Ekonomia e bazuar në ‘Call Centers’

Autori:Gazeta Fjala

Adhurimi, student i vitit të parë nga Prishtina, qysh në moshë të vogël ishte tërhequr nga gjuha gjermane.  Me kalimin e viteve, kryesisht përmes televizorit dhe internetit, ai ka arritur që të zotërojë mjaftueshëm këtë gjuhë nga e cila sot ai arrin që të bëjë jetesën.  Ai tash e disa muaj ka filluar punë në njërën nga qendrat e shumta të thirrjeve në Kosovë, të njohura gjerësisht si ‘Call Center’.

Qe disa vite me radhë, qendra të tilla janë kthyer në burim të rëndësishëm të punësimit të rinjve kosovarë në kohën kur papunësia vazhdon të jetë e lartë dhe është e vështirë të gjendet punë në drejtimin për të cilin studentët e diplomuar janë të kualifikuar.

“Unë kam filluar punë këtu para 8 muajve dhe këtë punë e bëjë deri sa të përfundoj studimet.  Detyra ime është të shërbej konsumatorëve me informata për produkte,” thotë Adhurimi i cili nuk ka dashur të zbulojë identitetin e plotë të tij.

“Kjo punë nuk është e vështirë shumë në aspektin fizik, por psiqikisht është mjaftë e rëndë, sepse gjatë tërë kohës jam në telefon duke biseduar me njerëz të cilët nuk i njoh,” tregon ai.

Ai nga puna që bënë përfiton më shumë se sa paga mesatare në vend; ai merr pagë prej 450 eurosh në muaj, pa përfshirë këtu edhe bonuset për tetë orë punë në ditë.

Sipas tij, aty punësohen të rinj të profileve të ndryshme, edhe nga ata të cilët kanë përfunduar fakultete në drejtime të shkencave natyrore por që kanë vështirësi në gjetjen e punës në profesionin për të cilin janë të kualifikuar.

Sipas Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare (ARBK) janë gjithsej 52 ‘Call Centers’ të regjistruara në Kosovë.  Nga to, 36 operojnë në Prishtinë, gjashtë në Prizren, dy në Pejë dhe përkatësisht Mitrovicë si dhe nga një në qytete të tjera.

Por, ky numër mund të jetë edhe më i madh marrë parasysh ekonominë joformale në vend si dhe faktin që disa nga to regjistrohen si biznese telekomunikimi dhe të tjera bëjnë pjesë në kategorinë e bizneseve për qendra telefonike.

Njëra nga këto qendra është CDE Agency në Prishtinë, e hapur muajin e kaluar.  Sipas përfaqësuesve të kompanisë, ata kanë arritur që të bëjnë marrëveshje me kompani gjermane dhe zvicerane për të bërë marketing përmes telefonit në këto vende.

“Si një qendër e re kemi filluar me shtatë punëtorë dhe jemi në kërkim edhe të dhjetëra të tjerëve, jo vetëm në Prishtinë por edhe në qendrat e tjera që do të hapen nga viti i ardhshëm dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur me nivelin e gjuhës të cilën ata flasin,” thotë Flaka Tmava nga kjo kompani.

“Gjithashtu jemi edhe në proces të bashkëpunimit dhe lidhjes së marrëveshjeve të reja edhe me  kompani të tjera ndërkombëtare të cilat kanë shprehur interesim të bashkëpunojnë me Kosovën përkatësisht me këtë qendër,” tregon ajo.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) bëhet e ditur se deri në shtator të vitit 2015, këto biznese kanë paguar taksa shtetit në vlerë prej 27.843 euro.

Një tjetër qendër e thirrjes në Prishtinë, të cilën Gazeta Fjala e ka vizituar por nuk ka arritur të bisedojë me pronarin, në një dhomë ndodheshin mbi 150 persona të cilët me ndëgjuese në vesh dhe me mikrofon afër komunikojnë në vende evropiane me qytetarë që blejnë online.

Portalet më të njohura të punës në vend thuajse çdo javë publikojnë shpallje ku kërkohen të rinj që njohin gjuhë të huaja, të cilët shfrytëzohen për të bërë marketing dhe shitje në vendet e Evropës përmes telefonit.

Në muajin shtator të këtij viti,  Komuna e Prishtinës së bashku me kompaninë “IQLink” e kanë zyrtarizuar marrëveshjen për hapjen e 220 vendeve të punës në Prishtinë për gjermanofolësit dhe njohës së gjuhëve të tjera evropiane të cilat do të punojnë në një Call Center.

“Bëhet fjalë për paga mbi 500 euro e më shumë.  Nënkontraktimi i shërbimeve në dy vjetët e ardhshme do të krijojë mijëra vende të punës dhe kjo është pjesë e strategjisë së komunës. Javëve në vijim do ta zyrtarizojmë një program të granteve të vogla, si dhe disa investime të tjera”, i kishte thënë mediave Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në ditën e nënshkrimit të kontratës.

Në anën tjetër, drejtues të kompanisë IQ Link kishin thënë se numri i punëtorëve në këtë kompani do të rritet me kalimin e kohës.

Edhe Qeveria e Kosovës kishte promovuar një biznes të tillë duke e cilësuar si burim i uljes së papunësisë sidomos tek të rinjtë.  Gazeta Fjala ka dërguar disa pyetje tek Ministria e Financës për të pyetur rreth kësaj çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ekonomia-e-bazuar-ne-call-centers/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala