Diploma që nuk u sjell punë

Autori:Avdyl Pajaziti

Të rinjtë e Kosovës ardhmërinë e vet e shohin jashtë vendit. Ata për shkak të papunësisë, e cila vazhdon të jetë më e larta në rajon nuk po mund të jetojnë në vendin e lindjes.

Punë nuk po mund të gjejnë as të shkolluarit.  Madje këtë s’po mund ta bëjnë as ata që kanë diploma universitare.

“ Kam përfunduar fakultetin ekonomik tash e dy vite dhe nuk po mund të gjejë punë askund. Nuk kam lanë konkurs pa provuar, por prapë nuk kam gjet punë. E keqja e kësaj është se tek ne nuk po shikohet diploma. Në punë mund të hysh vetëm më të njomesh. Ne që nuk kemi të njohshëm në institucione apo dikund tjetër duhet të ikim nga Kosova”, thotë Valmir Kryeziu nga Peja.

Ai tregon se fat të ngjashëm kanë edhe disa kolegë të tij që e kanë përfunduar fakultetin.

“ Nuk jam veç unë në këtë gjendje. Edhe kolegët e mi kështu janë. Edhe ata veç po këqyrin qysh me leshu Kosovën e me gjet vend të punës dikund në Evropë”, thotë ai për Gazetën Fjala.

Se të shkolluarit janë duke kërkuar punë më së shumti e thonë edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“…numri i shtetasve të regjistruar si të papunë dhe punëkërkues në Zyrat e Punësimit, me universitet është 6840, prej tyre 3450 janë femra”, ka thënë Musa Demiri zyrtar për informim në Ministrinë e Punës.

Ai ka treguar po ashtu se punë janë duke kërkuar edhe të rinjtë më shkollim të mësim. Madje ai  ka treguar se edhe femrat më shkollim të mësim janë të interesuara të gjejnë punë.

“Numri i shtetasve të regjistruar si të papunë dhe punëkërkues në Zyrat e Punësimit, me shkollim të mesëm është 77, 310, prej tyre 28, 761 janë femra”, thotë Demiri.

E njohësit e ekonomisë thonë se zbutja e nivelit të lartë të papunësisë duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Norma e papunësisë nuk ka rënë në Kosovë përkundrazi ajo është duke u rritur. Kjo është një alarm për qeverinë. Në vendet e perëndimit kur norma e papunësisë kalon mbi 15 apo 20 për qind, qeveria automatikisht jep dorëheqje pasi që nuk është diçka në rregull, pra politika e zbatuar ekonomike nuk jep efektet e veta”, thekson profesor Limani.

Sipas tij, çdo biznesi në vend të cilit do t’i ofrohej përkrahje nga Qeveria e Kosovës, do të duhej të merret obligim të punësojë një anëtarë të një familje, që nuk ka asnjë të punësuar.

Ndryshe, të tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. Papunësia në Kosovë ka arritur në shkallën mbi 30 për qind.

Papunësia te të rinjtë është shumë e lartë. Nga popullsia në moshë pune, afër 60 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/diploma-qe-nuk-u-sjell-pune/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala