Djathi i Selmanit në sofër të Presidentes

Autori:Zekirja Shabani

Presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga, nuk e nisë ditën pa një copë djathë e një gotë qumësht të dhive të Selmanit.

“Nuk ka ilaç ma të mirë, për trup, për fytyrë e çfarëdo sëmundje”, tregon pronari i 280 dhive prej të cilave përgatit bylmetin për sofrat e krerëve të politikës kosovare.

Selman Selmani, është 72 vjeç.  Ai rrëfen për Gazetën Fjala se qytetarët presin në radhë për të blerë produktet e tij për shkak të vetive shëruese që ka qumështi i dhisë.

“Dhitë e mia janë hasjanka”, krenohet Selmani derisa shpjegon se kjo është racë autoktone dhe bylmeti nga to ka më pak erë, por më shumë veti shëruese.

dhit 2

I fundit që ka bërë pazar me të është ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni. Para disa ditësh ai ka blerë një edh.

Myshterinjtë e Selmanit që ka kopenë në Sofali të Prishtinës janë të gjithë deputetë, aktorë, mjekë, profesorë…kryesisht intelektualë të ngritur e në nevojë.

“Politikanët vijnë se qifti i fukarasë nuk vjen. Nuk e paguan gjithkush 6 euro kilogramin e djathit e një euro e njëzet cent litrin e qumështit.  Vijnë deputetë, gjyqtarë e aktorët si Leze Qena, Luan Daka e krejt mjekët e spitaleve, vijnë e marrin djathë”, tregon Selmani.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre sipas tij drejtohen me udhëzim të mjekut.

“Me udhëzime të mjekut vijnë me marrë tamël. Thonë se mjeku na ka thanë”.

dhit 4

Një litër qumësht dhie te Selmani kushton 1.20 euro derisa një kilogram djathë është 6 euro.

Mirëpo në këtë kohë nuk ka për shitje asgjë. Nga nëntori deri në muajin maj nuk ka qumësht.

“Deri në Shengjergj e pijnë dhat tamlin, e prej Shengjergji ja nisim me shit”.

Por, për të zënë rendin se kush do të blejë i pari, myshterinjtë garojnë një vit më parë.

“Po vijnë me porosi. Në vjeshtë e bjen kantën e 20 killave a 30 killave sa i shkojnë mrena vitit edhe thotë mushma. 50 killa i ka marrë njani”, tregon ai.

Selmani tregon për vetitë shëruese që ka qumështi i dhisë dhe shqetësohet se si të rinjtë nuk e donë bylmetin.

“Të rinjtë janë qu peshë, as se pinë tamlin as se hajn djathin as hiq. Janë mësu me dofar sallamash. Mishi ma i keqi është i sallamave. Tutna që e kanë një taksirat”.

Sipas tij, për qytetarët qumështi i dhisë është më i miri.

“Me pas mundësi secilit banor ja kisha ba nga një dhi. Ajo 640 lloje të bimëve i han. Nuk ka shanca pa qëllu në to një bimë shëruese që shëron një sëmundje. Për këtë edhe është shëruese”.

Edhe blerësit që i vijnë në derë kanë halle të ndryshme.

“S’ka smujë në trup të njerit për të cilën s’vinë me kërku. Vijnë për kancer, për sy, për li të ujit.. edhe mish të edhit më ka kërku njani për kancer”.

dhit 1

Selmani thotë se ja ka parë hajrin kësaj pune. Të ardhurat nga shitja i ka të mira ndërsa vitin tjetër pret ti dyfishojë me shtimin e numrit të dhive.

E kishte nisur këtë biznes në vitin 1999 me dhjetë dhi, të vetmet që i kishin shpëtuar nga kopeja prej 300 copësh sa i kishte para se të fillonte lufta. Tani do ti bëjë mbi 500 copë.

Por, i kritikon të rinjtë kosovarë që po ikin nga vendi dhe nuk po shohin mundësi për të filluar punë në Kosovë.

“Pasha Zotin u tranu kjo rini. Vallahi ka vene qe njerin toka ta ban, por e kan lëshu. Asfaltin jau kan qu te dera po e kanë lëshue, s’dojnë me punu. Krejt smuj i bajmë në vend të Atifetes, as në ven të Hashimit ”, thotë ai.

Ai porositë të rinjtë që të gjejnë veten kudo që të munden në  vendin e tyre. Bujqësia thotë se është një sektor me perspektivë.

“Me të than po të mys në ditë të sodit, nuk duhet me i marrë fminë e me shkue për Suboticë. Edhe me ditë që atje është tu prit puna, është tu prit rroga, e janë tu prit tana të mirat. Qysh me i qit fminë në ditë të sodit që se din as ku po shkon”, porositë Selmani kosovarët që kanë ndarë mendjen të ikin nga vendi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/djathi-i-selmanit-ne-sofer-te-presidentes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala