Drejt falimentimit

Autori:Zekirja Shabani

Njihen si ndërmarrjet kryesore të shtetit, por shumica nga 17 “gjigantët ekonomik”, nuk mund ta mbajnë as veten gjallë. Më së keqi i ka punët Posta dhe Telekomi i Kosovës, edhe pse ende operon me fitim. Qe tri vite rresht PTK ka shënuar rënie, ndërsa bllokada e investimeve si pasojë e procesit të privatizimit është shkaku kryesor i telasheve. Shifrat  për këtë ndërmarrje flasin për humbje të vazhdueshme të konsumatorëve dhe tregut.

Këto te gjetura u bene  publike nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, në një hulumtim mbi performancën e ndërmarrjeve publike në periudhën 2009-2013.
Në bazë të raportit të Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në vitin 2013, tetë nga 17 ndërmarrjet qendrore funksionin me humbje financiare. Ndërsa krahasuar me një vit më parë, tri ndërmarrje kishin arritur të kalojnë nga operimi me humbje në fitim.

Posta e Kosovës ka rritur nivelin e humbjeve nga 1.2 në 4.3 milion euro.

humbjet

Ndërkaq, në total, profiti i NP-ve shënoi rritje për rreth 10 milion euro dhe kjo si pasojë e uljes më të madhe të kostove krahasuar me rritjen e të ardhurave. Në rritjen e profitit, kontributin kryesor e ka dhënë Korporata Energjetik e Kosovës me rreth 12 milion euro rritje në profit.

NP mbesin gjallë nga paratë e qytetarëve

Korporata Energjetike e Kosovës, Hekurudhat, ngrohëtoret e shumë ndërmarrje tjera publike vetëm për katër vite kanë gëllltitur 260 mlion euro nga buxheti i shtetit.

Këto para i janë dhënë si grant nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në periudhën 2009-2013.

GAP shpërfaq detaje interesante se nga kjo shumë, 78% e shpenzimeve janë dhënë në formë të subvencioneve ndërsa vetëm 22% në formë të investimeve kapitale.

tabela investimet

Niveli i lartë i subvencioneve krahasuar me investimet kapitale jep indikacione se më shumë është duke u shpenzuar që NP-të të mbahen “gjallë” për një periudhë afat shkurte sesa që ka një orientim drejt përmirësimit të infrastrukturës apo performancës afatgjate.

“Në anën tjetër, përmes subvencioneve, qytetarët paguajnë dyfish për shërbimet publike: 1) në mënyrë të drejtpërdrejtë duke paguar këto shërbime; dhe 2) në mënyrë indirekte përmes taksave të tyre”, thuhet në këtë raport.

Në periudhën 2009-2013, ndërmarrja me nivelin më të lartë të subvencioneve është KEK me gjithsej 168 milion euro. Përveç subvencioneve, në KEK janë investuar edhe 300 mijë euro, ndërsa vlera e huazimeve ndaj KEK për këto vite arrin në 183 milion euro.

“Vlen të përmendet se një rregullore për subvencionim nga MZHE nuk ekziston, mirëpo, pas ndarjes së buxhetit për “grantet për investime kapitale”, NP-të aplikojnë për këto grante të cilat pastaj vlerësohen nga NJPMNP”, thuhet në raport.

13.2 milion euro për mazut

Ngrohtoret janë ndërmarrjet e dyta më të subvencionuara publike nga MZHE. Ngrohtorja Termokos në Prishtinë dhe Ngrohtorja në Gjakovë, në periudhën 2009-2013 kanë pranuar rreth 13.2 milionë euro subvencione për blerjen e mazutit.

“Kur jemi tek subvencionimi për blerjen  mazutit, nga ngrohtoret është kërkuar një koordnim më i mirë i kohës kur pranohen subvencionet për arsye se subvencionet alokohen gjatë dimrit e jo gjatë verës kur mazuti mund të blihet me çmim më të lirë”.

investimet kapitale

Sa i përket NP-ve tjera të subvencionuara, një shumë të konsiderueshme të subvencioneve gjatë viteve 2009-2013 ka pranuar edhe KRU Mitrovica me rreth 3 milionë euro. Subvencionet për KRU Mitrovica dhe KRM Uniteti jepen kryesisht për të mbuluar shpenzimet për Mitrovicën e Veriut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/drejt-falimentimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala