Ditët e zeza të Isa Mustafës

Autori:Avdyl Pajaziti

Hashim Thaçi, ishte kryeministër i vendit kur Ahmet Sylejmani me dhjetëra ish-punëtorë të tjerë të fabrikës së tubave në Ferizaj ngritën tendën përballë zyrës së tij në qendër të Prishtinës.

Që atëherë janë bërë plotë 560 ditë grevë e këtyre ish punëtorëve në “shtëpinë e improvizuar”, të injoruar tashmë edhe nga qytetarët.

Ata po protestojnë për kthimin e 20 përqindëshit që iu takon nga vlera privatizimit të kësaj ndërmarrje. Por, meqë bordi i Agjencionit të Privatizimit është jofunksional, kërkesa e tyre nuk ka mundësi që të realizohet.

Sulejmani tregon se qeverisja e re e vendit, e drejtuar nga Isa Mustafa e cila këto ditë mbush një vit që kur ka filluar punën –  as nuk i ka vizituar e as nuk iu ka kthyer përgjigje në 28 ftesat për biseda që këta i kanë bërë.

“Neve në kohën e Hashim Thaçit nuk na u bë zgjidhje edhe pse kemi vendim të gjykatës, dhe kemi pas shpresë që kur të vjen Isa në pushtet, kjo punë do të rregullohet”, thotë ai.

Por, përveç që nuk i ka vizituar, Isa Mustafa nuk ka arritur që të kompletojë bordin e AKP-se, që rrjedhimisht do të ishte edhe zgjidhje për punëtorët.

Kryeministri i ri, për një vit qeverisje, sipas atyre që monitorojnë punën e ekzekutivit, nuk ka arritur tu bëj qare as qindra mijëra të papunëve, e as të përmirësoj jetën e qytetarëve në përgjithësi.

Njohës të çështjeve ekonomike besojnë se puna e Isa Mustafës nuk dallon thuajse asgjë nga ajo e parardhesit të tij në pushtet, Hashim Thaçi.

Agron Demi nga Instituti GAP, thotë se kjo qeveri është duke dështuar në përmbushjen e premtimeve të veta për ekonominë e vendit.

“Dy partitë më të mëdha në vend kishin dhënë premtimet më të mëdha për zhvillim ekonomik dhe punësim, e pas një viti qeverisjeje janë duke dëshmi edhe dështimin më të madh,”thotë ai.

Dështimet e qeverisë në ekonomi

Isa Mustafa pati premtuar 150 mijë vende të reja të punës për kosovarët, mirëpo ai me marrjen e mandatit u tërheq nga fjalët e dhëna.

Në janar ai u shpreh se gjatë qeverisjes së tij ai nuk do të referohet nga numrat, por nga masat për arritjen e vendeve të reja të punës. Pati thënë se numrat varen nga puna e sektorit privat të Kosovës.

“Fushata është një ambicie e shprehur që ne dëshirojmë edhe si LDK ta arrijmë, po edhe PDK-ja ta arrijë. Në programin qeverisës ne nuk do të orientohemi nga numrat, por do të orientohemi nga masat të cilat ne do të duhet t’i krijojmë për arritjen e zhvillimit ekonomik”, pati thënë Mustafa gjatë një konference për media.

Sipas Agron Demit jo që nuk janë hapur vende të reja pune por një numër i madh i qytetarëve edhe kanë humbur vendin e punës.

“Premtimet për krijimin e 120-200 mijë vendeve të reja të punës nuk janë askund. Madje sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave, në Kosovë vetëm se kanë humb rreth 15 mijë vende të punës”, tha Demi.

Në Kosovë gjatë vitit 2015, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë punësuar afër 7 mijë persona.

“Sipas të dhënave tona të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale totali i të punësuarve është 6,556 persona, prej tyre 1,921 janë femra, të tjerët janë meshkuj të te gjitha nacionaliteteve, por shumica prej tyre janë të rinj që i përkasin nacionalitetit shqiptarë”.

Një dështim tjetër i kësaj qeverie është edhe mos emërimi i bordeve. Edhe përkundër dymbëdhjetë muajve qeverisje Mustafa nuk ka arritur të kompletoj  të gjitha bordet e institucioneve publike.

Do të duhej të plotësoheshin 88 pozita në borde. Kandidatët që konkurruan në konkursin që u hap në muajin janar u desh të presin gjashtë muaj deri në fund të gushtit kur edhe filloi intervistimi i tyre.

Demi thotë se edhe në ato agjenci dhe ndërmarrje publike ku është arritur të plotësohen me borde, qeveria ka zgjedhur njerëz partiak dhe joprofesional për të udhëhequr te cilët nuk do arrijnë qe te rrisin performancen e ndërmarrjeve dhe agjencioneve qe i udhëheqin.

“Kjo ka shumë rëndësi, ngase menaxhimi i mbeturinave, furnizimi i rregullt me ujë dhe rrymë, janë parakushte për thithjen investimeve të huaja”, tha Demi.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve të ekonomisë thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka dëshmuar seriozitet rreth çështjes së Trepcës dhe në përgjithësi minierave dhe metaleve.

Ai ka përmendur vonesat që po bëhet edhe në fillimin e punimeve për termocentralin Kosova e Re.

“Energjetika edhe me tutje do të mbetet pengesë për zhvillimin ekonomik, meqenëse ende ka hezitime rreth fillimit të punëve në ndërtimin e termocentralit të ri. Madje, edhe nëse do të ndërtojë termocentralin me fuqinë e paraparë – 500 megavat, ai nuk do të jetë zgjidhje, përkatesisht nuk do të siguroj stabilitet energjetik”, tha Rexhepi.

Politika zhvendosi fokusin nga ekonomia

Kur në krye të Qeverisë së Kosovë erdhi Isa Mustafa, në publik ishte krijuar një përshtypje se qeverisja e re do të ishte më e fokusuar në ekonomi marrë parasysh faktin se gjatë mandatit të kaluar ishin kryer një mori procesesh politike, dhe po ashtu për faktin se Mustafa, një ekonomist me profesion, ka njohuri më të thella në këtë drejtim.

Megjithatë, që nga janari i këtij viti, në vend kryesisht kanë dominuar tema politike të cilat kanë nxitur protesta të shumta.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe NISMA për Kosovën, janë duke kundërshtuar dy marrëveshje që Qeveria e Kosovës ka arritur me përkatësisht, Serbinë dhe Malin e Zi.

Opozita e bashkuar përveç protestave në rrugë, shkatërrimit të pronës publike dhe eskalimit në dhunë, ka arritur të bllokoj më shumë se gjashtë seanca të kuvendit të Kosovës, duke hedhur në shumicën prej tyre edhe gaz lotsjellës.

“Për kundër premtimeve se ky manat a do të jetë mandat i cili do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, fatkeqësisht për një vit qeverisjeje ka mbizotëruar tema e negociatave edhe problemeve tjera politike”, thotë Agron Demi./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ditet-e-zeza-te-isa-mustafes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala