Diplomacia e fokusuar në Evropë, harron kontinentet tjera

Autori:Gazeta Fjala

Shtrirja e rrjetit të përfaqësive diplomatike të Kosovës është e fokusuar kryesisht në kontinentin e Evropës, nga ku vijnë shumica e shteteve që Republika e Kosovës i konsideron si përkrahëset më të mëdha të vendit.

Nga gjithsej 24 ambasada të akredituara në botë, vetëm gjashtë ndodhen jashtë Evropës.

Por, votimi i fundit për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuar për Edukim, Shkencë, dhe Kulturë (UNESCO) ka treguar se Kosova duhet që të investojë për të forcuar raportet diplomatike edhe me rajon të tjera.

Kështu së paku vlerësojnë njohës të çështjeve të diplomacisë.

“Mospërfaqësimi diplomatik në disa nga vendet arabe, por edhe ato të BE-së, padyshim se mund te ketë penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO,  kuptohet përveç shkaqeve dhe interesave tjera politiko –ekonomike”, thotë Labinot Hajdari nga Qendra Kosovare për Diplomaci (QKD).

Sipas tij, fakti që Kosova nuk gjeti përkrahje edhe nga disa vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit mund të lidhet edhe me mungesën e përfaqësimit diplomatik në këto vende.

“Më e dhimbshme është fakti se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është refuzuar apo abstenuar edhe nga ato shtete të cilat tashmë kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Këtu duhet të përmendi Poloninë, Perun, Kolombinë, Maldivet, Burundi, etj [..] dhe me asnjë nga këto shtete nuk ka marrëdhënie diplomatike, nuk ka qoftë edhe një zyre ndërlidhëse apo konsullatë.”

Shumica e ambasadave të Kosovës janë hapur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndërsa që nga ajo kohë ky numër nuk është rritur shumë.

Përveç kontinentit evropian, aty ku Kosova është e përfaqësuar me 18 ambasada, Kosova ka ambasadën e saj edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Panama, Austriali, Arabi Saudite, Japoni, dhe Kanada.

Deri më tani, shtetësinë e Kosovës e kanë njohur 111 vende të ndryshme të botës. Por ritmi i njohjeve ka shënuar ngadalësim të përvitshëm.  Ndërsa në vitin 2015, që kur në krye të diplomacisë është Hashim Thaçi, Kosova ka arritur të ketë vetëm dy njohje ndërkombëtare, nga shtetet Niue që ndodhet në Oqeanin Paqësor dhe Antigua dhe Barbuda.

Votimi në UNESCO më 9 nëntor, nxiti debat në opinionin publik për faktin se Kosova nuk mori përkrahje nga shtetet me shumicë popullate që i takon besimit të fesë islame.

Edhe Xhabir Hamiti, profesor dhe ish-Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), gjatë një interviste në televizionin Klan Kosova, ndau mendimin se një ndër shkaqet që Kosova nuk gëzoi përkrahje nga ato vende ka të bëjë me përfaqësimin e dobët të diplomacisë kosovare në atë pjesë.

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme për të marrë një vlerësim nëse shtrirja e rrjetit diplomatik ka ndikuar në votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dhe nëse pritet të shtohet numri i ambasadave të Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Sipas programit qeverisës për vitin 2015-2018, “Qeveria e Kosovës do të angazhohet në mënyrë aktive me vendet në Afrikë, Azi dhe Amerikën Jugore për t’i bindur ato për nevojën e njohjes së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

Por, përveç shtrirjes së rrjetit diplomatik të Kosovës, Labinot Hajdari është kritik edhe për performansën e ambasadorëve të emëruar nga Kosova.

Sipas tij,  “kontributi i tyre lirisht mund të thuhet se është shumë më i vogël se ato kontribute individuale që bëjnë individë vendor e ndërkombëtar, e që janë jashtë ombrellës së institucioneve të vendit”.

“Thuajse të gjitha koalicionet qeverisëse, diplomacinë nuk e kanë konceptuar si institucion profesional që duhet të jetë në shërbim të politikës shtetërore por si institucion i përbërë me individë të përzgjedhur nga koalicionet qeverisëse, dhe kjo i ka kushtuar mjaft shumë përfaqësimit dhe imazhit të shtetit të Kosovës,” ka shtuar ai.

Pas dështimit të kësaj jave që të bëhet anëtare me të drejta të plota e UNESCO-s, Kosova nuk do të ketë të drejtë të aplikojë në këtë organizatë deri në vitin 2017.

Por përveç UNESCO-s, Kosova vazhdon të mbetet jashtë edhe nga një numër i konsiderueshëm i organizatave të tjera me rëndësi, siç është Këshilli i Evropës.  Edhe përkundër marrëveshjes ë arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë se kjo e fundit nuk do të ndalojë Kosovën të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe regjionale, deri më tani është dëshmuar e kundërta.

Gazeta Fjala ka raportuar para disa ditësh që Kosova vazhdon të mos përfaqësohet në shumë organizata rajonale, që për qëllim kanë luftën e përbashkët rajonale kundër korrupsionit dhe krimit e organizuar, punësimin, parandalimin e fatkeqësive natyrore, sigurinë e të tjera. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/diplomacia-e-fokusuar-ne-evrope-harron-kontinentet-tjera/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala