Djali i Agim Shahinit bashkëpronarë me serbë

Autori:Gazeta Fjala

 

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit tani e 13 vjet po mundohet t`i nxisë kosovarët të konsumojnë prodhime vendëse dhe t`i lënë ato të Serbisë.

Por, atë duket se nuk po e dëgjon as familja e tij. Madje djali i tij Visari del se po bashkëpunon ngushtë me afaristë nga vendet e të cilat bien ndesh me misionin e kreut të AKB-së.

Kompania “Hemo Agrokos” që në vitin 2013 u përurua si biznesi me kapital vendës nga Ministri i atëhershëm i Financave Besim Beqaj, ai i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli dhe Agim Shahini, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) i takon djalit të Agim Shahinit.

Por Visar Shahini nuk është i vetëm në këtë biznes me bazën në Vushtrri, që ka për aktivitet prodhimin e plehrave kimike.

Përveç tij, pronarë të kompanisë figurojnë edhe Milan Malièevic, Bogdan Laban, Pero Ninkovic, Grada Ilic, Ivo Èanèar, Oksana Èanèar.

Bogdan Laban nga një kërkim në internet shihet se është drejtor i kompanisë për distribuim të energjisë në Serbi, “EPS distribucije”.

kompania Hemo agrokos

Por, Visar Shahin i kontaktuar nga Gazeta Fjala thotë se ai është vetëm drejtor i fabrikës e nuk e din saktësisht kush janë bashkëpronarët e tij në kompani.

“Unë jam veç drejtor nuk e di qysh ka lind bashkëpunimi, se unë e menaxhoj veç fabrikën”, tha Shahini.

Ai thotë se i kujtohet pak si kanë filluar biznesin me ta.

“Me sa e di unë ata kanë qenë të interesuar për të hyrë në biznes me neve, pasi që ne e kemi pasur vendin e aty ka qenë magazinë e plehrave artificial. Ata ishin të interesuar ne nuk kemi pasur lidhje me këto far lamish pasi që ne kemi bërë vetëm paketimin e plehrave artificiale po shpresoj që në të ardhmen të kemi bashkëpunim më të mirë”, shtoi ai.

Shahini thotë se i ka takuar bashkëpronarët e biznesit por se emrat nuk ua ka mbajtur në mend.

“Emrat nuk ja u di po më vjen shumë keq besomë- po ata janë tregtar janë një kompani e fuqishme që merren me të gjitha gjanat me teknike e me makineri të fabrikave”, tha ai.

Sipas Shahinit ata janë kroato- hongarez, që kanë prejardhje nga Serbia.

“E di e di ata prejardhjen e kanë prej Suboticës”, tha ai.

Por nga ana tjetër Agim Shahini i cili vazhdimit nëpër aktivitetet e tij bënë promovimin e produkteve vendore, e i cili para disa ditësh në media deklaroi se serbët janë konsumatorë nacionalist, sa i përket biznesit të tij familjar duket se nuk ka pengesa.

“Prodhuesit kosovarë nuk eksportojnë prodhimet e tyre në Serbi, sepse serbët janë konsumatorë nacionalistë dhe i refuzojnë produkt kosovare”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur shumë pengesa që u bëhen prodhuesve kosovarë në Serbi. Sipas tij, ka shumë pengesa jotarifore që i mbajnë nëpër terminale produktet dhe kjo i rritë shpenzimet, prandaj kosovarët kanë hequr dorë nga transportimi i prodhimeve atje.

“Për të eksportuar në raportin Kosovë-Serbinë është 99 për qind në favor të Serbisë”.

Për ndërtimin e “Hemo Agrokos”, janë investuar 1 milionë e 400 mijë euro.

Visar Shahini, pati deklaruar gjatë hapjes së saj se fabrika do të prodhojë dhe paketojë më shumë se nëntë lloje të plehra artificiale minerale dhe azotike.

Ajo aktivitete tjera ka edhe përpunimi i produkteve të tjera kimike me bazë organike, tregtia me shumicë e drithërave, duhanit të papërpunuar, farërave dhe ushqimit të kafshëve, tregtia me shumicë e produkteve kimike, magazinimi dhe ruajtja. /Gazeta Fjala/

visar

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/djali-i-agim-shahinit-bashkepronare-me-serbe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala