Fëmijët e burgut

Autori:Gazeta Fjala

Ishte vetëm 14 vjeç kur kishte kapur për herë të parë armën në dorë. Shkrepja e saj u bë shkas që Ferizajasi tash e tri vjet feston ditëlindjen brenda mureve të rrethuara me tela gjembor bashkë me 93 të mitur të tjerë.

Ai po vuan dënimin për vrasje në Qendrën Korrektuese për Të Mitur në Lipjan, shkruan Gazeta Fjala.

“Jam që 3 vjet e katër muj për vrasje. Kom ardh shumë i ri po me kalimin e kohës jom adaptu ktu edhe kom kalu mirë deri ktu. Ç’do njeri që ka ardh ktu i ka ra pishmanit qa ka ba. Ishalla ma si ndodh kërkujt”, thotë i mituri që ndanë dhomën me tre shokë tjerë të qendrës të dënuar për vepra të ndryshme.

I ka mbetur plot një vit e gjysmë që t`i kthehet jetës normale, pranë familjes. Ndërkohë, po vazhdon shkollën prapa grilave dhe ka fituar zanatin prej hidroinstaluesi të cilin mendon ta vazhdoj pasi ta përfundoj dënimin.

I penduar është edhe një i mitur tjetër nga Peja, i cili vuan dënimin në një qeli tjetër për veprën e njëjtë.

“Atëherë kur e kom ba jom kan ma i ri si kom menu do sene. Tash i kom ra pishmanit jam i përgatitur jom i gatshëm mu kthy me jetu në liri. Kom kry trajnim të ujësjellësit”, rrëfen ai për Gazetën Fjala.

burgu brenda

Dënimi nga 5 deri në 10 vjet

Veprat për të cilët të miturit mbahen u takojnë natyrave nga më të ndryshmet. Mirëpo, sipas  drejtorit të Qendrës, Heset Loku, janë më të theksuara rastet e vjedhjës.

Të rralla nuk janë as rastet e vrasjeve, keqtrajtimeve seksuale, e përfshirjes në grupe terroriste.

Për të tilla vepra dënimet sipas ligjit sillen nga 5 deri në 10 vite.

E gjatë kohës sa mbahen në Qendrën Korrektuese, përveç edukimit dhe zanateve ata zhvillojnë edhe një mori aktivitetesh tjera.

“Qëllimi primar është të risocializoj të kthej në jetën normale të miturit sidomos ata që kanë bërë vepra, t`i kthehen shoqërisë të mos bëhen recidivist. Që nga momenti i pranimit deri i lirimit metodat janë metoda bashkëbisedimi t`i bëjmë t`i kuptojnë shkeljet, të pendohet për veprën”, thotë për Gazetën Fjala, drejtori i Qendrës, Heset Loku.

Ai thotë se qëllimi i tyre është të përfshijnë në shkollim të gjithë të miturit, por ka edhe prej tyre që nuk kanë dëshirë të vijojnë shkollimin që u ofrohet brenda Qendrës.

“Numri më i madh është që kanë ndërpre shkollimin për shkak të implikimeve në vepra ose kushteve familjare, i sigurojmë mbarëvajtje. Ministria e Arsimit, siguron kuadro. Ne kushtet për mbarëvajtjen e procesit”.

E përveç arsimit profesional, të miturit e kanë edhe mundësinë e aftësimit profesional, në mënyrë që të dalin të përgatitur me mundësi më të mëdha për të gjetur veten në tregun e punës. Hidrointalues, elektricist e murator janë disa nga profesionet ku mund të certifikohen.

Megjithatë, ka edhe shumë të tjerë që zgjedhin të merren me bujqësi brenda hapësirës së izoluar.

Në serat e Qendrës, tashmë kanë kultivuar domate, speca e perime tjera që presin t`i konsumojnë gjatë qëndrimit aty.

Vepra penale edhe brena burgut

Jo gjithnjë të burgosurit i respektojnë rregullat edhe brenda këtij institucioni. Madje bashkë me familjarët e tyre shpesh kryejnë vepra penale edhe gjatë kohës sa vuajnë dënimin.

Shpesh gardianët kanë pamundësuar kontrabandimin e produkteve të ndaluara, sidomos drogës.

“Dy persona vuajnë dënimin për kontrabandim me substance narkotike. Ka raste të futjes së kontrabandës, fatkeqësisht familjarët tentojnë me fut kontrabandë”, deklaron drejtori i Qendrës.

E numri i gardianve dhe stafit tjetër të qendrës nuk është i mjaftueshëm për tu kujdesur për të gjithë të miturit që vuajnë dënimin.

Numri i personave që janë të punësuar në Qendrën Korrektuese është 163.

“Nuk është i mjaftueshëm stafi te punëtorët social. Kemi kategori të miturish që kanë nevojë për biseda. Tash kur po ndërtohet  institucioni i ri për të miturit me masë edukuese korrektuese atje parashihet që numri të jetë më i madh i punëtorëve social, e edukatorëve”, tregon drejtori i QKL-së.
Përveç kësaj, të punësuarve u duhet të merren edhe me problem tjera të të miturve. Kryesisht mosmarrëveshje e kacafytje që ndodhin në mospajtime të aktiviteteve sportive, e  programeve televizive.

Derisa, nuk përjashtohen as rastet e sulmeve, e dëmtimeve të pasurisë së Institucionit, shkruan Gazeta Fjala.

burgu jasht

Të miturve u lejohet duhani brenda qelive

Duket e pazakontë por të miturit që vuajnë dënimin nuk I pengon askush të pijen duhan në këtë qendër. Duhani sipas drejtuesve të QKL-së është miku i vetëm që ua largon dhimbjen e mendje nga veprat që kanë kryer.

Në mungesë të një vendimi të veçantë, pavarësisht ligjit të duhanit, asgjë nuk i pengon të miturit që të konsumojnë edhe brenda hapësirave të dhomave.

“Ligjërisht nuk u lejohet konsumimi i duhanit, ata e pijen edhe në dhoma duhanin. Duhet të nxirret një ligj që e rregullon këtë çështje. Të vetmin sen e kanë duhanin. Këtu është kantina i bëjnë porositë varësisht sa i kanë të hollat, sa ju bartin familjarët”, tregon Loku.

Të rinjtë që sillen mirë gjatë qëndrimit në qendër gëzojnë të drejtën për vizita  tre ditor në familje. Por shpesh ndodh që nuk kthehen më.

Atëherë, policia detyrohet që të intervenoj për kthimin  e tyre në Qendër. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/femijet-e-burgut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala