“Fati” i fukarenjve

Autori:Avdyl Pajaziti

Paga që merr si kamerier, nuk i mjafton asnjëherë deri në fund të muajit për shpenzimet që bën. Por, Dritoni është i bindur se, “e sjell Zoti” dhe me këtë shpresë ai çdo ditë shpenzon më shumë se që fiton.

“Rrogën e kam rreth 300 euro e bën vaki i harxhoj ma shumë se 500 euro në muaj”, tregon ai që një pjesë ë parave e lë në baste.

Hiq më pakë se nga 5 euro ai i lë në bastore çdo ditë.

“Po maj ymyt se ma rrokë, e po dal prej krize”, qeshet Dritoni, 26 vjeçar nga Gjakova derisa tregon për jetën që bënë në kryeqytet.

Kaq para ai nuk shpenzon për bukë gjatë ditës. Madje rrëfen se shumë rrallë ndodh që të fitojë. Por, shpresa se një ditë do të dalë fitimtar, e nxit që një euro të bukës ta sakrifikoj për një prognozë futbolli.

Në gjithë Kosovën janë të licencuara nga Administrata Tatimore e Kosovës gjithsejtë 39 kompani të lojërave të fatit, ndërsa vetëm në Komunën e Prishtinës operoj gjithsejtë 72 njësi të këtyre lojërave.

Sociologët vlerësojnë se lojërat e fatit janë bërë një dukuri masive në të gjitha shtresat dhe kategoritë sociale të shoqërisë kosovare.

Sipas tyre, ato më së tepërmi nxiten nga realiteti i zymtë socio-ekonomik dhe Kosova vlerësohet si një nga vendet me këtë gjendje të rëndë socio-ekonomike.

Në këtë mënyrë lojërat e fatit shihen si e vetmja zgjidhje për t’i ikur realitetit socio-ekonomik për shumë kosovarë. Me shpresën e rrejshme se në këtë mënyrë do t’i japin fund varfërisë, qytetarët më shumë po shpenzojnë nëpër bastore se për bukë.

Në një prononcim të mëhershëm rreth kësaj çështje, Fadil Maloku, sociolog, ka thënë se histeria apo pasioni për të provuar “fatin” në këto lojëra, në një mënyrë mund të ndërlidhën pa dyshim me realitetin apo gjendjen sociale, ekonomike shoqërore që është krijuar dhe mund të cilësohet si një gjendje e padurueshme ekzistenciale për këto kategori njerëzish e mentalitetesh sociale.

Licencimi, kategorizimi dhe rregullimi i lojërave të fatit në Kosovë bëhet sipas Ligjit për Lojërat e Fatit dhe sipas ligjit organizohen: lojërat e lotarisë, lojërat e kazinosë, bastet sportive, lojërat në automate dhe tombolla bingo në lokale të mbyllura.

Në ATK tregojnë se gjatë vitit 2014 janë realizuar gjithsej 1,471 vizita të ndryshme dhe janë lëshuar 47 gjoba në vlerë prej 52 mijë euro për kompanitë e lojërave të fatit për shkelje të konstatuara. Ndërkaq, janë revokuar 7 licenca si dhe janë bërë 35 kërkesa për organizimin e lojërave shpërblyese.

“Administrata Tatimore e Kosovës është duke monitoruar dhe mbikëqyr bizneset e lojërave të fatit, të gjitha ato njësi të cilat janë mbyllur nga ATK-ja nuk janë rihap nga Administrata Tatimore e Kosovës pa i plotësuar te gjitha kriteret e parapara me legjislacionin ne fuqi për lojërat e fatit dhe pa pasur pëlqim nga kuvendet komunale përkatëse qe njësia i plotëson te gjitha kriteret dhe ka distancën e mjaftueshme nga institucionet edukativo-arsimore, fetare, kulturore historike dhe te pronës komunale”, tregojnë zyrtarët e ATK-së për Gazeten Fjala.

Që nga fillimi i aksionit për të vënë në rend këtë biznes, janë afërsisht 650 njësi të mbyllura nga ATK-ja në gjithë Kosovën.

Por, pavarësisht largimit të tyre dhe krijimit të distancës së mjaftueshme nga institucionet edukativo-arsimore ,fetare ,kulturore historike dhe te pronës komunale, lojërat e fatit duket se janë bërë vend pune dhe shprese për rreth 30 për qind e qytetarëve që llogariten si të papunë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në Administratën Tatimore të Kosovës nuk kanë të dhëna se sa para shpenzojnë kosovarët mesatarisht për lojërat e fatit, por supozohet se shifrat e parave që shpenzojnë për lojëra të fatit, thuhet se janë më të mëdha se shpenzimet për bukë. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/fati-i-fukarenjve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala