhje që kanë.

Në Kosovë sipas Qendrës për Punë Sociale gjatë vitit 2014 kanë punuar punë të rënda mbi 200 fëmijë.

Derisa, Agjencia e Statistikave të Kosovës  ka treguar se përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç, që janë të angazhuar në punë, është 10.7 për qind.

Kurse, Arbëresha Kryeziu nga Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, (KOMF), ka thënë për Gazetën Fjala se edhe pse të drejtat për të mbrojtur fëmijët  nga puna janë mjaft mirë të parapara në dispozitat ligjore në fuqi, situata e fëmijëve vazhdon të jetë e rëndë”.

Ajo thotë se  institucionet publike ndërmarrin aksione sporadike të pa koordinuara herë pas here, mirëpo ende nuk ka vullnet të mjaftueshëm në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda.

“Kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor, e si pasojë mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti largonin fëmijët nga punët e rënda. Institucionet publike ende nuk kanë ndërmarrë iniciativa konkrete të mirë koordinuara për menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijët e përfshirë në punë të rënda”, ka thënë Kryeziu.

E krijimi i vendeve të reja të punës është premtuar shumë herë nga politikanët e Kosovës. Një pretim se do të krijohen mbi 120 mijë vende të punës e kanë dhënë edhe drejtuesit aktual te Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Por deri tani ky numër i të punësuarve ka mbetur vetëm një premtim. Kështu thotë edhe Drejtori i Institut GAP, Agron Demi. Ai madje me bindje thotë se ky premtim nuk do të realizohet fare.

“Premtimi madhorë i dy partive në koalicion ka qenë krijimi i së paku 120 mijë vendeve të reja të punës. Ajo çfarë do të duhej të ndodhte është se krejt politikat qeveritare për këta 9 muaj do të duhej të orientoheshin në drejtim të asaj se si do të krijohen këto 120 mijë vende te punës. Por ky premtim madhorë nuk do të realizohet. Madje edhe vetë kryeministri Mustafa ka deklaruar se ky është një premtim i parealizueshëm”, ka thënë Demi./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/femijet-punetore-te-zorit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala