“Dinastia” Lushtaku nën hetime

Autori:Gazeta Fjala

Dyshimet për ndikimin që i pari i Skënderajt, Sami Lushtaku ka edhe nga burgu në manipulimin e tenderëve dhe favorizimin e të afërmëve në realizimin e projekteve të komunës që udhëheqë nga distanca, janë bërë subjekt i hetimeve të institucioneve kompetente.

Pas raportimit të Gazetës Fjala lidhur me tenderin e komunës së Skenderajt për të cilin u shpërblye asamblisti njëherësh vëllau i kryetarit Lushtaku, mekanizmat shtetëror kanë filluar të merren me të.

Drejtori i Agjencionit Kundër Korrupcionit, trupa që trajton e çështjet korruptive dhe konfliktin e interesit, Hasan Preteni konfirmoj se pasi është njoftuar nga gazeta Fjala kanë hapur rastin dhe se shumë shpejtë do të dalin me një vendim.

“Informatat duhet trajtuar dhe vërtetuar, ato janë përcjellur për trajtim”, tha Preteni.

Shoqëria civile nga ana tjetër e sheh ndikimin e vazhdueshëm të kryetarit Sami Lushtaku, edhe pse ai gjindet në burg për vuajtjen e dënimit prej 12 vite, për krime lufte.

Fidan Kalaja nga organizata Fol thotë se ky nuk është rasti i parë kur Lushtaku ka shtrirë ndikimin e tij.

“Z. Lushtaku është kryetar i Komunës së Skenderajt mirëpo ai është dëshmuar që është edhe më shumë se kaq edhe në raste tjera në prokurimin publik”, tha ai.

Sipas tij, me ligjin e ri të prokurimit publik parashihet menjanimi i konfliktit të interesit në prcedurat e prokurimit publik.

Ligji specifikon se çdo situatë ku anëtarët e personelit të autoritetit kontraktues ose të një ofruesi janë të përfshirë në kryerjen e procedurës së prokurimit e që mund të ndikojnë në rezultatin e asaj procedure kanë, drejtpërdrejt ose tërthorazi për një interes personal financiar, ekonomik apo ndonjë interes është konflikt i interesit.

Sipas Kalas rasti në fjalë është në kundërshtim me këtë nen dhe gjithashtu me Ligjin për Konflikt Interesi në Kosovë.

Agron Demi nga institute Gap, është shprehur i shqetësuar me dukurinë e marrjes së tenderve për shkak të ndikimeve politike e familjare.

Sipas një postimi të Demit në Facebook Sami Lushtaku mund të jetë i burgosuri i cili e mban rekord botëror për para të fituara gjatë kohës që e mban burgun.

“Edhe pse nuk ka dalë as një ditë në punë si kryetar komune, ai merr pagë, madje ka gjetë kohë edhe me e plotësu formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion”, shkruan ai.

Duke kujtuar kohën kur ndihej kranar që Lushtaku kishte qenë ndër ushtarët e parë që ka dhënë një intervistë për një të përditshme, me emër dhe fotografi, tani sipas Demit ai po terrorizon shtetin.

“Dhjetë vite më pas, nga të qenurit krenarë me ushtarak si ai [Sami Lushtaku], ata u shndërruan në njerz që ta terrorizojnë tërë shtetin, e nuk ka institucion shtetëror që i mban përgjegjës, duke fillu nga Partia ku është anëtar, Komuna që e udhëheq, e deri tek Organi Shqyrtues i Prokurorimit Publik, gjykatat, policia, Shërbimi Korrektues, e deri tek EULEX”, ka shkruar Demi.

Demi ka kritikuar ashpër edhe punën e Agjencionit Kundër Korrupcion, që sipas tij nuk po e lufton korrpsionin tek personat e fuqishëm.

Vëllau i ruan komunën Sami Lushtakut

Të hënën komuna e Skenderajt, tenderin për sigurimin e objekteve komunale në vlerën e 155 mijë euro i dha Security Code, bashkëpronarë në të cilën është vëllau i  kryetarit.

Ukshin Lushtaku mban edhe pozitën e asamblistit  në kuvendin komunal.

Kur u kontaktua nga Gazeta Fjala, Ukshin Lushtaku,  e konfirmoi se u është besuar ky tender  pasi, siç thotë ai kanë qenë më të mirët në mesin e tre kompanive që kanë konkurruar.

Ai, thotë se pozita që mbanë dhe afërsia me të parin e komunës nuk duhet të jenë pengesë për kompaninë që ai drejton të kryej këtë punë.

“Nuk ka kurrfarë konflikti interesi. Kemi qenë më të mirët dhe kemi fituar”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Kompania “Security Code” ka qenë cak i hetimeve të EULEX-it për tenderin 6 milionësh të KEK-ut dhe është kritikuar në vazhdimësi për ndikimin dhe favoret që kryetari, Sami Lushtaku i ka bërë kësaj kompanie në disa tender.

Që në vitin 2008, vazhdimisht ka fituar tenderë publik dhe si rezultat kjo firmë është një prej atyre bizneseve që ka qarkullim vjetor milionësh.

ukshin 2

Rehatimi i familjarëve të Lushtakut në pozita publike

Gazeta Fjala ka raportuar edhe për rastet tjera kur familjarët eLushtakut u ngritën në pozita të larta në institucionet publike.

Në mesin e muajit shtator të këtij viti, qeveria emëroi Mergim Lushtakun djalin e Sami Lushtakut anëtarë të bordit të ndërmarrjes  “Iber Lepencit”. Në të njëjtën kohë ai mban edhe postin e drejtorit për integrime evropiane në Ministrinë e Administratës Publike”.

Përveç kësaj Mergimi, është paguar edhe ekstra për punën që ka bërë në Minstrinë e Administratës Publike, duke qenë përfitues i fondit të kuadrove. 

Në muajin shtator edhe një fëmij tjetër i Lushtakut u rehatu me në institucionet publike.

Qeveria e Kosovës e punësoi edhe Qendresa Lushtakun vajzën e e kryetarit të Skenderajt, në pozitën e zyrtares së depos në Ministrinë e Shëndetsisë.

Divizionit i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Shëndetësisë, njoftonte me datën 23 shtator 2015, për pranimin e Qendresa Lushtakut në këtë pozitë.

 “Pas intervistave të zhvilluara dhe bazuar në raportin final të rekomandimit të Komisionit Rekrutues, të datës 15.09.2015, si dhe pas miratimit të këtij raporti nga sekretari i përgjithshëm i MSH-së, shpallet rezultati përfundimtar për pozitën e punës ‘Zyrtar i Depos’, për pranimin e kandidatit”, thuhet në shkresën e kësaj zyreje. 

Skenderaj pa kryetar qe dy vite

Gazeta Fjala me 14 tetor botoi një shkrim për rastin e kryetarit Lushtaku, analistët politik  patën kërkuar dorëheqjen e tij.

Imer Mushkolaj, analist politik, beson se dorëheqja e Sami Lushtaku do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në mënyrë që qytetarët e Skenderajt “të mos mbeten peng i një procesi gjyqësor”.

“Ata nuk kanë faj pse kryetari i komunës është shpallur fajtor dhe do të ishte e drejtë që z. Lushtaku të lëshojë udhë dhe të mos e mbajë peng komunën,” ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, obligimet që ka kryetari i komunës nuk mund të përmbushen njësoj si nga nënkryetari i komunës për shkak të përgjegjësive dhe kompetencave që i mungojnë këtij të fundit.

“Dorëheqja e z. Lushtaku do të ishte një akt që do t’i ndihmonte edhe vetë atij,  por më së shumti bashkëqytetarëve të tij,” ka shtuar ai.  / Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/dinastia-lushtaku-nen-hetime/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala