Efekti special në ekonominë e Kosovës

Autori:Zekirja Shabani

Arrestimi i zëvendës kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për krime lufte, do të mund të rrënoj edhe më tej imazhin e vendit.

Këta të dy janë, ndër figurat kryesore të politikës në Kosovë që përfliten si të akuzuar të mundshëm që do të gjykohen në Gjykatën Speciale, të cilës vetë i kanë dhënë dritën e gjelbër për themelim.

Por, përveç skenës politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, efekti më i madh negativ do të ndihet në ekonomi. Kështu vlerësojnë njohësit e ekonomisë megjithëse thonë se është e vështirë të shpjegohen, tani për tani efektet e Gjykatës Speciale në ekonomi.

“Mirëpo, ajo çfarë mund të dëmtoj ekonominë dhe sidomos investimet e huaja është vazhdimi i praktikës ku zyrtarë të lartë publik qeverisin edhe pas akuzave të ngritura, edhe pas dënimeve të shqiptuara, madje edhe nga burgu”, thotë për Gazetën Fjala, Agron Demi, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara – GAP.

Ai shpreson që kjo praktikë të mos përsëritet megjithëse nuk është optimist për diqka të tillë.

As drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi nuk beson se Kosova do të arrijë shumë në rrafshin ekonomik me formimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tij, kjo gjykatë nuk do të merret me krimin ekonomik, korrupsionin, zhvatjet, apo me mosrespektimin e kontratave. Por shpreson që së paku të jetë një nismë për funksionim të rendit dhe ligjit.

“Gjatë punës së saj do të vërehet se si do të zhvillohet lufta ndaj atyre që janë pjesë e krimit dhe me cilin nivel. Me këtë mund të nisë funksionimi i shtetit ligjor, që mund të ketë efekte pozitive në ekonomi, veçanërisht në fushën e investimeve”, ka thënë ai.

Sipas tij, për zhvillim ekonomik, për ta joshur kapitalin privat dhe për përmirësimin e imazhit përballë investitorëve, kërkohen reforma të thella në sistemin ekonomik dhe gjyqësor.

“Pra, nuk është e mjaftueshme vetëm themelimi i Gjykatës Speciale”, është shprehur Rexhepi, për Gazetën Fjala.

Por, pavarësisht efektit që do të ketë, vendimi i Kuvendit të Kosovës për të krijuar mundësitë ligjore për themelimin e kësaj gjykate sipas kreut të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliut i ka hapur Kosovës rrugën drejt Evropës.

“Është e vërtetë që ka qenë një vendim mjaft i vështirë dhe një problemit të tillë duhet gjithmonë ti analizohet efekti. Kosova ka dëshmuar që i ka hapur rrugët evropiane”, thekson Gërxhaliu.

Sipas tij, është shumë i rëndësishëm procesi i marrëveshjes për deradikalizim, në mënyrë që Kosova të jetë me të vërtetë në familjen evropiane dhe të hapen mundësitë për investimet e huaja direkte në Kosovë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas riprocedimit për votim të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte të hënën i kanë thënë “Po” amendamentit 24 kushtetues me 82 vota pro, kundër ishin 5 deputetë, kurse 1 abstenoi. Kjo gjykatë do të trajtoj krimet e pretenduara të UÇK-së, sipas raportit të Dick Martyt. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/efekti-special-ne-ekonomine-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala