Diplomacia e varfër  

Autori:Zekirja Shabani

Më shumë ka para në llogari një punëtor krahu në Zvicër se konsullata e Kosovës në Zurich.

Përfaqësitë diplomatike të Shtetit të Kosovës kanë fare pak para në bankat ku edhe gjinden.

Në raportin financiar të buxhetit për vitin 2014, shihet se i tërë buxheti në llogarinë e konsullatës në Zurich është vetëm 1 mijë euro.

Hiq më mirë nuk i kanë punët as në vendet tjera.

Në Kroaci janë vetëm 2 mijë euro në dispozicion të ambasadës për shërbime bankare. Kaq para ka edhe Ambasada në Arabinë Saudite.

Këto para janë në llogari të hapura në Banka Komerciale në shtetet ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka hapur Ambasadat e veta, në bazë të Udhëzimit Administrativ për llogaritë e Ambasadave, dhe të cilat mbahen me qëllim të ofrimit të shërbimeve bankare për Ambasadat dhe Konsullatat në këto shtete.

Në bazë të pasqyrës së përgjithshme që paraqitet në dokumentin, të cilin e posedon Gazeta Fjala, shihet se përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nëpër botë duhet të maten mirë para se të ftojnë mysafir apo të organizojnë aktivitet në vendet ku janë.

Atyre mund tu duhet të hyjnë borxh në raste të caktuar për të kryer obligimet, siç ka ndodhur me Ambasadën në Gjermani, e cila në fund të vitit 2014 ka raportuar se ka 2 mijë euro borxh në bankë.

Ambasada e Kosovës në Australi ka në llogari 7 mijë euro, aq sa ka edhe Konsullata në New York.

Por janë disa përfaqësi diplomatike të cilat e kanë përmbyllur vitin me një bilanc pak më të mirë.

Më së miri duket se ka punët Konsulata në Shtutgart, në llogarinë e së cilës janë 80 mijë euro. Ndërkaq, në konto të Ambasadës së Kosovës në SHBA janë 53 mijë euro.

Në total përfaqësitë e shtetit të Kosovës përfshirë ambasadat e konsullatat kanë të deponuara në bankat e shteteve ku janë të vendosura 535 mijë euro.

Gazeta Fjala sjellë listën e plotë të 28 përfaqësive diplomatike më të dhënat e raportuara në fund të vitit 2014.

ambasadat tabela

Por këto para nuk janë buxheti i përgjithshëm që shteti i Kosovës shpenzon për përfaqësitë nëpër botë.

Nga 20 milionë euro sa ka buxheti i Ministrisë Punëve të Jashtme rreth 17 prej tyre shpenzojnë ambasadat e Kosovës e përfaqësuesit e shtetit jashtë Kosovës.

Për paga dhe meditje janë të parapara për vitin 2015 rreth 6 milionë euro, ndërsa për mallra e shërbime mbi 10 milionë euro. Këto mjete shkojnë ndër të tjerash edhe për pagesën e qirave të vendeve ku janë të vendosura përfaqësitë e shtetit të Kosovës.

E nga 272 punëtorë sa ka kjo ministri 124 janë të angazhuar në jashtë Kosovës.

Prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, me qëllim të realizmit sa më të suksesshëm të misionit të saj janë:

  • Njohja e pavarësisë së Kosovës nga shumica absolute e shteteve të bashkësisë ndërkombëtare dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto vende.
  • Kultivimi i marrëdhënieve të ngushta dhe speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbetet prioritet i veçantë në politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhënie këto, të cilat vazhdojnë të kenë rol strategjik në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
  • Ndërtimi i partneritetit strategjik me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me këto organizata, në rrugën drejt integrimeve Euro-Atlantike.
  • Përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, gjë që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në vendet e rajonit dhe BE-së.
  • Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare me interes të veçantë për subjektivitetin dhe prestigjin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
  • Zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal me interes të përbashkët, përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe multilaterale.
  • Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të shtetasve të Republikës së Kosovës.
  • Rritja e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes promovimit të interesave ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja dhe anëtarësimit në organizatat ekonomike ndërkombëtare.
  • Funksionalizimi dhe rritja e kapaciteteve të shërbimit të jashtëm dhe konsullor të Republikës së Kosovës.
  • Promovimi i një imazhi real dhe modern të Republikës së Kosovës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/diplomacia-e-varfer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala